Kadri Morina, President i kompanisë Eurosig
Nxjerrja e primit të sigurimit për automjetet bazuar vetëm në një vit historik shihet me rezerva nga kompanitë e sigurimit. Kadri Morina, President i Eurosig, shprehet se minimalisht duhet të merren në bazë tre vite për të qenë më të drejtë me konsumatorin.
Ai thekson se do të ishte më e thjeshtë që fillimisht të niste zbatimi i primit në bazë të kubikazhit të mjetit, vjetërsisë së lejes së drejtimit dhe më pas të kalohej te Bonus-Malus kur konsumatori të ishte edukuar disi me këtë aspekt.
Lidhur me koeficientët, ai shprehet se dyfishimi apo përgjysmimi i primit në ekstremet si drejtues i mirë dhe drejtues jo i mirë, nuk i përshtaten realitetit shqiptar dhe se kjo duhet të ishte parë më mirë nga AMF. Pavarësisht këtyre, ai e cilëson zbatimin e Bonus-Malus si një hap pozitiv për tregun dhe pavarësisht vështirësive që mund të hasen në zbatim, gjatë rrugës mund të bëhen edhe korrigjimet e nevojshme që ta bëjnë të funksionojë.
Morina shprehet se kompanitë nuk kanë probleme në aspektin teknik, lidhur me zbatimin e kësaj nisme dhe se mes palëve të përfshira si AMF, Shoqata e kompanive të sigurimit dhe vetë kompanitë e tregut, duhet të ketë diskutim më të gjerë për të parë alternativat më të mira që kjo reformë të funksionojë.
Ka një udhëzim tashmë të miratuar nga AMF për sistemin Bonus-Malus. Si e shihni këtë udhëzim?
Si çdo gjë në Shqipëri, që është e vonuar, edhe kjo është një reformë e vonuar.
Po pjesa e koeficientëve dhe lëvizja brenda klasave në bazë të numrit të dëmeve, si ju duket?
Mendoj se është e gabuar, pasi mes ekstremit për lart dhe ekstremit për poshtë, ka një koeficient dhe të paktën nga përvoja perëndimore, është e pamundur që nëse ti bën tre aksidente, çmimi të bëhet dyfish, ashtu sikurse është e pamundur që nëse ti nuk bën aksidente, primi të shkon 50%, pra përgjysmohet. Ta ulësh 50%, do të thotë të marrësh vetëm një letër në dorë. Mendoj që dy disbalancat mes njëra-tjetrës duhet të përkojnë me atë që është sot realitet në Shqipëri.
Mendoj që koeficienti që kanë përzgjedhur e kanë menduar si në një situatë perëndimore që i takon Francës apo Gjermanisë, por jo realitetit në Shqipëri. Por kjo çështje, mendoj që sipas zbatimit, do të rregullohet hap pas hapi. E rëndësishme është që ka nisur zbatimi. Vështirësitë janë shumë të mëdha. Unë do të mendoja që AMF ka nxjerrë këtë udhëzim për Bonus-Malus, por në vendin tonë, shumë më i zbatueshëm do të ishte primi, sipas kubikazhit të mjetit sesa Bonus-Malus. Ky i fundit do të paktën tre vite historike të dëmeve.
Këtë pjesën e kubikazhit, ata ia kanë lënë në dorë kompanive, që të ulin ose rrisin çmimet, duke qenë se jemi në një treg të liberalizuar?
Unë mendoj që kubikazhi duhet të ishte me ligj dhe jo në dëshirë të kompanisë. Nëse ti ke një Smart, s’mund të paguash 24 mijë lekë sigurim por do të paguash 7 mijë lekë dhe nëse dikush tjetër ka një Ferrari, duhet të paguajë 60 mijë lekë. De fakto, ky është sistemi bonos-malus. Ti të mos paguash kostot e tjetrit. Më tepër, do të ishte i aplikueshëm sistemi i kubikazhit në ligj dhe jo në dëshirën e kompanisë dhe pastaj për një periudhë 3-vjeçare, të hynte sistemi Bonus-Malus.
Nga ana teknike, a e keni të thjeshtë që ta aplikoni ju kompanitë e sigurimit?
Pa diskutim që është i mundur. Janë të raportuara dëmet, por janë të raportuara dëmet vetëm një vit para. Pra, aplikimi do kohën e vet. Mendoj që edhe AMF, edhe shoqata, edhe kompanitë e sigurimit që janë pjesë e kësaj çështje, duhet që fillimisht të shihnin atë që folëm për kubikazhin e mjetit apo vjetërsinë e lejes së drejtimit, nuk jam për vjetërsinë e mjetit. Një automjet mund të jetë i vitit ‘80 por ecën me 300 km në orë; një automjet tjetër mund të jetë i vitit 2019 dhe ecën me 90 km në orë. Për mua, leja e drejtimit ndikon shumë dhe kubikazhi.
Pastaj, hap pas hapi vjen edhe Bonus-Malus. Një vit vjetërsi nuk është historik, për të zbatuar një sistem të tillë. Sigurisht do të jetë i zbatueshëm, por jo që të më bindë mua nëse bën apo jo dëm ti si individ dhe nëse duhet të të jap një prim më të ulët apo më të lartë. Do të isha dakord edhe me propozimin që të kishte një lloj diferencimi për primet në bazë të zonës që qarkullimit të mjetit, por kjo është tjetër ndarje dhe kërkon më shumë angazhim.
Ka një draft-ligj “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” që ende nuk është miratuar? Ju si e shihni kuadrin ligjor sot lidhur me tregun?
Në kompanitë e sigurimeve nuk ka asnjë reformë ligjore. Ka vetëm një reformë për një makinë që ti del në rrugë, që është sigurimi ndaj palëve të treta te mjetet motorike. Ne sot kemi vetëm sigurimin e TPL-së. Tek kompanitë e sigurimeve nuk duhet vetëm ky lloj sigurimi, ka me dhjetëra aspekte të tjera që duhen plotësuar. Duhet sigurimi i mjekut kur të operon, sigurimi i avokatit, i inxhinierit të lejes së ndërtimit e sa e sa të tjera që do ta ndryshonin situatën e tregut sot.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.