Normat e interesit të kredive të reja në lekë kanë vijuar të rriten gjatë muajit nëntor.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha afatet e maturimit ishte 7.59%, duke u rritur për të pestin muaj radhazi.
Norma mesatare e interesit të kredive ka arritur nivelin më të lartë që prej vitit janarit të vitit 2018. Krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin e rritjes së normave të interesit, interesi mesatar i kredive në lekë është rritur me 2.12 pikë përqindje.
Rritja e normave të interesit po ndikon gradualisht edhe në ngadalësimin e kreditimit të ekonomisë. Statistikat tregojnë se pas muajit shtator volumet e kredisë së re për ekonominë paraqiten në rënie të ndjeshme.
Rritja e normave të interesit është tashmë e prekshme edhe për huamarrësit ekzistues që kanë kredi me interesa të ndryshueshme, sepse kjo rritje përcillet automatikisht nëpërmjet treguesit benchmark, që në rastin e lekut është zakonisht yield-i mesatar i bonove 12 mujore të thesarit.
Nga muaji mars e në vazhdim, yield-et janë rritur me ritme të shpejta. Në ankandin e fundit të dhjetorit, bonot 12-mujore u emetuan me një yield-mesatar të ponderuar prej 5.47%, në rritje me 3.9 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e normave të interesit po përcillet edhe tek depozitat. Për muajin nëntor, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat arriti në 1.72%, niveli më i lartë në të paktën shtatë vitet e fundit.
Edhe interesi mesatar i depozitave u rrit për të pestin muaj radhazi. Krahasuar me muajin mars, interesi mesatar i depozitave të reja në lekë është rritur me 1.02 pikë përqindje.
Pas një periudhe të gjatë kur normat e interesit në tregun financiar qëndruan pranë niveleve më të ulëta historike, kriza e çmimeve dhe rritja e shpejtë e inflacionit kanë bërë që bankat qendrore të fillojnë një normalizim të shpejtë monetar.
Norma bazë e interesit është rritur nga 0.5% në 2.75% në harkun e nëntë muajve. Rritja e normës bazë nga Banka e Shqipërisë rrit çmimin e injektimit të parasë në sistem. Me rritjen e kostos së financimit të tyre afatshkurtër me REPO nga Banka e Shqipërisë, bankat reaguan duke rritur edhe yield-et e kërkuara për të financuar borxhin e qeverisë.
Në mënyrë të pashmangshme, një situatë e tillë krijoi shtysa për të transmetuar rritjen e interesave edhe te depozitat dhe tek kreditë bankare.
Rritja e yield-eve rriti presionin mbi normat e interesit të depozitave, sepse bonot dhe obligacionet po bëhet një alternativë më e leverdishme për individët, që mund t’i shtyjë drejt tërheqjes së parave nga depozitat dhe investimit të tyre në bono.
Rritja e normave të interesit të kredisë pritet të sjellë një ngadalësim të mëtejshëm të kreditimit gjatë vitit të ardhshëm.
Frenimi i kreditimit pritet të ngadalësojë konsumin, investimet dhe kërkesën e brendshme në ekonomi, duke qenë një nga faktorët që do të ndikojnë në uljen e ritmeve të rritjes ekonomike gjatë vitit të ardhshëm./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.