Normat e interesit rol kyç, ja si e ndikojnë sjelljen e investitorëve

23/04/2019 4:30 PM 0 komente

Blodin Çuçi, Administrator i Caesar Investment Advisory Services

 

Normat e interesit janë ndikuesi kryesor te fondet e investimeve dhe duket se vitin e shkuar, si për sa i përket monedhës euro, ashtu edhe lekut, ka pasur arsye të mjaftueshme që investitorët të bëhen më konservatorë.

Blodin Çuçi, administrator i Caesar Investment Advisory Services, nënvizon se ambienti me norma negative interesi në monedhën euro bën jo atraktiv fondet e investimeve obligacionarë në këtë monedhë, çka është reflektuar edhe në tregun shqiptar.

Po kështu, edhe tek leku, interesat kanë pësuar luhatshmëri të dukshme. Kombinuar këto me rënien e numrit të anëtarëve, Çuçi nënvizon se kjo mund të jetë reflektim i tërheqjes së investimeve të maturuara nga anëtarët, që prej vitesh operojnë dhe njohin tregun për të riinvestuar në një moment të dytë. Investitorët e rinj potencialë, nga ana tjetër, nuk e kanë parë si atraktive normën aktuale të interesit.

Cilat ishin zhvillimet kryesore në tregun e Fondeve të Investimeve gjatë vitit 2018?

Në përgjithësi, tregu i fondeve të investimeve në Shqipëri gjatë vitit 2018 pati zhvillime pozitive për sa i përket numrit të fondeve të disponueshme në treg. Gjatë vitit të kaluar, për publikun shqiptar u shtuan 2 fonde të tjera, duke rritur mundësitë e investimit për ta.
Në shtator të vitit 2018, shoqëria e administrimit Raiffeisen Invest prezantoi dhe hodhi në treg një fond të ri në monedhën lek, Fondi Vizion, me strategji investimi në letra me vlerë, me të ardhura fikse, bono thesari dhe obligacione, i cili iu shtohet fondeve ekzistuese; Fondit Prestigj dhe Fondit Invest Euro. Fondi Vizion është një fond i ri, i cili pasuron gamën e mundësive të investimit duke zgjeruar horizontin e investimit për investitorët.

Një tjetër fond investimesh me fokus investimi në aksione të kompanive të mëdha në botë u hodh gjithashtu në treg. Fondi WVP TOP Invest do të investojë kryesisht në letra me vlerë, aksione të kompanive të mëdha të listuara në tregjet më të zhvilluara botërore. Në fokus të politikës së investimit të fondit do të jenë kompanitë e mëdha – “Large Caps”, të cilat janë lider në industritë e tyre.
Pra, në këndvështrimin e diversitetit të fondeve të investimeve dhe atë të ofertës, ambienti për investitorin shqiptar gjatë vitit 2018 u pasurua edhe me mundësi të reja investimi dhe strategji të reja investimi, si në obligacione, ashtu edhe në aksione.

Në vitin 2018, vlera neto e aseteve te fondet e investimit ra me 9.12% apo më shumë se 6.6 miliardë lekë, po kështu pati një rënie të numrit të anëtarëve në raport me 2017. Si mendoni, cilat janë arsyet që ndikuan në këtë tkurrje?

Së pari, nëse analizojmë në thellësi të dhënat, një pjesë e mirë e rënies së vlerës neto të aseteve, shpjegohet me ambientin e normave të ulëta apo negative të interesit në monedhën Euro. Nëse u referohemi mundësive të investimit në këtë monedhë, tashmë është një problem në nivel botëror, që po hasin në tërësi administratorët e fondeve të investimit obligacionar në këtë monedhë. Ambienti me norma negative interesi në këtë monedhë e bën jo-atraktiv investimin në fonde investimi obligacionarë. Për më tepër, duket se Banka Qendrore Europiane do të vazhdojë të ruajë këtë politikë normash interesi negative edhe në vitin 2019. Në këtë aspekt, pritshmëritë anojnë nga ulja e interesit edhe të publikut shqiptar në vitin 2019 për të investuar në fonde investimi obligacionarë në monedhën Euro.

Nga ana tjetër, për sa i përket monedhës vendase, viti 2018 ishte ndoshta viti me volatilitetin më të lartë të normave të interesit, ku gjatë gjysmës së parë të vitit pati rritje të lehtë të tyre, e shoqëruar me një rënie të theksuar të tyre në gjysmën e dytë të vitit. Rënia është bërë më akute në tremujorin e parë të vitit 2019. Ndonëse rënia e normave gjatë gjysmës së dytë të vitit ndikon pozitivisht në rritjen e vlerës neto të aseteve, për fondet e investimit pa barriera në dalje, sikundër janë edhe shumica e fondeve obligacionarë në tregun shqiptar, fenomeni i uljes së numrit të investitorëve mund të ketë ndodhur për disa arsye.

