Një vit pandemi, nga vendet më të prekur te shpërndarja e vaksinave

11/03/2021 3:25 PM 0 komente

Një vit më parë si sot, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli COVID-19 një pandemi, pasi u konfirmuan 121,500 raste me virus në të gjithë botën.

Kjo shifër është rritur me gati një mijë herë në vetëm 365 ditë pasi virusi është përhapur në të gjithë vendet dhe kontinentet. Deri më tani, ka pasur më shumë se 117.4 milion raste të konfirmuara të COVID-19 në të gjithë rruzullin tokësor.

Jeta normale është ndalur dhe miliona kanë vdekur. Më shumë se 2.6 milionë persona kanë humbur jetën.

Gjithsej 221 vende dhe territore janë prekur. Rreth 12 nga 14 vendet dhe territoret që nuk kanë raportuar asnjë rast janë ishuj të vegjël të Paqësorit ose Atlantikut.

Cili vend ka normën më të keqe të koronavirusit?

-SHBA aktualisht ka një normë prej 161.5 vdekje për 100 mijë banorë, sipas Universitetit Johns Hopkins i cili ka ndjekur shpërthimin e virusit.

-Amerika e Jugut gjithashtu është prekur keq gjatë pandemisë – me Meksikën me 152 vdekje për 100 mijë njerëz dhe Brazilin që ka një normë prej 128,1 vdekjeve për 100 mijë banorë.

-Peruja ka një normë 150.6 vdekje, ndërsa Argjentina ka 119.7 vdekje për 100 mijë banorë.

-Europa gjithashtu është prekur keq nga koronavirusi, me Mbretërinë e Bashkuar që ka 188.3 vdekje për 100 mijë banorë, Italia 166.6 dhe Republika Çeke me normën më të lartë në botë prej 210,7 për 100,000 njerëz.

-Ndërkohë, Kina ku filloi pandemia thuhet të ketë 0.3 vdekje për 100 mijë banorë.

Si është rritur numri global i të vdekurve?

Numri global i të vdekurve është përshkallëzuar me shpejtësi gjatë vitit të kaluar me 2,610,184 njerëz që kanë humbur jetën, sipas të dhënave të 9 marsit, krahasuar me 3,993 vdekje që ishin regjistruar në të njëjtën datë një vit më parë.

Cilat vende kanë numrin më të lartë të rasteve dhe vdekjeve?

-SHBA kanë regjistruar më shumë vdekje, 528,287, sipas Universitetit Johns Hopkins. Ajo gjithashtu ka regjistruar mbi 29 milionë të infektuar.

-Brazili renditet i dyti, me mbi 268 mijë vdekje e mbi 11 milionë raste pozitive.

-Meksika ka numrin e tretë më të lartë të vdekjeve me 191.789 viktima, dhe numrin e trembëdhjetë më të lartë të rasteve, me 2,137,884 të infektuar.

-Në vend të katërt renditet India me mbi 158 mijë viktima e mbi 11 milionë të infektuar.

-Mbretëria e Bashkuar renditet e pesta, me 125,222 vdekje. Ajo ka regjistruar 4,247,785 raste. (Shifrat nga Universiteti Johns Hopkins të datës 10 Mars).

 

Shpërndarja e vaksinave në botë

Më shumë se 326 milionë doza janë administruar në 121 vende, sipas të dhënave të mbledhura nga Bloomberg. Shkalla e fundit është afërsisht 8.35 milionë doza në ditë.

Cilat vende kanë administruar më shumë vaksina?

Shtetet e Bashkuara kanë administruar më shumë doza në botë. Deri më tani janë dhënë 95.7 milionë doza, më një mesatare 2.17 milionë doza në ditë.

Në vend të dytë renditet Kina, e cila ka administruar 52.5 milionë doza.

Bashkimi Europian renditet i treti, aktualisht administron 43,992,307 doza.

 

Cilat vende administrojnë më shumë doza vaksinash për 100 banorë?

Izraeli i cili ka bërë më shumë hapa në procesin e vaksinimit në botë, administron 100.07 doza për 100 banorë.

Në vend të dytë renditen ishujt Seychelles, me 89.60 doza për 100 banorë.

Emiratet e Bashkuara Arabe administrojnë 59.24 doza, ndjekur nga Maldives me 47.17 doza, dhe ën vend të pestë Britania me 36.03 doza për 100 banorë.

Burimi: Skynews & Bloomberg

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of