Nuk i ndali as pandemia, brenda vitit bankat në Kosovë fituan 80 milionë euro

12/02/2021 1:00 PM 0 komente

Fitimi i bankave komerciale nuk ka qenë i vogël edhe vitin e kaluar. Pavarësisht pandemisë, bankat që operojnë në Kosovë kanë fituar rreth 80 milionë euro. Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se të ardhurat e bankave kanë qenë 279.3 milionë euro.

 

Pavarësisht pandemisë, bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë shënuar fitim prej 79.9 milionë eurosh. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, fitimi i tyre është më i vogël me 6.3 milionë euro.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës mbi sistemin financiar, shihet se të hyrat e bankave kanë qenë 279.3 milionë euro, ku 212.2 milionë euro ishin të hyra nga interesi, kurse në muajin dhjetor të 2019-së është raportuar se këto të ardhura ishin 263.2 milionë euro. Për sa u përket shpenzimeve të bankave, në raport thuhet se 97.3 milionë euro kanë qenë shpenzime administrative, kurse 22.7 milionë euro shpenzime të interesit.

Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend.
Vlera e depozitave deri në këtë periudhë arriti në 4.36 miliardë euro, krahasuar me 3.91 miliardë euro një vit më parë, pra kishte rritje vjetore prej 11.5%.

“Norma efektive e interesit për depozita në muajin dhjetor të vitit 2020 është 1.5%, që krahasuar me normën efektive të interesit në kredi të reja është 7.1% dhe paraqet dallim prej 4.5 pikë përqindje”, thuhet në raport.
Kjo diferencë e lartë ka ndikuar që bankat gjatë kësaj periudhe të arrijnë fitime mjaft të larta. Derisa dallimi mes interesit në kredi dhe depozita do të jetë i lartë, bankat do të vazhdojnë të kenë shumë të hyra nga interesi dhe fare pak shpenzime për interes. Kreditë e këqija sipas raportit të BQK-së aktualisht janë 2.7%.

“Deri në muajin dhjetor 2020, sektori bankar regjistroi rënie të kredive jo-performuese dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione. Niveli i tyre shënoi rritje në 2.7% nga 2% që ishte në muajin dhjetor 2019. Niveli i mbulueshmërisë së këtyre kredive me provizione në këtë muaj arriti në 141.4%”.
Guvernatori i Bankës Qendrore së Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një deklarim për “Monitor” pati thënë se gjatë pandemisë ka pasur kërkesa të mëdha për kreditë.

Sipas tij, kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte i rëndësishëm. “Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte shumë i rëndësishëm në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaqua sektori bankar. Gjatë periudhës janar – tetor 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.2 miliardë euro, kurse vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në tetor 2020 ishte 3.2 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7%.”.

Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 11 banka komerciale, prej të cilave 9 janë me kapital të huaj. Numri i degëve të tyre 211, kurse këto banka kanë të punësuar 3,391 punëtorë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of