NOA hap ofertën e parë publike të obligacioneve në Shqipëri
Institucioni financiar NOA emeton për herë të parë në Shqipëri një obligacion publik. Obligacioni është i pagarantuar, i nënrenditur në monedhën Lekë dhe është një mundësi investimi për individë dhe subjekte private. Vlera nominale e obligacionit është 500 000 lekë, afati maturimit është 5 vjeçar dhe interesi vjetor fiks 8%, i pagueshëm çdo 6 muaj.
Oferta publike do të jetë e hapur e hapur për periudhën 24 Maj 2023 deri në 21 Qershor 2023.
Ndërmjetës financiar për shërbimin e hedhjes në treg të këtyre titujve është Banka Credins. Individët apo subjektet e interesuara për të investuar në këtë obligacion mund të paraqiten pranë degëve të NOA ose degëve të Bankës Credins. Oferta publike do të konsiderohet e suksesshme, në rast të nënshkrimit nga investitorët të të paktën 10% të vlerës së ofruar nga emetuesi.
Në mënyrë më të hollësishme, karakteristikat e obligacionit janë të percaktuara në prospekt, i cili së bashku me dokumentat shoqëruese gjenden në faqen web të NOA noafin.al/investime. Prospekti i emetimit u aprovua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me vendimin nr. 72 të datës 28.04.2023.
NOA është një institucion financiar jo bankë me një eksperiencë 25 vjeçare në tregun shqiptar, me një shtrirje gjeografike prej 26 degësh dhe që punëson gjithsej 306 punonjës. Mbështetur në pasqyrat e audituara financiare të vitit 2022, totali i aktiveve të NOA ishte në vlerën e 7.9 miliardë lekësh. Aktiviteti kryesor i NOA është kredidhënia për ndërmarrjet e vogla, fermerët dhe familjet dhe portofoli bruto i kredisë ka vlerën e 7.4 miliardë lekëve.
Oferta publike e titujve është një praktikë e zakonshme për sigurimin e financimeve nga bizneset në ekonomitë më të zhvilluara. Deri tani, aktiviteti i biznesit në Shqipëri është financuar me injektim kapitali nga aksionerët, me kredi bankare, ndërsa në vitet e fundit ka nisur të aplikohet edhe financimi nëpërmjet obligacioneve me ofertë private. Emetimi i titujve me ofertë publike i jep mundësinë bizneseve të arrijë në një numër më të madh investitorësh potencialë dhe të sigurojë kushte më konkurruese financimi.
Në rast se oferta publike do të rezultojë e suksesshme, obligacionet do të listohen në Bursën Shqiptare të Titujve (ALSE). Kjo pritet ta bëjë obligacionit e NOA të parin titull të një subjekti privat të listuar në një treg të rregulluar titujsh, ndërsa deri tani tregtimi publik i titujve ka qenë i mundur vetëm për instrumentet e borxhit të emetuara nga Qeveria Shqiptare.
Listimi në Bursë i bën titujt financiarë likuidë, duke u krijuar mundësinë investitorëve t’i shesin dhe blejnë lirisht ato. Zgjerimi i operacioneve të bursës në titujt financiarë të sektorit privat do të shënojë një hap të rëndësishëm për tregun financiar. Investitorët do të kenë alternativa të reja financimi dhe mundësi për të diversifikuar portofolet e tyre të investimit, duke përmirësuar kthimet. Një gjë e tillë do të ishte veçanërisht e rëndësishme për të zhvilluar më tej tregun e investitorëve institucionalë, sidomos të fondeve të investimit dhe të pensionit. Një bursë ku tregtohen instrumente borxhi apo kapitali të ndërmarrjeve private do të krijojë alternativa të reja edhe për investitorët e vegjël.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.