Tendenca e shtrenjtimit të tarifave të transportit rrugor të mallrave do të vijojë edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2022. Arsyeja e rritjes është shtimi i kostove operative të kompanive nga mungesa e drejtuesve të kamionëve. Operatorët e tregut pohojnë se pas karantinës të 2020-s, tarifat e transportit të mallrave me anije nga Kina arritën deri në 17,000 dollarë/kontejner. Për ekspertët e transportit detar, tarifat konsiderohen të fryra. Normalizimi pritet të zgjasë një vit, për të shkuar në nivele të pranueshme, por asnjëherë në nivelet e 2019-s
Dorina Azo
Tarifat e transportit rrugor të mallrave pritet të shtrenjtohen deri në mesin e vitit 2022, duke vijuar tendencën rritëse të konstatuar pas pandemisë.
Në përfundim të karantinës, pas hapjes së ekonomisë për shkak të kërkesës së lartë për produkte, tarifat e transportit rrugor për importin e mallrave nga vendet e Europës drejt Shqipërisë u shtrenjtuan 20%.
Tashmë, për shkak të mungesës së drejtuesve të kamionëve pritet të ndodhë sërish shtrenjtim tjetër. Andi Shijaku, drejtori i transportit ndërkombëtar të mallrave në “Shega Trans”, thotë se për 6 muajt në vazhdim, trendi i tarifave të transportit rrugor nga vendet e Europës drejt Shqipërisë do të jetë me rritje, për shkak të shtimit të kostove administrative nga mungesa e shoferëve të kamionëve.
Shijaku, nënvizon se shoferët shqiptarë kanë zgjedhur të emigrojnë kryesisht drejt vendeve të Europës. “Shumë vende të Europës janë në vështirësi për gjetjen e shoferëve të kamionëve. Mungesa e tyre ka ndikuar te funksionimi 50-60% të flotës së mjeteve të transportit. Dukuria është e pranishme edhe në Shqipëri. Shumë drejtues kamionësh kanë emigruar drejt shteteve si Gjermania, Italia apo Anglia. Mungesa e drejtuesve të mjeteve ka rritur kostot administrative për kompanitë, pasi janë rritur pagat për shoferët disponibël”.
Në Europë, Brexit, çështja e problemeve strukturore të kompanive të transportit dhe pandemia e përkeqësuan më tej situatën tashmë shqetësuese të mungesës së shoferëve, pasi drejtuesit e rinj nuk kanë mundur të praktikohen dhe të marrin një certifikatë profesionale, ndërkohë që kufizimet e shkaktuara nga Covid-19 e bëjnë punën edhe më pak tërheqëse.
Aktualisht, çmimet e importit të mallrave me kamion nga vendet e Europës drejt Shqipërisë janë 10 deri në 20% më të shtrenjta se nivelet e parakrizës. Për transportin e mallrave me kamion në Greqi, tarifa në 2019 ishte 700 euro, tani është 800 euro. Në Itali nga 900 euro është rritur në 950 euro për kamion.
Shtrenjtimi i tarifave të transportit nuk ka ndikuar te tkurrja e kërkesës për mallra. Sipas përfaqësuesit të operatorit “Shega Trans”, kërkesa për transport e mallrave është shumë e lartë dhe e papërballueshme me flotën e mjeteve dhe drejtuesit e kamionëve që disponojnë.
Rritja më e lartë e tarifave për transportin e mallrave, nga Kina
Në periudhën pas karantinës, kostot më të larta për transport kanë qenë për importin e mallrave nga Kina. Pas hapjes së ekonomisë, tarifat e transportit për importin e mallrave nga Kina u rritën 80% në krahasim me vitin 2019. Para periudhës së krizës, tarifa për importin e një kontejneri me mallra nga Kina ishte 2,000 – 3,000 dollarë. Tarifa e transportit aktualisht është 12,000 – 17,000 dollarë.
