Bankat, tradicionalisht një prej sektorëve më fitimprurës në vend, kanë përmirësuar rezultatin financiar në vitin 2019, pasi viti i mëparshëm nuk kishte qenë shumë pozitiv (2018-a shënoi një proces të rëndësishëm ristrukturimi, çka bëri që numri i tyre të zbresë nga 16 në fillim të 2018-s, në 12 aktualisht, i shoqëruar dhe me pastrim të bilanceve). Niveli i kredive me probleme zbriti në fund të 2019-s në 8.4%, më i ulëti në pothuajse 11 vjet.
Një sistem bankar më i ristrukturuar dhe i pastruar nga kreditë problematike ka rezultuar pozitiv në vitin 2019 për përfitueshmërinë.
Sipas deklarimeve në bilanc, fitimi për 11 banka arriti në 18 miliardë lekë, me rritje prej 48% me bazë vjetore, pasi kishte rënë me 20% vitin e mëparshëm.
Vetëm një bankë rezultoi me humbje në vitin 2019, nga katër vitin e mëparshëm.
Në vlerë absolute, banka me fitimin më të lartë është “BKT”, për vetë madhësinë e saj, me 7.8 miliardë lekë, e ndjekur nga “Raiffeisen”, me 3.6 miliardë lekë dhe “Intesa Sanpaolo Bank Albania”, me 2 miliardë lekë, që u renditën të tria edhe në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve në vend.
“Credins”, është e katërta nga bankat me fitime më të larta, në 2019-n, në 1.2 miliardë lekë, me një rritje prej 78% në krahasim me vitin e kaluar.
“OTP” (ish-Banka Societe Generale Albania) ka përmirësuar dukshëm rezultatin financiar pas ndryshimit të pronësisë nga “Societe Generale” te hungarezët e OTP-së, në mars të vitit të kaluar. Fitimi arriti në gati 1.2 miliardë lekë, pas humbjeve prej 600 milionë lekësh vitin e kaluar.
“Banka Amerikane e Investimeve” vijoi me ecurinë pozitive, me fitimet që u rritën me 41%, në 906 milionë lekë, sipas burimeve nga banka. Në vitin 2018, “ABI Bank” përthithi grekët e NBG.
“Union Bank” kishte gjithashtu një vit pozitiv. Fitimet para taksave u rritën me 13%, në 818 milionë lekë.
“Tirana Bank” që në 2019-n kaloi në pronësi të grupit “Balfin” dhe “Komercijalna Banka” të Maqedonisë nga grekët e Bankës së Pireut, ka përmirësuar dukshëm rezultatin pas ndryshimit të aksionerëve. Banka raportoi 634 milionë lekë fitime në vitin 2019, nga humbjet prej 1.6 miliardë lekësh të vitit të kaluar.
“Viti 2019, një vit shumë i rëndësishëm për Tirana Bank, shënoi një rikthim të trendit të rritjes dhe të performancës pozitive të indikatorëve kryesore financiarë të Bankës, në përputhje me vizionin e qartë dhe orientimet e aksionerëve të rinj për zgjerimin e aktivitetit”, pohon Z. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank. “Përfundimi me sukses i tranzicionit, referuar ndryshimit të strukturës aksionere, u shoqërua me sipërmarrjen e një procesi transformimi, aktualisht në fazë të rëndësishme të realizimit, në drejtim të modernizimit të infrastrukturës operacionale dhe të sistemeve të teknologjisë së informacionit”, pohon z.Mustafa.
Ai shton se Banka ka një rikthim në rezultate financiare pozitive, me një fitim neto afërsisht Euro 3.5 milionë ekuivalent. Depozitat e klientëve u rritën me 11% në bazë vjetore (përkundrejt një rritje të vogël të sistemit bankar në tërësi), duke rikonfirmuar besimin e klientëve dhe reputacionin e mirë që Tirana Bank gëzon në treg. Portofoli i kredisë akorduar klientëve (individë dhe biznese) u rrit në nivelin 50% me bazë vjetore (përkundrejt një rritje të vogël të sistemit bankar në tërësi), duke shfrytëzuar situatën shumë pozitive të likuiditetit të Bankës.
