Tregu i sigurimeve shfaqi rritje të mëtejshme gjatë muajit maj.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, primet e shkruara bruto arritën vlerën e 7.8 miliardë lekëve, në rritje me 10.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e tregut është përshpejtuar më tej nga niveli prej 9% që shënohej deri në fund të 4-mujorit. Ecuria paraqitet pozitive si në segmentin e sigurimit të jetës, me një rritje vjetore prej 18.1%, ashtu edhe në atë të sigurimeve të jo-jetës, me 10.2%.
Duke analizuar primet e shkruara bruto sipas kryesore të sigurimit, duket se një ndikim të rëndësishëm në rritjen e tregut të sigurimeve po jep kthimi i plotë në normalitet pas pandemisë dhe sidomos turizmi dhe udhëtimet. Produktet që po shfaqin normën më të lartë të rritjes krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 janë pikërisht ato të lidhura me turizmin.
Sipas AMF, primet e shkruara bruto në produktin e kartonit jeshil u rritën me 52% kundrejt vitit të kaluar. Kartoni jeshil është siguracion i detyrueshëm, i kërkuar për të lëvizur jashtë vendit me një automjet të regjistruar në Shqipëri. Ky produkt këtë vit solli 9.3% të primeve të shkruara bruto, nga 6.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritje të lartë shënoi edhe sigurimi i aksidenteve në udhëtim, me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe ky produkt është i lidhur kryesisht me udhëtimet jashtë vendit, por megjithatë në vlerë pesha e tij në tregun e sigurimeve është e vogël, me 3.1% të totalit.
Tjetër produkt që në mënyrë të tërthortë lidhet me turizmin është sigurimi Kasko. Për 5-mujorin 2022, primet e shkruara bruto në këtë produkt u rritën me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimi Kasko në Shqipëri aplikohet sidomos në financimet me leasing dhe veçanërisht në biznesin e makinave me qira.
Megjithëse ligjërisht sigurimi Kasko është vullnetar, faktikisht ai përbën një kërkesë të detyrueshme nga kompanitë e qirasë financiare. Rritja e turizmit hyrës këtë vit dhe kthimi i tij pranë niveleve të para pandemisë duket se po nxit biznesin e mjeteve me qira dhe bashkë me të edhe sigurimin Kasko.
Shumica e produkteve të tjera të tregut të sigurimeve këtë vit paraqiten në rritje. Produkti kryesor i tregut, sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, shënoi një rritje me 6.8% krahasuar me një vit më parë.
Për sa i takon sigurimeve vullnetare, tregu nuk shfaq zhvillime të rëndësishme. Sigurimi kryesor, ai i sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës këtë vit shënon një rritje të lehtë të primeve të shkruara bruto, me 1.8% krahasuar me një vit më parë.
Në rritje me rezulton edhe sigurimi i përgjegjësive civile, me 3.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja e këtij produkti është e lidhur sidomos me ndërtimet e reja dhe me produktin e sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.