Më 25 korrik të vitit të kaluar, Sergio Marchionne u nda nga jeta. Megjithatë, epoka e tij ishte mbyllur që katër ditë më parë, më 21 korrik, kur u emërua drejtuesi i ri i Fiat Chrysler.
Marchionne ishte njeriu i cili rimëkëmbi Fiat-in. Por edhe i vetmi italian në vitet e fundit, mendimi i të cilit është studiuar po aq sa ai i guruve të mëdhenj amerikanë të strategjisë dhe menaxhimit të biznesit, aq sa është bërë protagonist i librave të shumtë që janë përpjekur të sintetizojnë modelin e Marchionne-s. (prej të cilëve janë shkëputur edhe citimet në këtë artikull).
Fjalët e Marchionne-s janë udhëzuesi më i mirë për të kuptuar rrjedhën revolucionare të mendimit të tij për Fiat dhe ndoshta, për një pjesë të vendit. Që në fillim, Marchionne nuk lë asnjë dyshim: “Fiat do t’ia dalë mbanë. Koncepti i ekipit është baza mbi të cilën do të krijoj kompaninë e re. Unë premtoj se do të punoj fort, pa polemika dhe interesa politike”.
“Më kujtohen 60 ditët e para pasi kisha ardhur këtu, – tha ai disa vite më vonë. – Vizitova të gjitha fabrikat dhe më pas, kur u ktheva në Torino, të shtunën e të dielën, shkova në Mirafiori, vetëm, për të parë dushet, dhomat e zhveshjes, mensën, tualetet. Ndryshova gjithçka: si mund t’u kërkoj punëtorëve një produkt cilësor dhe ata të jetojnë në një fabrikë me kushte të mjerueshme?”
Aftësitë negociuese të drejtuesit italo-kanadez shfaqen, me gjithë fuqinë e tyre, me shpërbërjen e aleancës me General Motors. Një kryevepër. Për t’ia dalë mbanë që familja Angelli të hiqte dorë nga ushtrimi i “put option”, që do t’i lejonte shitjen e grupit General Motors, shtëpia amerikane disbursoi 1,55 mld. Për të cilat, në atë moment, grupi i Fiat kishte shumë nevojë.
Në tryezën me negociatorët, duke shpjeguar strategjinë e tij, Marchionne tha: “Kur dikush ngrihet, sjellja e tij është shumë e rëndësishme. Duhet të ngriheni nga tavolina duke u mëshuar çështjeve kyçe, por duke u lënë të nënkuptoni të tjerëve që në fund do të uleni sërish në bisedime. Ju duhet të ngriheni me qetësi, edhe pse jeni i zemëruar”.
Në vitin 2005 u arrit edhe marrëveshja me bankat në konvertimin e 3 mld eurove dhe prezantimin e Grande Punto. Dhe pikërisht në këtë vit, grupi regjistron, për herë të parë pas pesë vitesh, fitim. Por për Marchionne-n nuk ishte e mjaftueshme;
“Nuk mund të themi kurrë, gjërat shkojnë mirë. Në vend të saj: gjërat nuk shkojnë keq. Duhet të jemi paranojakë. Rrugëtimi është i vështirë. Ne jemi të mbijetuar dhe nderi i të mbijetuarve është që të mbijetojnë”.
Me krizën e vitit 2008, ndërkohë që e gjithë bota automobilistike ecën në errësirë, Marchionne kupton se është momenti i duhur për të zgjeruar grupin.
Në 2009 blen 20% të aksioneve të Chrysleer (e cila kishte falimentuar një vit më parë), një kuotë e cila u rrit në 53,5% në vitin 2011 dhe 100% në vitin 2014 falë marrëveshjeve të njëpasnjëshme që Marchionne nënshkruan personalisht me sindikatat e punëtorëve dhe qeverinë amerikane.
Më vonë do të shënojë suksese të tjera si kuotimi në Bursë i Ferrarit dhe Cnh.
“Dua të tregohem i sinqertë – nuk arrij ta shoh të ardhmen time pas Fiat. Nuk është kompania e parë që i kam rikthyer suksesin, por padyshim, është ajo që më jep mundësitë të shfaq gjithë aftësitë e mia. Druaj se nuk kam brenda vetes energjinë për një cikël të ri me këtë intensitet”. Një “rilindje”, që sipas llogaritjeve të “Il Sole 24” ore, për aksionerët e Fiat në fillim të epokës së Marchionne arriti një rivlerësim të aksioneve me 1.000%.
Thëniet e Marchionnes mbi leadershipin dhe menaxhimin
-Leadership nuk është anarki. Në një kompani të madhe, ai që drejton është i vetëm. “Collective guilt”, përgjegjësia e përbashkët, nuk ekziston.
-Liderët, liderët e mëdhenj, janë njerëz me aftësi fenomenale për të krijuar dhe për të rikrijuar marrëdhënie bashkëpunuese brenda ekipit të tyre.
-Jini si kopshtarët, investoni energjitë dhe dhuntitë tuaja në mënyrë që çfarëdo gjëje që të bëni të zgjasë një jetë të tërë, apo edhe më shumë
-E drejta për të drejtuar një kompani është një privilegj dhe si e tillë u jepet vetëm atyre që kanë shfaqur apo shfaqin potencialin për të qenë udhëheqës, të cilët japin rezultate konkrete të ecurisë së biznesit.
-Karizma nuk është gjithçka. Ashtu si bukuria e femrave, nuk mjafton në një afat të gjatë.
-Nga të gjitha përvojat e mia si CEO në dhjetë vitet e mia të fundit kam kuptuar se kultura e kompanisë nuk është vetëm një element i lojës, por vetë loja. Kompanitë, në thelb, nuk janë gjë tjetër veçse një tërësi e vullnetit kolektiv dhe aspiratave të personave të përfshirë.
-Nëse kam një metodë ajo frymëzohet nga fleksibiliteti i egër me një karakteristikë të vetme, e destinuar për konkurrencën: t’u përgjigjet nevojave të tregut. Nëse ky rregull nuk funksionon, është një metodë që nuk ia vlen ta merrni përsipër.
-Nuk i besoj aspak rregullit që të rinjtë janë më të zotët. Përkundrazi. Mendoj se duhet t’u njihet merita njerëzve të çfarëdo moshe, 30 apo 60 vjeç qofshin.
-Bashkëpunëtorëve të mi, grupit të njerëzve që po punojnë për t’i rikthyer Fiat-it lavdinë, u këshilloj gjithnjë të mos ndjekin linja të parashikueshme, pasi në fund të parashikueshmërisë do të vijnë në mënyrë të parashikueshme edhe konkurrentët. Dhe ndoshta, do të arrijnë më parë se ne.
Burimi: Forbes.it