Intervistë me Genti Beqirin, pedagog i makroekonomisë dhe ish-drejtor ekzekutiv i AIDA-s
Genti Beqiri, pedagog i makroekonomisë dhe ish-drejtor i Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se përmirësimet në strukturën e ekonomisë shqiptare në dekadat e fundit janë të vogla. Sipas tij, diversifikimi i zhvillimit ekonomik dhe nxitja e sektorëve më produktivë nuk nxiten mjaftueshëm as nga politikat afatshkurtra dhe as nga ato afatgjata.
Ai mendon se politikat shtetërore duhet të parashikojnë diferencime në trajtimin e prodhuesve nga tregtarët, me qëllim mbrojtjen dhe nxitjen e prodhimit vendas. Z. Beqiri shprehet se në dekadat e fundit është krijuar një boshllëk i madh në burimet njerëzore teknike, që janë kusht i domosdoshëm për zhvillimin industrial të vendit.
Vëreni sinjale të rëndësishme të ndryshimit të modelit të ekonomisë në të paktën 20 vitet e fundit?
Ka disa indicie të vogla përmirësimi, në kuptimin e ndërtimit të një ekonomie me kontribut më të balancuar nga sektorë të ndryshëm. Institucionet e specializuara dhe donatorët përsërisin shpesh mesazhin që vendit tonë i mungon një njohuri produktive. Kjo ka lidhje shumë me aspektin e edukimit teknik. Duhen ndërtuar kapacitete për të mbështetur ngritjen e një zhvillimi industrial dhe progresi teknik. Në vitet e fundit, qeveria po përpiqet të tërheqë kontribute të donatorëve në projekte të llojit “skills for job”, por sërish mendoj se po bëjmë shumë pak.
Nuk mund të diversifikosh ekonominë, nëse nuk ke burime njerëzore cilësore. Sistemi arsimor në Shqipëri ngelet thellësisht i orientuar drejt shkencave shoqërore. Shkollat tona nuk po prodhojnë më pedagogë matematike ose të lëndëve të tjera shkencore. Prurjet e reja janë shumë të pakta dhe jo cilësore. Duhet stimuluar me mënyra të ndryshme, duke filluar nga pagat, tërheqja e studentëve cilësorë në këto degë. Në afatin e gjatë, nuk mund të zhvillosh industrinë, nëse nuk ke inxhinierë apo teknicienë të mirë.
Çështja tjetër është që nëse duam të zhvillojmë dhe diversifikojmë ekonominë, duhet përmirësuar aspekti ligjor, koncepti i shtetit ligjor. Ka nevojë të thjeshtohet pjesa e taksimit. Ka nevojë të shtohen konceptet e llojit ‘one stop shop’, që thjeshtojnë procedurat.
Duhet bërë më shumë dhe këtë vullnet, nuk e shoh as te buxheti, as te planifikimi. Është gabim i madh shkrirja që u bë e Ministrisë së Ekonomisë me Ministrinë e Financave. Mospasja e një ministrie të dedikuar për zhvillimin ekonomik i ka përkeqësuar gjërat, sepse problematikat janë aq të shumta, sa nuk mund të mbulohen nga një ministër i vetëm, qoftë edhe me disa zëvendësministra. Kjo ishte një lëvizje e gabuar. Ne jemi mbrapa vendeve të rajonit në treguesit e raportit “Doing Business”.
Vendet fqinje punojnë shumë për ta përmirësuar këtë renditje, qoftë edhe për hir të faktit se ai është një marketing i mirë për ekonominë. Ndonjëherë ne jemi shumë neglizhentë te mënyra dhe afatet në të cilat iu përgjigjemi investitorëve, ndërkohë që vendet fqinje janë shumë të përkushtuara dhe korrekte në këtë drejtim.
Mund të evidentoni sektorë të caktuar që, për mendimin tuaj, kanë shfaqur përmirësime në një horizont kohor relativisht afatgjatë?
Vite më parë, ne kemi bërë një analizë të tendencave të eksporteve në harkun e disa dekadave. Nga kjo analizë, kuptohet qartë se ne kemi humbur shumë. Eksportet shqiptare pas viteve ’90 janë të përqendruara në shumë pak produkte. Po flasim kryesisht për naftën, mineralet dhe fasonerinë. Pjesa tjetër është shumë pak.
Mendoj se duhet të ketë një dallim edhe në trajtimin në politika mes tregtisë dhe prodhimit. Nuk mund të trajtohen njëlloj ata që blejnë një produkt jashtë dhe e shesin këtu dhe ata që e prodhojnë të njëjtin produkt në vend. Bizneset vendase mund të ndihmohen në aspektin e punësimit, në aspektin e trajnimit, në aspektin e certifikimit. Këto janë praktika që nuk shkelin parimet e tregtisë së lirë. Si i ndihmojnë ne prodhuesit vendas për të certifikuar produktet dhe për të lehtësuar eksportet?
Këto janë procese që duhen stimuluar. Mekanizmat janë, por për shembull, AIDA ka pasur një buxhet shumë të vogël për këtë qëllim. Këto janë mënyrat për të nxitur prodhimin vendas, për të rritur eksportet ose për të ulur importet. Vendet e tjera kanë mekanizma shumë të forta mbështetjeje për prodhimin vendas. Ndaj nuk është e lehtë për prodhuesit shqiptarë të shesin produktet e tyre, për shembull, në Maqedoninë e Veriut.
Cilët janë ata sektorë që kanë potenciale për ta mbështetur më shumë zhvillimin e ekonomisë shqiptare?
Në këtë moment ne po mbështetemi fort te turizmi. Por, që të kesh turizëm të zhvilluar dhe konkurrues, duhet të zhvillosh të gjithë sektorët që e furnizojnë turizmin. Duhet të merresh me bujqësinë, me agropërpunimin, me shërbimet, me infrastrukturën. Duhet gjithashtu të garantohet konkurrenca e ndershme. Megjithëse TVSH është bërë 6%, një pjesë e madhe e sektorit është ende e paformalizuar. Në këtë mënyrë ndihmojmë ata që kanë investuar dhe që mund të jenë më konkurrues.
Tjetër sektor që mund të jetë shumë i lidhur me turizmin është peshkimi. Ne jemi vendi më i prapambetur krahasuar me konkurrentët që kanë potenciale të këtij sektori. Kemi det, por nuk kemi flotë peshkimi. Çështja nuk është t’i ndihmosh vetëm me karburant pa akcizë. Ne nuk kemi flotë moderne, nuk kemi kantiere ku anijet të ndërtohen ose të riparohen. Ne portet i kemi copëzuar dhe i kemi shpërndarë në koncesione dhe PPP që nuk sjellin ndonjë vlerë apo zhvillim. Nëse duam turizëm, nuk mund të presim që peshku të vijë nga Greqia, nga Turqia apo nga Siria.
Në këtë drejtim, duhen marrë vendime strategjike. Para disa vitesh, Portin e Durrësit e kërkoi një kompani japoneze. Me sa duket, ata e shihnin Durrësin si një port ku mund të balancohej prania në rritje kineze në rajonin tonë. Por, kalatat e Portit të Durrësit ishin të ndara mes kompanive të ndryshme që i shfrytëzonin dhe nuk kishte ngelur shumë për një investitor të rëndësishëm.
Në lidhje me infrastrukturën, mendoj se është shumë e rëndësishme të sjellim alternativën e transportit hekurudhor. Turizmi nuk mund të zhvillohet vetëm me transport rrugor. Sot format moderne të transportit hekurudhor janë të domosdoshme për transportin e njerëzve dhe të mallrave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.