Një vrasje në çdo pesë ditë, Shqipëria ndër vendet me normën më të lartë në Europë

06/11/2019 11:00 PM 0 komente

Vrasjet në Shqipëri mbeten në nivele të larta, duke u renditur të pestët në Europë për normën e vrasjeve për 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe të përpunuara nga “Monitor”, për dy vitet e fundit, norma e vrasjeve për 100 mijë banorë ishte 1.8, ndër më të lartat krahasuar edhe me vendet e Bashkimit Europian.

68 persona humbën jetën në vend në vitin 2018 dhe po aq ishin në 2017-n. Thuajse çdo pesë ditë në Shqipëri në vitin 2018 është kryer vepra penale e vrasjes.

Numri i vrasjeve me dashje shënoi rënie në raport me vitin 2016, ku si pasojë e kësaj vepre penale, numri i vrasjeve arriti në 99, ku thuajse në çdo katër ditë, një shqiptar humbi jetën.

Po si krahasohemi me vendet e Bashkimit Europian?

Krahasuar me vendet anëtare të BE-së, Shqipëria renditet krahas vendeve me normë të lartë. Rekordin në Bashkimin Europian e mbajnë vendet baltike. Në Letoni, norma e vrasjeve për 100 mijë banorë ishte 5.6, ndjekur nga Lituania me 4 vrasje për 100 mijë banorë dhe Estonia me 2.2 vrasje për 100 mijë banorë.

Edhe shteti ishullor i Maltës, kishte një normë të lartë të vrasjeve (shiko grafikun më poshtë). Referuar përllogaritjeve të Eurostat, numri i vrasjeve atje për 100 mijë banorë ishte 2.

Fill pas Shqipërisë renditet Belgjika, me 1.7 vrasje për 100 mijë banorë.

Në vendet fqinje, si Greqia dhe Italia, Eurostat përllogarit një normë vrasjesh me përkatësisht 0.7 dhe 0.6 vrasje për 100 mijë banorë.

Nga ana tjetër, norma më e ulët e vrasjeve për 100 mijë banorë është përllogaritur në Luksemburg me 0.3 vrasje, ndjekur nga Norvegjia dhe Zvicra me 0.5 vrasje për 100 mijë banorë.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of