Andi Shijaku, drejtor i transportit ndërkombëtar në kompaninë “Shega Trans”, pohon se rritja e çmimeve ndodhi për shkak të kërkesës së lartë për mallra nga ekonomia botërore. Fluksi i lartë i kërkesës pas hapjes së ekonomisë globale, sipas tij, krijoi probleme në menaxhimin e kontejnerëve me mallra në portet detare. Edhe rritja e çmimit të karburanteve ndikoi për shtrenjtimin e tarifave të transportit. “Prej disa muajsh, çmimet e transportit ndërkombëtar të kontejnerëve janë rritur. Para periudhës së krizës, çmimet e transportit ndërkombëtar me anije të kontejnerëve kanë variuar 2,000 deri në 3,000 dollarë nga Kina për në Shqipëri.
Aktualisht, tarifat variojnë nga 12,000 deri në 15,000 dollarë. Arsyeja e rritjes së tarifave të transportit detar në botë është shtimi i lartë i kërkesës pas periudhës së karantinës nga shumë industri të ekonomive botërore. Përgjigjja e kompanive për të siguruar transportin me anije të kontejnerëve ka qenë më e ulët sesa kërkesa.
Në anën tjetër, për shkak të fluksit të lartë për transport, operimi dhe menaxhimi për shkarkimin e kontejnerëve në porte u vështirësua. Situata ka krijuar vonesa në transportin e mallrave me kontejnerë dhe automatikisht ka ndikuar te rritja e çmimeve. Shtrenjtimi i karburantit në tregjet ndërkombëtare është arsye tjetër e rritjes së çmimeve”, pohon z. Shijaku.
Nis rënia e tarifave për transportin e mallrave rifuxho
Prej disa javësh, tarifat e transportit detar kanë filluar të ulen 5-7% në krahasim me periudhën pas hapjes së ekonomisë ku shënuan pikun e tyre. Artur Dedja, nga kompania “Dedja Shipping”, e cila kryen transport të mallrave gjenerale dhe rifuxho, thotë se tkurrja e kërkesës është arsyeja kryesore e rënies së çmimeve.
“Edhe pse dhjetor, rënia nga çmimet e fryra ka nisur. Në uljen e çmimit të tarifave të transportit ka ndikuar tkurrja e kërkesës për shkak të uljes së kërkesës dhe fuqisë blerëse e ardhur si rezultat i çmimeve të larta në transport dhe në produkte. Çmimet e mallrave patën rritje të madhe, duke u ndjekur dhe me rritjen e energjisë, e cila i bëri disa blerje të pamundura, ose i anuloi. Të tjerë ndryshuan formë transporti, tren apo kamion”.
Sipas përfaqësuesit të kompanisë “Dedja Shipping”, tarifat e transportit për mallrat gjenerale pas hapjes së ekonomisë ishin 30-40% më shumë në krahasim me periudhën e një viti më parë. “Arsyet e rritjes së tarifave për transport ishin shtimi i kërkesës për mallra pas hapjes së ekonomisë, gjë që çoi në rritjen e menjëhershme të tyre. Indekset e dërgesave janë në rënie edhe pse sektori i kontejnerëve vazhdon të mbetet i lartë, me luhatje të vogla. Në LA/LB-SHBA (Los Anxhelos/Long Beach) sot numërohen 80 anije të bllokuara për shkarkim.
Transportuesit e mëdhenj të kontejnerëve deklaruan fitime kolosale për 3-mujorin e tretë 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 për 1xTEU (njësi matëse) si më poshtë: kompania CMA CGM rriti fitimet 107%; HAPAG-LLOYD 106%; MAERSK 90% dhe ONE 129%”.
Si po ndikon shtrenjtimi i tarifave të transportit te bizneset
Efektet e shtrenjtimit të tarifave të transportit ende nuk po ndihen në sektorin e prodhimit të mobilieve, pasi siç thekson Ilir Linza, administrator i FPM (Fabrikës së Prodhimit të Mobilieve) që tregton mobilie nën logon “BestSeller”, shitjet për 2021 janë 25% më të larta se vjet. “Për këtë vit, kërkesa si për tregun e brendshëm edhe për eksport, ka qenë më e lartë se në 2020. Rritjen më të madhe e kanë pasur eksportet, sidomos me Italinë.
