Sektori i hotelerisë dhe turizmit kanë pësuar humbje deri në 90 për qind për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Vetëm tre milionë euro iu ofruan këtyre sektorëve, të cilët përfshijnë 20 mijë biznese. Tash e një vit në Kosovë nuk ka pasur dasma, ende nuk dihet se kur do të hapen sallat.
Oda e Hoterierisë dhe Turizmit të Kosovës ka kërkuar që të zyrtarizohet vendimi për hapjen e sallave të ahengjeve të ndryshme.
Ata duan të dinë arsyen se pse ky vendim ende nuk është zyrtarizuar dhe nuk po kumtohet në publik.
Kjo odë e quan absurd dhe të papranueshëm këtë moszyrtarizim, pasi që rastet me COVID tani janë në numër të vogël.
“Ndërsa sot jemi me datë 21 dhe akoma nuk e kemi parë të zyrtarizuar një vendim të tillë! Neve si përfaqësues të bizneseve të të gjitha llojeve, nga ministria e Shëndetësisë disa herë na është kërkuar që t’u japim kohë për të hulumtuar mirë terrenin në mënyrë që të evidentohen në mënyrë sa më të sigurtë rastet me Covid-19, dhe sigurisht që për të mirën tonë dhe të qytetarëve kemi gjetur forma që t’i bindim edhe bizneset që të kenë durim. Dhe si rezultat i këtij durimi, na është thënë që pas datës 15 Qershor nuk do të kemi më probleme/mosmarrëveshje, sepse do të fillojë puna për të gjithë, sipas manualeve të realizuara bashkarisht. Është më se e ditur se edhe data 15 Qershor ka qenë shumë vonë për t’u hapur këto sektorë, sepse veçse do të duhej të fillonin punën shumë më parë që ta shfrytëzonin këtë kohë të frytshme për të ngritur paksa gjendjen Ekonomike, mirëpo tani jemi në një gjendje ku as me 15 Qershor nuk kanë filluar punën numër i madh i bizneseve”.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit thekson në një njoftim për media se pa marrë parasysh të gjithave do t’i përkrahë bizneset dhe do të jetë zëri i tyre.
“Është absurde dhe e papranueshme në qoftë se sa më parë nuk zyrtarizohet vendimi për hapje sepse punën në terren jemi duke e parë dhe duke e hulumtuar, kështuqë meqenëse rastet me Covid janë fare pak, dhe popullata ka filluar vaksinimin, atëherë nuk ka mbet asgjë tjetër përpos kthimit të normalitetit, gjithmonë me kujdes të shtuar dhe respektim të manualeve”.
Pandemia preku hotelet dhe turizmin
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka thënë se ky sektor është njëri nga më të goditurit në Kosovë si pasojë e pandemisë COVID-19.
Sogojeva ka deklaruar se rreth 17 mijë punëtorë të kësaj fushe e kanë humbur punën që nga mbyllja e parë e vendit si shkak i koronavirusit.
“Në kohën e sezonës së verës kur është numri i personave që e kanë humbur punën shkon dikur rreth 30 mijë. Nëse e llogarisim me përqindje 70 për qind ishim të prekur, kështu numri i punëtorëve të papunë shkon në 50 deri 60 për qind. Prandaj, fati e ka dashtë që kemi filluar ta marrim veten me masat e reja që janë vendosur. Afër një miliard kemi humbje në këtë sektor, nuk them që ATK-ja po humb, unë them në qarkullim e kemi këtë shifër të humbjes. Këtu lidhen të gjitha, janë të degëzuara, ushqimi, shërbimet, pijet, qytetarët në sallone, etj. Krejt kjo veprimtari afër një miliard euro ka humbje, ato janë pare, aty derdhen pare”, ka thënë Sogojeva.
Sogojeva ka thënë se edhe turizmi në Kosovë është goditur sikurse sferat të tjera.
Ai ka folur për lejimin e mbajtjes së dasmave në Kosovë nga 15 qershori, duke thënë se lejohet përdorimi i 30 për qind të sallës ku mbahet dasma.
