Noterët nuk do sorrollasin më klientët për pagesat e apartamenteve; llogari të posaçme bankare për transaksionet, si do respektohen afatet

13/08/2020 11:01 PM 0 komente

Noterët do të duhet që të hapin një llogari të posaçme bankare që do të përdoret për transaksionet me klientët dhe palët e treta. Kjo llogari është e veçantë nga llogaria bankare që noteri përdor si person fizik ose si individ dhe nuk gjeneron interesa. Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një udhëzim që saktëson mënyrën sesi do të funksionojë pjesa e transaksioneve përmes këtyre llogarive si dhe respektimin e afateve për depozitimin e parave në llogarinë e palës përfituese.

Më herët, paratë (psh kur një individ donte të blinte apo shiste një shtëpi) kalonin te llogaria e noterit dhe ka pasur raste kur pagesat vonoheshin me javë të tëra, duke rrezikuar dhe krijimin e konflikteve mes palëve përkatëse. Tashmë procedura zgjat maksimumi dy javë.

Cilat transaksione mbulon udhëzimi

Janë të paktën tre lloj transaksionesh që mbulohen nga udhëzimi ku së pari transaksionet financiare, të cilat burojnë nga kontrata paraprake me objekt prenotim/porosi për ndërtimin e një pasurie të paluajtshme, të tilla si: kontratë sipërmarrjeje, kontratë shitjeje e një sendi në të ardhmen, kontratë porosie, kontratë ndërtimi pasuri e paluajtshme, kontratë cedim debie, kontratë kalim të drejtash e të tjera, për të cilat pagimi i çmimit të kontratës mund të kryhet nëpërmjet llogarisë së posaçme bankare të noterit ose nëpërmjet llogarisë bankare të palëve;

Së dyti transaksionet financiare, të cilat burojnë nga akte noteriale, që përmbajnë detyrime ndërmjet klientëve dhe së treti transaksionet financiare për ruajtje të vlerave monetare, në monedhën e vendit ose të huaj.

Trajtimi i transaksioneve që burojnë nga kontrata paraprake

Udhëizmi i Ministrisë së Drejtësisë sanksionon të gjithë hapat që hidhen për një transaksionqë buron nga kontratat paraprake për prenotim ose porosi. Kështu klientët bëjnë pagesën e çmimit në llogarinë e posaçme të noterit vetëm pasi ky i fundit ka bërë verifikimet nevojshme dhe ka sepcifikuar aktin notarial. Klienti provon pagesën në llogari përmes një dokumenti bankar . Pas marrjes së këtij dokumenti noteri kryen procedurat ligjore për regjistrimin e aktit noterial në regjistrat e posaçëm pranë Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, së bashku me një kopje të dokumentit bankar që konfirmon kryerjen e këtij transaksioni.

“Pas kryerjes së procedurave ligjore të regjistrimit të aktit noterial, sipas specifikimeve në aktin noterial, noteri transferon në llogarinë bankare të përfituesit të destinuar, shumën e depozituar në llogarinë e posaçme bankare, duke zbritur komisionin bankar të aplikuar nga banka për transfertën e kryer” thuhet në dokument.

Llogaria e posaçme banakare e noterit mund të përdoret edhe në raste të tjera aspecifike kur kërkohet nga klientët.

Respektimi i afateve

Një tjetër element i rëndësishëm në udhëzim është ai i respektimit të afateve për depozitimin e parave nga ana e noterit në llogarinë e përfituesit final. Nëse noteri nuk është në gjendje të kalojë, sipas aktit noterial, vlerat monetare te përfituesi i përcaktuar dhe në afatin kohor të specifikuar në aktin noterial, ai pasi të ketë mbaruar një afat i tillë, me procesverbalin përkatës i dorëzon të nesërmen e mbarimit të afatit të përcaktuar, vlerat monetare palës depozituese.

“Nëse akti noterial nuk përmban kufizimin kohor për kalimin e vlerave monetare të depozituara, noteri harton procesverbalin përkatës, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas marrjes së vlerave monetare në dorëzim, në rast se kalimi te përfituesi i destinuar nuk është kryer” thuhet në udhëzim.

Ky i fundit specifikon se fondet e depozituara në llogarinë e posaçme të noterit mbahen për llogari të klientit apo të një pale të tretë, për të cilat janë marrë dhe mbahen këto para. Mbajtja e fondeve të klientit ose e fondeve të palëve të treta në llogaritë personale të noterit është e ndaluar kategorikisht.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of