“Banka e Parë e Investimeve”, ndonëse e vogël për nga madhësia, ka një normë të lartë fitimi prej 34%, apo 572 milionë lekë në vlerë absolute.
“Alpha Bank”, pas disa vitesh me humbje në 2019-n, shënoi një fitim prej 138 milionë lekësh, nga 910 milionë lekë humbje një vit më parë.
“ProCredit” është e vetmja bankë me humbje në vitin 2019 (-800 mln lekë).
“Banka e Bashkuar e Shqipërisë”, e 12-a, është e vogël në madhësi, me më pak se 1% të totalit të aktiveve, me një rezultat financiar minimal.
Normat e fitimit në sistem për vitin 2019 u luhatën nga 5% në 34%.
Për bankat, fitimet shënojnë luhatje të mëdha nga njëri vit në tjetrin, të ndikuara nga shpenzimet për provigjionime që lihen mënjanë për kreditë e këqija.
Në shumicën e rasteve, profitabiliteti i sistemit është ndikuar nga provigjionimet si në rastet pozitive (profitabilitet i lartë për rimarrje të provigjioneve) apo ato negative (profitabilitet i ulët apo edhe humbje, për arsye të provigjioneve të larta për kreditë me probleme – NPL).
Pasojat e COVID-19 do të ndihen në 2021
Për 6-mujorin e parë 2020, fitimi i sistemit bankar, sipas standardeve ndërkombëtare, IFRS, ishte 7.2 miliardë lekë, me një tkurrje prej 22% në krahasim me janar-qershor të vitit 2019.
Pas shpërthimit të COVID-19 dhe pasojave të forta që la ai në ekonomi, bankat morën një periudhë qetësie, si rrjedhojë e shtyrjes së pagesave të kësteve të kredive për 6 muaj (deri në gusht 2020). Vetëm pas gushtit, kur mbaron shtyrja e kredive, do të fillojnë të duken pasojat që kriza do të japë tek kreditë me probleme dhe fitimet e bankave. Efektet e plota do të reflektohen nga dhjetori dhe vitin e ardhshëm, kur të fillojnë provigjionimet e kredive të shtyra.
“Pandemia, nuk është vetëm shpërndarja e sëmundjes në mënyrë të shpejtë, por mund edhe të krijojë një efekt domino në ekonomi. Ajo ka ndikuar shëndetin e disa kompanive, mund të rrisë riskun e NPL-ve në sektorin bankar dhe mund të krijojë presion mbi likuiditetin e bankave dhe do të prekë edhe ‘oreksin’ e riskut në sistemin bankar”, pohon Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues i Bankës Kombëtare Tregtare.
“Për shkak të mbylljes, shumë industri kanë humbur të ardhurat, edhe pse shumica e kostove të tyre ka vazhduar. Duke qenë se volumi i biznesit ka rënë si në vend, edhe në botë, është vënë re një rënie e konsiderueshme e volumeve të biznesit në banking”, shton ai.
Rritja e fortë e fitimeve të mikrofinancës
Mikrofinanca po gjen gjithnjë e më shumë terren vitet e fundit. Operatorë që veprojnë në këtë segment dhe premtojnë hua në shuma të vogla, që merren shpejt dhe pa shumë dokumente, po shtohen ndjeshëm së fundmi. Mikrofinanca ka interesa të larta, për shkak të kostove të shtuara administrative dhe riskut të lartë dhe si rrjedhojë, po gjeneron norma të kënaqshme fitimi.
“IuteCredit Albania” ka shënuar në 2019-n, fitime 566 milionë lekë, me dyfishim nga viti i mëparshëm dhe me një normë prej 35%, duke u ngjitur ndjeshëm në vendin e 40 në renditjen “Monitor 200, sipas fitimeve”, nga pozicioni i 76 një vit më parë.