Së pari, investitori i mirinformuar, i cili prej një periudhe të gjatë ka investuar në fond, gjendet në pikën ideale për të kapitalizuar fitimin e tij, si pasojë e rënies së normave të interesit. Ky lloj investitori, ka tendencën të tërheqë asetet e tij nga fondi duke kapitalizuar fitimin për të pritur një periudhë më të mirë, atë të investimit me norma të larta interesi. Së dyti, investitori i ri nuk e gjen atraktive investimin në të tilla instrumente, pikërisht për faktin që norma e pritur për investimin e tij në vitet në vijim mund të mos rezultojë atraktive.

Të dy këta faktorë mund të kenë influencuar së bashku, si në rënien e vlerës neto të aktiveve, ashtu edhe në numrin e anëtarëve. Në terma praktikë, nëse performanca vjetore historike e fondeve të investimit varionte në intervalin 6-8%, për vitin 2019, performanca e pritshme e fondeve të investimit në monedhë lokale, pritet të jetë rreth 3% pikërisht për arsye të ambientit me norma të ulëta të interesit. Është ky ambient, i cili pritet të ndikojë negativisht edhe performancën vjetore të fondeve të investimit, gjatë vitit 2019, si në terma me vlerë neto aktivesh, ashtu edhe në numër anëtarësh.

Gjithsesi, vlen të shpjegohet qartë për publikun se performanca e fondeve të investimit ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ecuria e normave të interesit. Në periudhën afatshkurtër, investitorët nuk duhet të shqetësohen nga luhatjet e vlerës neto të aseteve, pasi vetë natyra e investimit në një fond është afatgjatë.

Cilët janë faktorët që kufizojnë rritjen e fondeve të investimit në vendin tonë, duke pasur parasysh këtu edukimin financiar apo elemente të tjera të ngjashme?

Së pari, një ndër faktorët kryesorë që kufizojnë jo vetëm rritjen e fondeve të investimit në veçanti, por edhe të tregut të instrumenteve financiarë në përgjithësi, është niveli relativisht i ulët i edukimit financiar të popullsisë. Ndonëse prej vitesh tashmë ekzistojnë disa nisma, si nga ente rregullatore zyrtare si Banka e Shqipërisë apo AMF, ashtu edhe nga shoqëria civile si Shoqata e Bankave, Shoqata e Siguruesve, Shoqata e Fondeve të Pensioneve dhe Fondeve të Investimit, Shoqata e Tregtuesve të Letrave me Vlerë, etj., mbetet shumë për t’u bërë në këtë këndvështrim. Edukimi financiar i publikut është një sfidë e rëndësishme për t’u kapërcyer, për të pasur një treg të zhvilluar financiar.

Një tjetër element, i cili gjithashtu kontribuon në kufizimin e rritjes së fondeve të investimit, është edhe niveli relativisht i ulët i të ardhurave për frymë të popullsisë. Nëse i referohemi raporteve të fundit të FMN-së, për vitin 2019 dhe në vijim, Shqipëria vazhdon të mbetet ndër vendet me të ardhura të ulëta për frymë në Ballkanin Perëndimor.

Si e prisni vitin 2019, duke pasur parasysh zhvillimet në tregun bankar ku interesat mbeten të ulëta në lidhje me depozitat, kemi një rënie të normave të interesit te letrat me vlerë?

Nga njëra anë, ambienti me norma të ulëta interesi e bën më pak atraktiv investimin në bono thesari dhe obligacione të qeverisë: Ky ambient gjithashtu e bën jo atraktiv vendosjen e depozitave bankare. Nëse analizojmë ecurinë e normave mesatare të depozitave të ofruara nga institucionet financiare në tremujorin e parë të vitit 2019, vihet re një rënie e tyre, çka e vështirëson tërheqjen e investitorëve drejt këtyre instrumenteve.

Nga ana tjetër, ky ambient është shumë stimulues për emetimin e Obligacioneve për korporatat vendase. Investitorët, në të tilla periudha, tërhiqen shumë drejt blerjes së obligacioneve korporative për të arritur një normë më të lartë interesi. Në këtë aspekt, pritshmëritë për vitin 2019 anojnë nga një gjallërim i tregut të emetimit të obligacioneve të korporatave private, për të tërhequr investitorët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of