Njerëzit me probleme të caktuara shëndetësore ose me një sistem imunitar të dobët, mund të kenë nevojë të marrin një dozë të katërt të vaksinës Covid-19, thotë tashmë Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.
WABC raporton se faqja online e CDC-së është përditësuar me një shënim që thotë se “njerëzit mbi moshën 18 vjeç, me imunitet të kompromentuar në një nivel mesatar ose të rëndë, që janë vaksinuar plotësisht me një vaksinë mARN dhe kanë marrë edhe dozën shtesë, mund të marrin një dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 (Pfizer-BioNTech, Moderna ose Janssen), të paktën 6 muaj pas marrjes së dozës së tretë. Në situata të tilla, njerëzit që kanë një sistem imunitar të kompromentuar në një nivel mesatar ose të rëndë, mund të marrin gjithsej katër doza të vaksinës kundër COVID-19.
CDC autorizoi në gusht një dozë të tretë, për disa njerëz me imunitet të kompromentuar. Mund të kërkohen doza shtesë për të ndihmuar në ndërtimin e imunitetit ndaj koronavirusit.
Sipas CNN, një studim nga Universiteti Johns Hopkins zbuloi se njerëzit e vaksinuar dhe me imunitet të dobësuar, kishin 485 herë më shumë gjasa të shtroheshin në spital ose të vdisnin nga Covid-19 në krahasim me shumicën e njerëzve të vaksinuar. CDC tha gjithashtu se njerëzit me sistem imunitar të dobësuar dhe plotësisht të vaksinuar, përbëjnë rreth 44% të rasteve të reja të shtrimeve në spital dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar kanë më shumë gjasa ta transmetojnë virusin tek të tjerët.
Njerëzit me imunitet të dobësuar të cilëve u rekomandohet aktualisht të marrin një dozë të tretë vaksine, përfshijnë pacientët që po marrin trajtim aktiv kundër kancerit, kanë bërë transplant organi, po marrin ilaçe për sistemin imunitar; kanë një imunodefiçencë parësore të moderuar ose të rëndë (si sindroma DiGeorge, sindroma Wiskott-Aldrich); kanë infeksion HIV të avancuar ose të patrajtuar; ose po marrin ilaçe të tjera që mund të ulin përgjigjen imunitare.
CDC ende nuk ka dhënë udhëzime për një dozë të katërt, por e përditësoi faqen online duke u shprehur se njerëzit me imunitet të komprometuar “mund” të kenë nevojë për një vaksinë gjashtë muaj pas një doze të tretë. Njerëzit duhet të flasin me mjekët e tyre për të përcaktuar nëse kjo është e nevojshme, thotë CDC.