Rritje të fortë me 55% të fitimeve raportoi dhe “NOA”. Fitimet e operatorit që vepron në tregun e mikrofinancës arritën në 326 milionë lekë, me një normë prej 24.5%.
“Fondi Besa”, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc) kishte fitime rreth 760 milionë lekë, me një normë prej 26%.
PAK FITIME PËR SIGURIMET
Ndërsa bankat raportojnë norma të larta fitimi, që arrijnë deri në 34%, në segmentin tjetër financiar, atë të sigurimeve, panorama nuk është kaq pozitive. Fitimet e shoqërive të sigurimit mbeten relativisht të ulëta, me norma kthimi njëshifrore, duke u luhatur mes 4 dhe 8%. Fitimet e tyre janë të lidhura dukshëm me ecurinë e pagimit të dëmeve, në varësi të aksidenteve të ndodhura dhe të provigjionimeve për dëmet e pagueshme. Avni Ponari, administrator i “Sigan Uniqa Group Austria”, pohon se shpenzimet e kompanive të sigurimeve janë shumë të mëdha, sepse produkti themelor për to është TPL (sigurimi i detyrueshëm për automjetet) pasi ajo mbulon gjithçka.
“Sigan Uniqa Group Austria”, kompania më e madhe në tregun e sigurimeve, raportoi fitime prej 163 milionë lekësh, në rënie me 20%, si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve me ritme më të larta se të ardhurat. Norma e fitimit është rreth 3.8%.
“Albsig”, ka kaluar në vitin 2019, si kompania e dytë me fitime më të larta, pas rritjes së rezultatit financiar me gati 34%, në 190 milionë lekë. Norma e përfitueshmërisë ishte më e larta e sektorit, me 8.1%
Pas rënies së fitimeve me 68% në 2018-n, “Eurosig” ka përmirësuar treguesit financiarë në vitin 2019. Fitimet u rritën me 86% në 167 milionë lekë, me një normë kthimi prej 7.2%.
“Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group” raportoi fitime prej 112 milionë lekësh, me një normë prej 5%.
Pasojat e tërmetit dhe COVID-19
Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë vitit 2019, tregu i sigurimeve ka pasur rritje prej 4.1% dhe volumi i primeve të shkruara bruto arriti në rreth 17.6 miliardë lekë. Rreth 93% e tregut përbëhet nga jo-jeta, ku sigurimet e detyrueshme zënë pjesën kryesore, me rreth 68% të primeve totale të jo-jetës.
Pavarësisht tërmetit të 26 nëntorit, dëmet e paguara u ulën me 8.5% në 2019-n, por detyrimet pritet të reflektohen gjatë 2020-s. Tregu është goditur dhe nga pandemia, me interesin për sigurime, përveç atyre për dëmet në pronë, që vlerësohet të jenë zbehur.
Në janar – gusht 2020, tregu i sigurimeve ka pasur një ulje prej 6.48% për primet e arkëtuara, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ndikuara nga rënia e sigurimit të detyrueshëm për automjetet, që përbën dhe pjesën kryesore të tregut. Në termat e numrit të kontratave, tkurrja ka qenë edhe më e fortë, me rreth -30.5%.
Në të kundërt, dëmet e paguara janë rritur me 31%, si rrjedhojë e dëmshpërblimeve të tërmetit.
Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i SIGMA Interalbanian – Vienna Insurance Group, thotë se ngjarjet e tërmeteve të shtatorit dhe 26 nëntorit shërbyen që të testoheshin jo vetëm kapacitetet financiare, por edhe ato njerëzore të kompanive të sigurimit. Ai shton se pandemia ka sjellë një sfidë tjetër për sektorin, teksa ka ndikuar në uljen e primeve, si nga kufizimi i lëvizjeve, ashtu dhe rënia e aftësisë paguese të klientëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.