Në krahasim me 2020, eksportet në Itali janë dyfishuar. Kërkesa globale për mobilie këtë vit ka qenë shumë e lartë, pasi shtete të ndryshme injektuan më shumë para për popullatën, për të përballuar krizën nga Covid-19. Individët kanë pasur më shumë para në duar të cilat i kanë investuar për shpenzimet bazike, por edhe për rinovime apo blerje mobiliesh”.
Për 2021, sipas Linzës, kompania e ka kryer importin dhe eksportin e mobilieve më tepër me kamionë, për shkak të tarifave të larta të kontejnerëve të anijeve. “Transporti i kontejnerëve me anije, si për importin dhe eksportin e mallrave ka shënuar rritjen më të lartë, ndërsa transporti me kamionë ka më pak ndryshime. Rritja më e lartë e tarifave të transportit ka ndodhur për importin e mallrave nga Kina. Për importin e mallrave, tarifa e transportit të kontejnerëve me Kinën nga 2,500 dollarë për kontejner që ishte para krizës aktualisht është 15,000 dollarë.
Në Ukrainë, tarifa e transportit nga 2,000 euro për kamion që ishte para periudhës së krizës është 2,500 euro. Rritja e tarifës së transportit në Ukrainë është ndikuar nga rritja e lartë e kërkesës për mobilie në Europën Lindore. Tarifat kanë ndryshuar edhe për Europën, por çmimet janë rritur 5-10%, nuk janë pesëfishuar siç ka ndodhur me Kinën. Nëse para krizës, tarifa e transportit për kamion në Itali ishte 900 euro, aktualisht kushton 950 euro, në Rumani nga 1,300 euro, transporti tani kushton 1,400 euro. Ajo konsiderohet normale duke pasur parasysh rritjen e çmimit të naftës”.
Kostoja e transportit për eksportin e mobilieve në vendet e largëta ka rënduar më tepër konsumatorin. “Po hasim shumë vështirësi në eksportin e mallrave me kontejnerë drejt Kanadasë dhe SHBA-së. Nuk arrijmë të gjejmë kontejnerë, pasi edhe ata që vijnë në Shqipëri janë të prenotuar për kthimin. Problem për eksportin e kontejnerëve në SHBA është edhe shtrenjtimi i tarifave. Nëse transporti i një kontejneri kushtonte 2,500 dollarë para krizës, aktualisht çmimi është dyfishuar dhe ka arritur 4,500 deri në 5,000 dollarë. Shtrenjtimi i tarifave të kontejnerëve më tepër ka ndikuar te klientët tanë, të cilët e kanë paguar ata transportin”.
Ndryshe nga sektori i prodhimit të mobilieve, shtrenjtimi i tarifave të transportit është shqetësues për sektorin e pajisjeve hidrosanitare. Për shkak të rritjes së lartë të tarifave të transportit nga Kina, operatorë shqiptarë janë detyruar të braktisin tregun kinez dhe të furnizohen më shumë nga fabrikat e Egjiptit dhe Indisë. Operatorë të tjerë nuk janë larguar nga furnizuesit tradicionalë si Italia dhe Spanja, pavarësisht se edhe në këto vende janë shtrenjtuar tarifat e transportit dhe të pajisjeve.
Drejtuesi i kompanisë “Henri 2000”, Ylli Xhakollari, pohoi se para fillimit të pandemisë, disa furnizime për pajisje hidrosanitare janë bërë në Kina, por për shkak të rritjes së çmimit të transportit mbi 16,000 euro për kontejner, kompania po furnizohet tani më tepër nga Egjipti dhe India.
