Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore në tregun financiar pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rënia e normave të interesit ka vijuar pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit dhe rritjes së treguesve refereues të tregut, yield-eve të instrumentit të borxhit të qeverisë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 89.22%, nga 102.44% që kishte qenë për gjashtëmujorin e parë të vitit.
Edhe për paradhëniet bankare (overdraftet) deri në 200 mijë lekë norma efektive mesatare shënoi një rënie të lehtë në 13.62%, nga 13.7% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm.
Për kartat e kreditit me limit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar zbriti në 20.38%, nga 20.69% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm.
Për kreditë me këste me vlerë deri në 2 milionë lekë norma mesatare efektive e interesit ka rezultuar 17.72%, nga 19.42% në gjashtëmujorin e mëparshëm.
Normat e mësipërme të interesit janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore në dhëna në gjysmën e dytë të vitit 2022 nga bankat dhe institucionet financiare jobanka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive që administrohet nga banka qendrore.
Llogaritja e normës mesatare efektive të interesit shërben si bazë për të llogaritur më tej normën maksimale efektive të interesit për kreditë konsumatore (NEI maksimal).
Norma mesatare efektive e interesit nuk nënkupton vetëm normën nominale të interesit të kredië, por të gjitha kostot që i ngarkohen klientit për kredinë, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera.
Rënia e normave efektive të interesit në një kohë kur normat nominale në tregje janë rritur mund të shpjegohet me disa faktorë.
Në kreditë konsumatore, sidomos për shumat më të vogla, marzhet janë relativisht të larta dhe institucionet e kredidhënies kanë pasur hapësira për të konkurruar me çmime, pavarësisht se kosto e sigurimit të fondeve ka filluar të rritet.
Aplikimi i një norme maksimale efektive të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se ka shërbyer si faktor që i ka zhvendosur në ulje interesat mesatare të kredive.
Që prej fillimit të vitit 2022, kur nisi aplikimi i normës tavan të interesit, ky tregues ka lëvizur vazhdimisht në rënie. Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore në lekë, për shumat deri në 200 mijë lekë është ulur në 118.96%, nga 136.58% që kishte qenë për gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
Ulje të ndjeshme NEI maksimal ka pësuar edhe për kreditë në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë. Tavani për këto kredi është ulur në 23.63%, nga 25.89% që kishte qenë në 6-mujorin e parë.
Në fund të vitit të kaluar institucionet e mikrofinancës kanë shprehur zyrtarisht shqetësimin në Bankën e Shqipërisë lidhur me efektet që kjo masë po jep në tregujn financiar.
Sipas tyre, veçanërisht për kreditë në shuma mbi 200 mijë lekë NEI maksimal është në nivele shumë të ulëta për institucionet e mikrofinancës dhe kjo e bën gjithnjë e më të vështirë konkurrencën e tyre me bankat. Kompanitë e mikrofinancës mendojnë se duhet të ekzistojë një fashë e ndërmjetme në intervalin midis 200 mijë dhe 600 mijë lekëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.