Lexo edhe këtë: Mbi 55% e bizneseve në Kosovë ndaluan plotësisht punën gjatë pandemisë
“Duke respektuar manualin që është në 10 metra katror lejohen pesë persona, nëse e llogarisim në 100 metra katror dalin 50 veta. Kur salla i ka 1000 deri 1200 metra dalin diku gati 200 persona që lejohen në sallë”.
Sogojeva ka thënë se në takimin e fundit të OHT-së me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, janë realizuar 95 për qind e kërkesave të tyre.
Edhe kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, ditë me parë ka treguar se gjatë pandemisë kanë pësuar humbje të mëdha dhe shuma e ndarë buxhetore për këtë sektor në pakon e rimëkëmbjes ka qenë shumë e vogël.
“Ne si Union i Turizmit të Kosovës kemi kuptuar që diku kemi vlera 90% sektorë të cilët janë dëmtuar. Sektori i akomodimit, ai i hotelerisë ka një dëmtim gati 90 për qind, pastaj pjesa e guidave turistike, të cilat nuk kanë punuar fare dhe faktikisht nuk janë mbështet nga institucionet, jo vetëm por i gjithë sektori i agjencioneve turistike. Këta operatorë, sektori i agjencioneve transportuese dhe sektori i gastronomisë që sadopak ka punuar edhe pse ka pasur kufizime të jashtëzakonshme… Në pakon për rimëkëmbje të sektorit, sektorit të turizmit iu ka ofruar tre milionë euro, një mbështetje ku janë përfshirë diku rreth 20 mijë biznese që kanë qenë edhe pjesa e sallave të dasmave, pjesa e pishinave dhe e përpjesëtojmë atë, i ka ra diku rreth 120-130 euro për çdo biznes që t’ia japim dhe ka qenë e papranueshme nga ana jonë”.
Shteti nuk ka arritur t’i ndihmoj bizneset
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka treguar se Kosova nuk ka arritur që të ndihmojë bizneset për të rikuperuar humbjet ekonomike, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor siç janë Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Sipas tij, pakoja emergjente ka përmbushur rolin e saj, por tashmë vendi ndodhet në një situatë tjetër dhe kërkesat e bizneseve kanë ndryshuar.
“Tashmë kanë ndërruar edhe nevojat e bizneseve. Nuk është se ka kërkesa nga të gjithë sektorët për ndihmë të drejtpërdrejtë financiare. Më shumë tashmë duhet të fokusohet tek ata sektorë që mund të kenë një potencialë të rritjes, siç është rasti me sektorët apo kompanitë që kanë potencialë për eksport. Ka shumë kërkesa për shkathtësitë e fuqisë punëtore dhe kërkesa për projekte në fushën e efiçiencës së energjisë dhe digjitalizimit”.
Lexo edhe këtë: Qeveria e Kosovës paralajmëron paketë të re për rimëkëmbje ekonomike
Në pakon e re të rimëkëmbjes që po hartohet nga Qeveria, UTK në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësise (MINT) kanë propozuar që të mos ndahen mjete buxhetore për bizneset e këtyre sektorëve, por të investohen në zhvillimin e turizmit dhe sjelljen e turistëve në vendin tonë.
Ndryshe, sektori i turizmit është ndikuar rënd në kohën e pandemisë COVID-19, me një rënie të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë rreth 70 për qind dhe rënie të të hyrave nga ky sektor mbi 90 për qind. Sektori i guidave është sektori më i prekur me 82. 71 për qind në pandemi, pasuar nga sektori i akomodimit me 74.84 për qind, pastaj sektori i transportit ajror dhe rrugor me 71.26 për qind.
Sektori i agjencive turistike po ashtu ka shënuar rënie 66 për qind dhe gastronomia 55.53 për qind.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka ndihmuar bizneset me një pako emergjente fiskale në vlerë prej 180 milionë eurosh. Kjo pako u prezantua menjëherë pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus dhe masave të izolimit.
Kurse në fund të vitit 2020, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, që arrinte vlerën e 222 milionë eurove. Ky ligj ka për qëllim sjelljen e favoreve për bizneset dhe lehtësimin e gjendjes financiare pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.