Intervistë me Adja Angjeli, Zëvendësdrejtore e Divizionit të Zhvillimit të Biznesit në Credins Bank
Adja Angjeli, zëvendësdrejtore e Divizionit të Zhvillimit të Biznesit në Credins Bank, thotë për revistën “Monitor” se, prej muajit qershor, kërkesa për kredi konsumatore u përmirësua ndjeshëm. Banka ka vazhduar të mbështesë këtë kërkesë, edhe në vijim të një fokusi të qëndrueshëm që sektori bankar ka në segmentin e individëve.
Sipas saj, ecuria sasiore dhe cilësore e portofolit në vazhdim do të jetë e lidhur ngushtë me zhvillimet ekonomike dhe me efektet që pandemia do të japë; megjithatë, zj. Angjeli mendon se rreziku në këtë segment klientësh paraqitet më i ulët dhe nuk pret pasoja shumë të rëndësishme në cilësinë e portofolit të kredisë.
Sa është prekur kërkesa për kredi konsumatore nga kriza ekonomike që shkaktoi pandemia? Cilat produkte janë ndikuar më shumë?
Natyrisht, gjithçka ndodh në sferën sociale, ndikon edhe në sferën ekonomike të gjithkujt dhe anasjelltas. Viti 2020 ishte një vit shumë i vështirë, në radhë të parë psikologjikisht, për të përballuar një koncept pandemie të pahasur më parë e më pas, për të përballuar efektet ekonomiko – sociale që rrodhën nga kjo pandemi. Kredia konsumatore në muajt e mbylljes totale u frenua thuajse totalisht, me pak raste të procesuara, të cilat vinin si rrjedhojë e kërkesave të realizuara përpara muajit mars 2020.
Tremujori i dytë i vitit pasqyroi kërkesë të ulët për këtë lloj produkti, duke qenë vetë fokusi i konsumatorëve i përqendruar më shumë në mbijetesë, sesa në realizimin e planeve të tyre konsumatore. Që prej muajit qershor, është vënë re një rimëkëmbje e kërkesës, shoqëruar edhe me hedhjen në treg të produkteve të reja, si për individin, edhe për biznesin e vogël, për t’iu ardhur në ndihmë klientëve, në një periudhë të vështirë si kjo që po kalojmë.
Keni ndërmarrë shtrëngime të ofertës, qoftë përmes kritereve të kreditimit ose rritjes së normave të interesit për kredinë konsumatore?
Siç e përmenda edhe më lart, gjatë kësaj kohe banka ka mbështetur totalisht kërkesat e klientëve të saj, duke qenë mbështetje për ta në çdo moment. Nuk mund të flitet kurrsesi për shtrëngim të ofertës, përveçse oferta ka ndjekur kërkesën e ulët që karakterizoi, mendoj, gjithë sistemin bankar në muajt mars – maj 2020.
Përkundrazi, produkti që ne kemi hedhur në treg në këtë periudhë dhe që do të jetë i disponueshëm deri në dhjetor 2020 quhet “Kredia Së Bashku” pikërisht për të treguar solidaritetin me klientët tanë, duke promovuar produkte me shumë facilitete, si në kohën e shpejtë të aprovimit (brenda 48 orësh), ashtu edhe në komponentët e produktit, siç është norma e interesit më e ulët, apo kohëzgjatja më e madhe e kredisë.
Prisni ndikime afatgjata në portofolin e kredisë konsumatore nga rritja e papunësisë, sidomos në produkte specifike të lidhura direkt me llogaritë e pagave, si overdraftet? A është reflektuar kriza në cilësinë e portofolit të kredisë konsumatore? Çfarë efektesh prisni deri në fund të vitit dhe në pjesën e parë të vitit 2021?
Deri tani, segmenti i klientëve tanë individë, pagamarrës ose jo në bankën tonë, ka treguar performancë shumë të mirë në portofolin e kredisë, kjo edhe në sajë të një përzgjedhjeje cilësore që në momentin e aprovimit të kredisë, por edhe si rrjedhojë e sjelljes korrekte të klientëve tanë kredimarrës.
Parashikimet për përkeqësime të mundshme në rritjen ekonomike sjellin edhe efekte në të gjithë komponentët e tjerë makroekonomikë të vendit, ku bën pjesë edhe papunësia. Megjithatë, mendoj që banka tashmë ka përvojë të mjaftueshme në menaxhimin e portofolit të kredisë, në të gjithë ciklet e ekonomisë, si në kohët e zgjerimeve ekonomike, ashtu edhe në kohët e tkurrjes ekonomike. Impakti në portofolin e kredisë, duke pasur parasysh edhe riskun e ulët që e karakterizon këtë segment klientësh, mendoj se do të jetë i ulët.
Sa e ndiejnë bankat konkurrencën e institucioneve të mikrofinancës në produktet e kredisë konsumatore? A e ka ndikuar qasjen tuaj ndaj këtij segmenti të tregut zgjerimi i kompanive që ofrojnë kredi të shpejta? Nëse po, në ç’mënyrë?
Banka dhe institucionet e mikrofinancës operojnë në të njëjtin treg, por me klientelë të ndryshme dhe nën një kuadër rregullator të ndryshëm, pikërisht sepse kanë ndryshime të qenësishme në përqasjen ndaj ndërtimit dhe performancës së portofolit të tyre. Mendoj që në një treg si yni, ka vend për të gjitha llojet e ndërmjetësimit financiar dhe asnjë palë nuk pengon tjetrën, përveçse shton konkurrencën, duke rritur cilësinë e produkteve dhe shërbimeve.
Objektivat e bankës, referuar rritjes së kredisë, edhe në këtë vit të vështirë, janë pothuajse në linjë me sa buxhetuar gjatë vitit të kaluar, gjë që tregon se klientët tanë i mbeten besnikë marrëdhënies afatgjatë dhe besimplotë të krijuar me bankën ndër vite, e cila, në kohët dixhitale ku po jetojmë, mbetet “thembra e Akilit” e institucioneve financiare bankare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.