Një vaksinë e re kundër koronavirusit është provuar të jetë efektive 89.3% në eksperimentet e fazës së tretë të zhvilluar në shkallë të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar.
Vaksina e zhvilluar nga Novavax është gjithashtu e para që ka treguar efektshmëri edhe kundër variantit të ri të virusit të zbuluar fillimisht në Britani.
Kryeministri britanik e mirëpriti “lajmin e mirë” dhe tha se rregullatori i barnave në Mbretërinë e Bashkuar do të vlerësojë të dhënat, për t’i dhënë më pas dritën jeshile për përdorim.
Mbretëria e Bashkuar ka porositur 60 milionë doza të vaksinës, të cilat do të prodhohen në Stockton-on-Tees, në verilindje të Anglisë.
Dozat pritet të dorëzohen në gjysmën e dytë të këtij viti, nëse miratohen për përdorim nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA), tha qeveria.
Britania e Madhe ka miratuar deri më tani tre vaksina të koronavirusit për përdorim emergjent, vaksinën e AstraZeneca, atë nga Pfizer dhe BioNTech dhe vaksinën nga Moderna.
Vaksina Novavax, e cila jepet në dy doza, u provua se ishte 89.3% efektive në parandalimin e Covid-19.
Në testimet e fazës 3, faza e fundit para se një vaksinë të shikohet nga një rregullator, morën pjesë më shumë se 15 mijë persona të moshës midis 18-84, nga të cilët 27% ishin mbi moshën 65 vjeç, tha kompania britanike Novavax./BBC