Një vit pas anëtarësimit, Kroacia ende nuk po korr frytet e bashkimit me BE-në

12/07/2014 8:08 AM 0 komente

Një vit më parë, Kroacia hyri në Bashkimin Europian me festë të madhe, duke ngjallur shpresat se anëtarësimi në bllokun e pasur prej 28 vendesh do të transformonte të ardhurat e ekonomisë së “varur” nga turizmi. Por, teksa përvjetori shfaqet “kërcënues”, ka dështuar në një shkallë të gjerë materializimi i shpresave për “bum”. Kroacia mbetet një nga ekonomitë më të dobëta të bllokut, “zhytur” në një recesion në dukje të pafund që e ka çuar papunësisë në 20 për qind – gjysma e të rinjve të vendit nuk kanë një vend pune. Vendi i Adriatikut me 4.2 milionë banorë është përballur me tkurrjen e ekonomisë së tij për 10 tremujorë radhazi dhe vetëm Greqia – e cila mbajti peshën e krizës së borxhit të Eurozonës – ka vuajtur një rënie më të madhe në prodhim nga viti 2009 deri në vitin 2013. Në tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia u tkurr me 0.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përpara se Kroacia të bashkohej me bllokun. Qeveria e qendrës së majtë, udhëhequr nga Kryeministri socialdemokrat, Zoran Milanoviç, kishte shpresa të mëdha se anëtarësimi në BE do të rriste investimet e huaja në ish-republikën jugosllave, e cila shpalli pavarësinë në vitin 1991.

Por, në krahasim me një vit më pare, me hyrjen në BE korrikun e kaluar, Kroacia u përball me një rënie prej 60 për qind në Investimet e Huaja Direkte në vitin 2013.

Ekspertët thonë se investitorët janë të frikësuar nga ndryshimet e shpeshta në legjislacion, pagesat e larta të biznesit, ligjet e “ngurta” të punës dhe pasiguria e investimeve.

Banka Qendrore e Kroacisë e rendit vendin si performuesi i dytë më i keq në BE, pas Greqisë, kur bëhet fjalë për klimën e biznesit.

Klima armiqësore e biznesit mendohej se qëndronte pas faktit se ofertuesit potencialë u distancuan nga blerja e linjës problematike ajrore kombëtare “Croatia Airlines” vitin e kaluar.

“Kroacia ka nevojë të punojë me të vërtetë fort në përmirësimin e konkurrencës dhe mjedisit të biznesit për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte”, – tha për AFP, Timothy Ash, analist në tregjet në zhvillim në “Standard Bank”.

Megjithatë, një tjetër analist, Damir Novotny, i grupit të konsultimit T&MC me bazë në Mynih, vuri në dukje se ka faktorë të jashtëm që luajnë rol në ecurinë e dobët ekonomike të Kroacisë.

Ndryshe nga të ardhurit e tjerë të BE-së, Bullgaria dhe Rumania, të cilët iu bashkuan bllokut në vitin 2007, anëtarësimi i Kroacisë në BE ndodhi në kulmin e krizës financiare botërore dhe bankat ishin më pak të prirura të “zhvendosnin” kapitalin.

“Optimizmi mbretëroi në kohën e zgjerimit të BE-së drejt Lindjes (në 2004 dhe 2007), duke rezultuar me investime në këto vende”, – tha Novotni.

Ash transmetoi pikëpamjen duke theksuar se “10 vjet më parë, bankat e huaja kishin objektivin për t’u zgjeruar dhe ato ‘zbarkonin’ kapital në rajon. Tani ato po tërhiqen, që nënkupton se udhëheqësit e rritjes janë më të dobët”.

Xhevahiret e Adriatikut

Me bregdetin e saj mahnitës të Adriatikut, plazhet e njohura, ujin kristal dhe qytetet historike si Dubrovniku, Kroacia mbetet “tmerrësisht” tërheqëse për turistët nga e gjithë bota, të cilët ofrojnë një shtytje shumë të nevojshme për ekonominë problematike.

Vitin e kaluar, të ardhurat e turizmit arritën në 7.2 miliardë dollarë (9.8 miliardë dollarë amerikanë) – ose 15 për qind i të gjithë Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kroacisë, sipas shifrave të qeverisë.

Por analisti i “Standard Bank”, Ash, paralajmëroi se vendi është shumë i varur nga të huajt që vijnë për pushime dhe “ka nevojë të bëjë diçka për të krijuar varietet, përveç turizmit”.

Ashtu si shumica popullsisë së vendit, sipërmarrësi 38-vjeçar Bozhidar Toncic, priste prosperitet më të madh nga anëtarësimi në BE.

Por ëndrra e tij për ngritjen e një biznesi të vogël zdrukthëtarie është përballur me kaq shumë burokraci saqë ai tani është gati të heqë dorë.

“Unë prisja më pak dokumente, procedura më të shkurtra burokratike dhe një lloj stabiliteti të taksave, – u ankua për AFP. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur”.

Investitorët thonë se faji për këtë nuk është i BE-së, por i autoriteteve kroate, të cilat kanë qenë të ngadalta në ndërmarrjen e reformave të domosdoshme ekonomike – veçanërisht në sektorin e fryrë dhe joefikas publik të vendit, që punëson rreth 400,000 persona.

“Shteti është shumë i shtrenjtë dhe është barra kryesore”, – tha për AFP, Ante Babic, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Investitorëve të Huaj në Zagreb.

Ndikimi i anëtarësimit në BE nuk mund të matet deri në vitin e ardhshëm, tha ai, duke shtuar se ky anëtarësim kishte prodhuar një lloj disipline fiskale teksa qeveria tashmë është e detyruar të raportojë te Brukseli çdo gjashtë muaj rreth ecurisë së ekonomisë së saj.

Votuesit shfaqin pakënaqësi

Një situatë e paqëndrueshme politike nuk e ka ndihmuar rrugën drejt reformave.

Partia në pushtet është thellësisht e përçarë dhe aspak popullore, me disa ministra të shkarkuar kohët e fundit. Votuesit shfaqën pakënaqësinë e tyre në zgjedhjet europiane të majit, duke u dorëzuar fitoren konservatorëve të opozitës.

Dhe me vetëm 18 muaj të ngelur deri në zgjedhjet parlamentare, shumë dyshojnë se partia në pushtet ka potencialin për të prodhuar reformat e thella që i janë kërkuar për të stabilizuar ekonominë e lëkundur të Kroacisë.

“Në kohë të vështira, sunduesit nuk merren me problemet e vendit, por me çështje të brendshme, që po thellojnë krizën në Kroaci”,- tha Berto Salaj, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike të Zagrebit për AFP.

Në krye të gjithë kësaj, Kroacia po zbulon se shqetësimet e saj ekonomike po largojnë nga vendi të rinjtë e talentuar, një problem që U shtohet mijëra të tjerëve.

Me një normë prej 50 për qind në mesin e të rinjve, Kroacia renditet vetëm përpara Greqisë dhe Spanjës kur vjen puna për të krijuar vende pune për të rinjtë dhe Ana, një studente 24-vjeçare në menaxhimin e turizmit, tha për AFP se brezi i saj nuk sheh shumë mundësi për të qëndruar në vend.

Por ajo këmbëngul se të largohet nga Kroacia, të paktën për atë vetë, është “opsioni i fundit”.

“Në një vend të huaj duhet t’ia fillosh nga zero. Këtu unë do të isha e lumtur po të gjeja një punë në fushën time me një rrogë të mirë”, – tha ajo për AFP.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of