Normat e interesit të borxhit të varur të bankave tregtare këtë vit po shënojnë rritje të ndjeshme.
Në mbledhjen e këtij muaji, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare pritet të miratojë vendimin “Për regjistrimin e aktofertës së shoqërisë “Banka Credins” sh.a., për emetimin e obligacioneve”.
Në total, Credins Bank synon të emetojë obligacione 7-vjeçare me ofertë private, përkatësisht në monedhën vendase për një vlerë totale prej 1.5 miliardë lekësh, në euro në vlerën e 6 milionë eurove dhe në dollarë amerikanë në vlerën e 2 milionë USD. Obligacionet do të jenë të nënrenditura, të pagarantuara dhe të konvertueshme në aksione të zakonshme të bankës.
Kuponi fiks i ofruar për obligacionet në lekë do të jetë 7.5%, për obligacionet në euro 5% dhe për ato në në dollarë amerikanë 5.2%. Normat e interesit kanë pësuar një rritje të ndjeshme krahasuar me emetimin e një viti më parë, kur për obligacionet 7-vjeçare në lekë oforhej një kupon prej 5.7%, ndërsa për ato në euro 3.7%.
Megjithatë, rritja e normave të interesit nuk reflekton plotësisht masën e shtrëngimit të politikës monetare për lekun dhe euron gjatë 12 muajve të fundit. Gjithashtu, normat e interesit për borxhin e varur që siguron sektori bankar shqiptar ngelen më të ulëta, krahasuar me normat që paguajnë bankat jashtë vendit, që i financojnë këto instrumente me ofertë publike.
Borxhi i varur është në teori një investim me rrezik të lartë, sepse është i fundit në radhën e shlyerjes së detyrimeve, në rast të falimentimit të emetuesit. Për këtë arsye, normat që kërkojnë investitorët jashtë vendit për të financuar këtë lloj borxhi janë mjaft të larta.
Në Shqipëri, bankat arrijnë të sigurojnë kushte më të favorshme, për shkak të mungesës së alternativave të shumta të investimit dhe të një tregu kapitali, që do të faktorizonte në mënyrë më të drejtë riskun në çmimin e këtyre instrumenteve.
Sipas ligjit, obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri, këto instrumente kanë nisur të përdoren për herë të parë në vitin 2011.
Emetues të këtyre instrumenteve janë në pjesën dërrmuese bankat dhe institucionet financiare.
Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur si pjesë të kapitalit rregullator të bankave, deri në një të tretën e vlerës totale të kapitalit rregullator.
Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të parë të këtij viti, vlera e borxhit të varur të bankave tregtare në Shqipëri arriti shumën rekord të 17.75 miliardë lekëve ose rreth 158 milionë eurove. Borxhi i varur i bankave është rritur me 12.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pas vitit 2019, kërkesat minimale rregullatore për kapital ndaj bankave janë rritur ndjeshëm. Përveç kërkesës bazë prej 12%, të parashikuar në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, që nga viti 2019 kanë nisur të aplikohen edhe shtesat makrprudenciale të kapitalit. Shtesa konservuese e kapitalit për të gjitha bankat e sektorit për vitin 2022 ishte 1.5%, ndërsa deri në fund të vitit 2023 duhet përmbushur niveli i rritur prej 2%. Ndërkohë, për katër bankat me rëndësi sistemike, aplikohet edhe shtesa e posaçme, në vlerat 0.5%, 1% dhe 1.5%, në varësi të notës së rëndësisë sistemike të bankës.
Gjithashtu, bankat më të mëdha të sektorit këtë vit do të përballen me një rritje të mëtejshme të kërkesave për kapital. Deri në fund të vitit 2023, këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit. Aktualisht, ky detyrim ka hyrë në fuqi për katër bankat me rëndësi sistemike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen Shqipëri, Banka OTP Albania, si edhe për Bankën Intesa Sanpaolo Albania.
Ato janë subjekt i plotësimit të kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL), sipas rregullores së miratruar nga Banka e Shqipërisë në dhjetor 2020. Kjo rregullore lidhet me kuadrin e ri që ka sjellë ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.
Duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, si dhe shtesën specifike që kanë disa banka të sektorit, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit varion ndërmjet 16% dhe 19% për bankat me rëndësi sistemike, dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera. Bankat kanë detyrimin të plotësojnë, sipas radhës, kërkesat minimale për kapitalin rregullator, kërkesën minimale për MREL dhe në fund shtesat makroprudenciale të kapitalit.
Hyrja në fuqi e detyrimeve të lidhura me rregulloren e MREL pritet të sjellë një rritje të mëtejshme të përdorimit të instrumentit të borxhit të varur nga bankat tregtare. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.