“Në Kinë kisha paguar 30% të shumës për t’u furnizuar me disa kontejnerë, por nuk i tërhoqëm, pasi nuk ishte e leverdishme për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të transportit. Tashmë po furnizohemi më shumë në fabrikat nga Egjipti dhe India, me të cilat kemi bërë marrëveshje që tarifa e transportit të përfshihet në çmimin e blerjes. Kjo është shumë e leverdishme për ne, pasi paguajmë vetëm tarifën e transportit nga Porti i Durrësit drejt magazinave në vlerën e 400 eurove”. Kompania importon pajisjet nga shtetet si: Italia, Turqia, Egjipti dhe India.
Rritja e tarifave të transportit, efekti domino te sektori fason
Shtrenjtimi i tarifave të transportit të mallrave ka ndikuar negativisht për prodhimin e ndërmarrjeve fason me cikël të mbyllur. Kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, Edvin Prençe, thotë se për ndërmarrjet e tjera që punojnë për porositë e të tretëve, situata konsiderohet e favorshme, pasi vonesat e transportit nga tregjet aziatike ka rritur kërkesën për prodhim në tregun shqiptar.
“Rritja e tarifave të transportit të mallrave për sektorin e manifakturës së veshjeve dhe këpucëve ka ndikim të pjesshëm, pasi 60% e sektorit punon me material porositësi (RPA) dhe në shumicën e rasteve është kosto e klientit final. Ndërsa për 40% të bizneseve që punojnë me cikël të mbyllur ose të alternuar, kostot e rritura tej mase dhe jashtë çdo parashikimi të mundur, u vështirësojnë vazhdimësinë e prodhimit ose u ulin xhiron e fitimit bizneseve, të cilët për të qenë konkurrues në tregun europian janë të detyruar që këtë kosto ta mbajnë mbi vete. Ana e mirë e medaljes – duke pasur vonesa në dorëzim nga vendet aziatike dhe rritje të çmimeve të transportit – po kthehet si një rast unik për ‘Made In Albania’, pasi klientë të rinj po trokasin në dyert tona për prodhimet e tyre.
Sektori ka një rritje të kërkesës për prodhime që duke e krahasuar me vitin normal 2019, është 30% më shumë. Brandet europiane po parapëlqejnë vendet ballkanike dhe sidomos Shqipërinë për porositë e tyre. Të gjitha bizneset prodhuese kanë një prodhim të programuar deri në maj 2022 dhe në të shumtën e rasteve u është referuar edhe prodhimi klientëve potencialë, për mungesë të krahut të punës që llogaritet në rreth 15.000 vende të lira pune aktualisht”, nënvizon z. Prençe.
A do të ulen çmimet e transportit?
Ndryshe nga sa pritet që tarifat e transportit rrugor të mallrave të rriten, për transportin detar operatorët parashikojnë rënie të çmimeve në 2022. Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve, parashikon stabilizim të çmimeve të transportit të mallrave nga Kina në mesin e vitit 2022. Sipas tij, rënia e konsumit po reflektohet me rënie të kërkesës që do të çojë në uljen e tarifave të transportit për mallrat e importit të Kinës.
“Faktori kryesor që ndikoi te rritja galopante e çmimeve të transportit të kontejnerëve ishte pamundësia e porteve më të mëdha në botë për të përpunuar me mijëra kontejnerë të mallrave. Në portet e Kinës dhe SHBA-së, ka pasur mungesë të punonjësve për shkak të infektimeve nga Covid-19.
Për këtë arsye, portet më të mëdha në botë e kanë pasur të pamundur të përpunojnë me mijëra kontejnerë të mallrave dhe si pasojë, çmimet e transportit janë rritur nga 3,000 dollarë në 15,000 deri në 17,000 dollarë. Parashikohet që çmimet të stabilizohen mesin e vitit 2022. Nuk mund të vazhdohet më me këto tarifa. Shtrenjtimi i tarifave të transportit është reflektuar te çmimi i mallrave. Konsumatori ka nisur të reduktojë blerjet. Rënia e kërkesës do të reflektohet me rënien e volumit të mallrave që përpunohen në porte, gjë që do të sjellë rënie të çmimit të tarifave të transportit”.
