Ideja e realizimit të një statuje gjigante, që të përkujtonte shpirtin amerikan, lindi në një darkë mes artistëve dhe intelektualëve francezë në Versajë.
Mes fjalëve dhe veprave, pas asaj darke, u deshën 20 vjet për të arritur te përurimi i asaj që sot është simbol i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Statuja e Lirisë. E përuruar në vitin 1886 në Nju Jork, ose më saktë 110 vjet pas Deklaratës së Pavarësisë, Statuja e Lirisë është 93 metra e lartë, e bërë prej çeliku dhe bakri.
Statuja u realizua në Francë nga Frédéric Auguste Bartholdi në bashkëpunim për pjesën e saj të brendshme nga Gustave Eiffel. Ajo u transportua në Nju Jork me pjesë, në një anije të veçantë që e përshkoi oqeanin dhjetëra herë. Për bazamentin, ishte New York Times që organizoi atë që sot do të quhej crowdfunding, apo mbledhjen e miliona dollarëve të nevojshëm.
Sot, pishtari i saj, simbol i zjarrit të përjetshëm të lirisë dhe vendi ku është gdhendur data e Pavarësisë, 4 Korrik 1776, shfaqin gjithë bukurinë dhe madhështinë e tyre dhe në ditët më të kthjellëta, mund t’i shquanin mijëra kilometra larg Nju Jorkut.
Disa ditë më parë, për të zbuluar të fshehtat dhe vlerat e saj u hap Statue of Liberty Museum, një muze pranë këtij simboli, qëllimi i të cilit është të tregojë historinë e Statujës së Lirisë, por për t’u thelluar edhe te ndjenja e idealeve që përfaqëson.
Falë një teatri gjithëpërfshirës, një galerie frymëzuese dhe pranisë së objekteve origjinale të vetë statujës, si për shembull pishtari origjinal, vizita në muze shndërrohet në një moment të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës amerikane dhe historisë së Nju Jorkut.