Një vit më parë, Shqipëria u godit nga një fatkeqësi natyrore me pasoja shkatërruese dhe fatale në humbjet e jetëve. Tërmeti, duke u gdhirë 26 nëntori, që në fakt ishte goditja e dytë pas atij të 21 shtatorit, shkaktoi 51 viktima dhe dëme që u llogaritën në mbi 1 miliard euro, ose rreth 7-8% e asaj që prodhon ekonomia në një vit.
Ishte një tërmet, që në më pak se një minutë, nxori zbuluar atë që është bërë gabim në këto tri dekadat e fundit. Sidomos në qytetin bregdetar u pa qartë se, ndërtimet pa kriter e pa cilësi, u kthyen në një bumerang të vërtetë (ndërtesat e reja të pas ’90-s pësuan shumë më tepër dëme sesa ato të para ’90). Ekspertët nxorën në pah faktin se, qyteti bregdetar nuk ishte i përshtatshëm për struktura të tilla të larta, përveç faktit se ndërtimet ishin jocilësore. Pra ishte dora e njeriut dhe jo natyra, pse humbjet e jetëve ishin të larta. Ndonëse nuk ishte më i forti, tërmeti i 26 nëntorit renditet si më vdekjeprurësi në botë për atë vit, sipas renditjeve ndërkombëtare.
Menaxhimi i situatës ishte një tjetër mangësi e dukshme në atë kohë. Strukturat e emergjencës civile, që ishin në fazë riorganizimi në atë kohë vuajtën nga koordinimi i dobët, mungesa e informacionit, logjistikës, fondeve dhe kapaciteteve për të ndërhyrë.
Rindërtimi ishte sfida tjetër e madhe, me një buxhet që ishte dhe para tërmetit i dobët dhe borxhin publik që nuk kishte arritur të ulej në vite të mira, duke i dhënë pak mundësi shtetit për ndërhyrje dhe duke u varur nga fondet e donatorëve. Kriza që shkaktoi në ekonomi Covid-19, veçse e rëndoi më tej situatën.
Sot, kur ka kaluar një vit nga fatkeqësia, shohim se shumë pak është reflektuar. Procesi i rindërtimit ka ecur shumë ngadalë. Ky vit i ri sërish do të gjejë mijëra banorë, duke futur kokën në shtëpitë e shkatërruara, ose më keq, në çadra e kontejnerë. Covid-19 dhe vonesa e fondeve nga donatorët janë justifikimi. I vetmi proces që ka ecur me ritme të shpejta është disbursimi i fondeve për dëmet e shkaktuara, të vlerësuara sipas shkallës së lehtë e mesatare të dëmtimit, DS1-DS3.
Por, teksa riparimet po bëhen nga vetë banorët, po ngrihen pikëpyetje të shumta, së pari mbi vlerësimin e këtyre banesave (shumë prej tyre po rezultojnë më të dëmtuara se në raportet fillestare) dhe, së dyti, mbi certifikimin e sigurisë së këtyre riparimeve. Po konstatohen shumë raste kur të çarat e tërmetit po mbushen vetëm me shkumë, duke mbuluar në dukje dëmet, që mund të jenë shumë të thella. Por kjo ka qenë zgjidhja e vetme për banorët të cilët, për gati një vit, u detyruan të jetonin me frikë në banesat e dëmtuara.
Nuk kemi parë të dënohet asnjë përgjegjës për ato qindra pallate të reja, që pësuan dëme të mëdha, jo vetëm prej tërmetit, por edhe cilësisë së dobët të ndërtimeve. Përkundrazi, së fundi ka filluar dhënia e lejeve të ndërtimit në qytetin bregdetar, sërish me kate të larta dhe për më tepër, po të njëjtave shoqëri që ishin përgjegjëse për disa pallate, të cilat u shembën për shkak të cilësisë së dobët.
Shumë këshilla u dhanë nga ekspertët e fushës në atë kohë, kur të gjithë po reflektonin. Një skemë sigurimi nga fatkeqësitë u pa e domosdoshme, në mënyrë që barra të mos binte as mbi shtetin dhe as mbi individin. Ndonëse ka disa drafte për këtë, ende nuk është vendosur asgjë. Ekspertët rekomanduan hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë, për të cilën nuk kemi dëgjuar më të flitet. Shqipëria, ndoshta është ndër të vetmet vende me rrezikun më të lartë nga fatkeqësitë natyrore në Europë, por nuk ka një strategji kombëtare për këtë qëllim të përditësuar dhe me plan veprimi.
Nuk është krijuar asnjë sistem dixhital i monitorimit dhe lajmërimit në kohë reale të fatkeqësive. Kalimi nga Qendra e Emergjencave Civile në Komitetin e Mbrojtjes Civile zgjati gati një vit dhe vetëm së fundmi është miratuar një vendim që qartëson kompetencat e drejtimit.
Në thelb, gjërat kanë ndryshuar pak ose aspak. Si gjithnjë kujtohemi të reagojmë, atëherë kur na bie çatia mbi kokë dhe harrojmë sapo kalojnë pak ditë. Ajo që mbetet të shpresojmë është që një fatkeqësi e përmasave të tilla të mos ndodhë më, përndryshe pasojat do të ishin të paimagjinueshme!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.