Normat më të favorshme të interesit në fondet e investimit duket se kanë zhvendosur vëmendjen e individëve tek ky treg duke ulur investimin tek ai i letrave me vlerë të qeverisë. Të dhënat zyrtare për periudhën janar-shtator 2017, të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare reflektojnë pikërisht këtë tendencë ku rënia përveçse në vlerë ka qenë evidente edhe tek volumi i transaksioneve.
“Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-shtator 2017, ka pasur një ulje prej 985 milionë lekë ose 21.26% krahasuar me periudhën janar-shtator 2016. Gjithashtu dhe numri i transaksioneve është ulur në masën 34.60%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-shtator 2017 ka pasur ulje prej 769 milionë lekë ose 27.80% dhe gjithashtu, një ulje në numrin e transaksioneve në masën 20.90%, krahasuar me periudhën janar-shtator 2016
Vihet re një ulje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 1,781 milionë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” raportoi AMF.
Tregu i letrave me vlerë
AMF nënvizon se volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2017 u dominua në masën 71.41% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 28.59% ishin instrumente afatgjatë (obligacione).
“Përsa i përket numrit të transaksioneve, 93.20% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2017 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 61.05% dhe 29.08% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, për këtë periudhë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 99.56% të të gjitha transaksioneve në këtë treg”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.