Të gjitha njoftimet për ankand apo për ish-pronarët e truallit që gëzojnë të drejtën e parablerjes, tani do të botohen në dy buletine zyrtare.
Ky është vendimi më i fundit i lajmëruar sot nga Ministria e Financave, e cila shton duke bërë të ditur se deri më sot, njoftimi për zhvillimin e ankandit sipas dispozitave ligjore dhe nënligjore në fuqi është realizuar nëpërmjet publikimit të njoftimit në Buletinin e Prokurimit Publik, si dhe në media kombëtare (gazeta me qarkullim Kombëtar dhe TV Kombëtar).
Me hyrjen në fuqi të ligjit nr.78/2014, “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare, në zbatim të nenit 9, pika 6 “Parashikimet aktuale në aktet ligjore dhe nënligjore, që kanë të bëjnë me botimin në median kombëtare, zëvendësohen me botimin në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare”, tashmë njoftimet për ankand apo për ish-pronarët e truallit që gëzojnë të drejtën e parablerjes, nuk do të botohen në mediat kombëtare (gazeta dhe TV kombëtare), por vetëm në Buletinin e Prokurimit Publik, pranë Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Buletinin e Njoftimeve Zyrtare pranë Qendrës së Botimeve Zyrtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.