Në gjashtë muajt e parë të vitit 2015, numri i turistëve në mbarë botën u rrit me 4%, edhe pse siguria ishte e cenuar në disa destinacione të Afrikës. Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Turizmit, Mesdheu po kthehet në një rajon tejet tërheqës për turistët ndërkombëtarë
Për Organizatën Botërore të Turizmit, industria po zhvillohet sipas trendit që ishte parashikuarpa shumë surpriza. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 4%. Destinacionet anembanë botës pritën 538 milionëturistë ndërkombëtarë për periudhën janar–qershor 2015 ose 21 milionë turistë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Europa, Azia, Paqësori dhe Lindja e Mesme regjistruan rritje prej 5% të turistëve të huaj, ndërsa në kontinentin amerikan kjo shifër ishte 4%. Rajoni që shënoi rënie të numrit të turistëve të huaj ishte Afrika, me rreth 6%. Referuar të dhënave të OBT-së, në nivel nënrajoni Karaibet dhe Oqeania patën rritje me 7%, ndërsa Europa Qendrore dhe Lindore me 6%. Sikundër shihet nga kjo panoramë e përgjithshme, industria e turizmit ka pasur zhvillime që ndryshojnë nga rajoni në rajon. Siguria (në disa rajone e cenuar) ka ndikuar në këto shifra, shoqëruar edhe nga luhatjet ekonomike, me më shumë kontraste në vendet në zhvillim. Nga ana tjetër, kërkesa e turizmit është ndikuar si nga çmimet e ulëta të naftës, ashtu dhe nga këmbimet monetare.
“Këto rezultate tregojnë se, pavarësisht luhatjeve që ka pësuar ekonomia botërore, turizmi ka arritur të ruajë për një periudhë pesëvjeçare performancë pozitive. Kjo ka kontribuar në shtimin e vendeve të punës dhe në përmirësimin e skenarëve ekonomikë”, tha sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit,Taleb Rifai, në asamblenë e përgjithshme që u mbajt nëKolumni (Medlin). Ai u bëri thirrje qeverive që të mbështesin sektorin e turizmit, pasi ka gjithë mundësitëpër të gjeneruar më shumë të ardhura, vende pune dhe përmirësim social.
Parashikimet e OBT-së për të gjithë vitin janë për rritje 3-4%, ndërsa deri në 2020, kjo shifër llogaritet në 3.8%.
Europa, më e vizituara
Kontinenti i Vjetër mbetet destinacioni më i preferuar i turistëve ndërkombëtarë. Numri i tyre u rrit me 5% në gjashtëmujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014-s. Kjo erdhi kryesisht nga dobësimi i monedhës së përbashkët. Rritja u kryesua nga rajoni i Europës Qendrore dhe Lindore (përkatësisht me 6%), ndërsa Europa Veriore dhe ajo Jugore shënuan rritje me 5%, e njëjtë si mesatarja botërore. Sa i përket Azisë dhe Paqësorit, të dy këto rajone u vizituan nga 5% më shumë turistë ndërkombëtarë në periudhën janar – qershor 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dallim këtu bën Oqeania, ku rritja ishte 7%. Destinacionet në Azinë Verilindore dhe në atë Juglindore raportuan të dhëna të ndryshime. Rritjen më të fortë e shënoi Japonia me 47% dhe Tajlanda me 30%.Azia Jugore, sipas të dhënave të OBT-së,shënoi rritje modeste (4%), pas asaj me dy shifra për periudhën 2013-2014.
Në kontinentin amerikan, numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 4% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2015. Të katër nënrajonet konsoliduan rezultate të forta pozitive. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dollari i fortë ndikoi në rritjen e kërkesës për turizëm. Karaibet regjistruan rritje me 7% në periudhën janar–qershor 2015, kurse Amerika Qendrore 6%.
Sa i përket Amerikës Veriore (rritja 3%), rajonet që shënuan numrin më të madh të turistëve ndërkombëtarëishin Kanadaja dhe Meksika (përkatësisht 8%). Pjesa më e madhe e destinacioneve turistike të Amerikës Jugore llogaritën rritje 4%, ku kryeson Brazili.
Ndërsa kontinenti i Afrikës gjatë pjesës së parë të këtij viti njohu trend rënës të numrit të turistëve të huaj, për shkak të mungesës sësigurisë, me rreth 6%. Më e fortë rënia ishte në Afrikën e Jugut (10%), ndërsa Afrika Subsahariane ishte 4%.
Sulmet terroriste, si dhe rastet me Ebola, ishin faktorët kryesorë që ndikuan në performancën e industrisë, por edhe në tërësi në ekonomi, e cila varet kryesisht nga eksporti i naftës dhe i lëndëve të tjera të para.
Në Lindjen e Mesme, numri i turistëve ndërkombëtarëu rrit me 5% duke konsoliduar ecurinë e ndjekur që në vitin 2014.
Shpenzimet, një panoramë krejt tjetër
Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Turizmit, krejt e ndryshme ka qenë performanca e shpenzimeve. Tregjet, si Kina dhe India njohën rritje me dy shifra, ndërsa Federata Ruse dhe Brazili reflektuan shpenzime të ulëta për shkak të ritmeve modeste të rritjes së ekonomisë, si dhe zhvlerësimit të rublës në krahasim me dollarin dhe euron.
Ndërsa tregjet tradicionale të ekonomive të zhvilluara njohën kërkesë në rritje nga SHBA-ja, Franca, Suedia dhe Spanja, ndërsa më e dobët kërkesa u llogarit nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Kanadaja.
“Sytë” nga Mesdheu…dhe nga Shqipëria
Të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit tregojnë se gjithnjë e më shumë investimet po orientohen nga rajoni i Mesdheut. Të paktën 1 në3 zgjedh të vizitojë Mesdheun, ndërsa rreth 90% e turistëve nga Mbretëria e Bashkuar zgjedhin të pushojnë në Europë, shifër kjo më larta në dhjetë vitet e fundit. Turistët në rajonin e Mesdheut parashikohet që të shpenzojnë rreth 500 milionë dollarë deri në vitin 2030.
Rëra e butë dhe e hollë, ujërat e pastra dhe peizazhet që të lënë pa frymë e bëjnë këtë rajon një nga më të preferuarit. Të dhënat e OBT-së tregojnë se ky rajon është kthyer në një destinacion të preferuar për investitorët e huaj, por edhe për ata që duan të kenë një shtëpi të dytë në pronësi, që mund të shërbejë për të kaluar pushimet ose si burim të ardhurash nga qiratë. Pothuaj të gjitha destinacionet e Mesdheut konsiderohen si mundësi të mira për investim: Italia ofron zgjedhje nga më të ndryshmet, ndërsa Spanja dhe Qiproja janë destinacione që preferohen nga pensionistët për të kaluar pjesën e mbetur të jetës.
Shqipëria konsiderohet si një vend me potencial të pashfrytëzuar e që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje. Në Shqipëri, turizmi kontribuon në masën 4.8% të PBB-së, ndërsa në Kroaci, kjo shifër llogaritet në20%. Për qeverinë shqiptare parashikimet janë që kjo shifër të shkojë në 6.5% në vitet e ardhshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.