Yield-et e bonove të thesarit me maturim 12 mujor pësuan sërish rënie në ankandin e parë të muajit dhjetor.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se bonot 12 mujore u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.77%, nga 1.81% që pati qenë në ankandin e mëparshëm. Pas muajit gusht, yield-et e bonot patën ndjekur një tendencë të lehtë korrektimi në rritje, por shifrat tregojnë se rritja e mirëfilltë e interesave duket ende larg.
Tregu primar i letrave të borxhit të qeverisë i rezistoi rritjes së normave të interesit pas shpërthimit të krizës së Covid-19. Sot yield-et e bonove 12-mujore janë më të ulëta krahasuar me fillimin e muajit mars. Falë stimulit të lartë monetar të Bankës së Shqipërisë dhe gjendjes së mirë të tregut financiar normat e interesit qëndruan të ulëta, përkundrejt një kërkesë më të lartë të qeverisë për financim në tremujorin e dytë dhe një rritje të rreziqeve të lidhura me nivelin në rritje të borxhit publik. Ministria e Financave e vlerësonte borxhin publik në fund të 9-mujorit në nivelin rekord prej 79.72% të PBB-së.
Nga ana tjetër, huamarrja në tregjet e jashtme, kryesisht nëpërmjet eurobondit, e uli trysninë mbi tregun e brendshëm dhe plotësoi nevojën për financimin e deficitit buxhetor të krijuar. Në tremujorin e tretë, qeveria përdori kryesisht tepricën e likuiditetit të krijuar nga eurobondi për të mbuluar deficitin.
Huamarrja mesatare mujore në tremujorin e tretë zbriti në 26.6 miliardë lekë, nga 30.6 miliardë lekë që pati qenë në tremujorin e dytë. Ndërkohë, në tremujorin e fundit të vitit, vlera mesatare e huamarrjes mujore të qeverisë në tregun e brendshëm financiar parashikohet të jetë rreth 26.1 miliardë lekë, shumë që konsiston kryesisht në rifinancim të instrumenteve të maturuara.
Yield-i i instrumenteve të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare shënoi një minimum të ri historik në fund të muajit shtator. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar zbriti në nivelin 3.71%, nga 3.75% që kishte qenë në fund të tremujorit të dytë dhe 3.85% në të njëjtën periudhë të një viti më parë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.