Rënia e çmimeve për kontejnerët e mallrave nga Kina do të fillojë të ndihet pas vitit të ri. “Çmimet e tarifave të transportit të kontejnerëve me anije nuk parashikojmë të shënojnë rritje, pasi janë në ciklin maksimal të nivelit të tyre. Nga janari 2022 pritet që tarifat e transportit ndërkombëtar të mallrave me kontejnerë të ulen”, pohon Andi Shijaku nga “Shega Trans”.
Artur Dedja nga “Dedja Shipping”, thotë se do të duhet të paktën edhe një vit që çmimet e transportit detar të mallrave të normalizohen, por nuk pritet që ato të arrijnë në nivelet para krizës së Covid-19. “Bota në 2021 pagoi mbi 100% vlerë transporti për TEU, ndryshe nga sa paguante në vitin 2020. Nxitimi kolektiv botëror për të shfrytëzuar hapjen u kthye në bumerang për shumë kompani, të cilat nuk i rezistuan këtij vrulli.
Normalizimi i tregut pritet të zgjasë edhe një vit, për të shkuar në nivele të pranueshme, por asnjëherë në nivelet e 2019-s. Transporti detar, tani e tutje, do të jetë i paguar mirë. Efekti i madh që shkaktoi rritja është edhe sepse nivelet e mëparshme ishin shumë të ulëta, jo në normalitet”, thekson z. Dedja. Në periudhën post-karantinës nga Covid-19, shtrenjtimi më i lartë ndodhi për tarifat e transportit të mallrave nga Kina. Rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe rënia e kërkesës janë sinjalet për zbutjen e tarifave të transportit të mallrave nga Kina.
Pse u rritën tarifat e transportit ndërkombëtar të mallrave?
Tarifat e transportit të kontejnerëve 4-fish më të shtrenjta se viti 2019 e kanë bërë dramatike situatën e këtij sektori për vitin 2021 shkruan The Economist në artikullin me titull “Stuhia e përsosur në transportin e kontejnerëve”. Shkaku i menjëhershëm i kësaj dukurie është Covid-19, e ndikuar nga kërkesa e lartë për mallra produkti prej ekonomive botërore, pas miratimit të paketave mbështetëse.
Kostoja mesatare e transportit të një kontejneri të madh (njësia e barabartë me 40 këmbë, ose FEU) ka tejkaluar vlerën e 10,000 dollarëve apo rreth katër herë më e lartë se një vit më parë. Çmimi për dërgimin e një kontejneri nga Shangai drejt Nju Jorkut është 15,000 dollarë nga 2,500 dollarë që ishte në vitin 2019. Sigurimi i një rezervimi me vonesë në rrugën më të ngarkuar, nga Kina në bregun perëndimor të Amerikës, mund të kushtojë 20,000 dollarë.
“Rreth 10,4 trilionë dollarë stimul ekonomik në nivel global kanë nxitur një rikthim të furishëm, por njëkohësisht të çuditshëm, ku konsumatorët po shpenzojnë më shumë se normalisht për mallra, duke tendosur kështu zinxhirët globalë të furnizimit që janë tashmë të uritur për investime.
Rritja e kërkesës është aq e fuqishme, sa që oferta po e përballon me vështirësi atë. Shoferët e kamionëve po marrin shpërblime shtesë për të qëndruar në punë, një anije kontejnerësh është ankoruar jashtë bregut të Kalifornisë, duke pritur që portet të jenë gati dhe ndërkohë çmimet e energjisë po kapin majat.”
Normaliteti në transportin detar sipas The Economist mund të kthehet pas vitit të ri kinez në shkurtin e 2022. “Sektori i transportit detar deri në vitin 2019 ishte vetë disiplinuar, si për nivelin e kapacitetit që ofronte dhe librin e porosive për anijet e reja. Më pas erdhi Covid-19. Kompanitë e transportit detar që prisnin kolaps të tregtisë, tashmë hodhën në punë 11% të flotës globale. Në fakt, tregtia u ndal dhe normat e transportit filluan të rriten. Dhe, të mbushur me para nga stimuli ekonomik, amerikanët filluan të shpenzojnë më shumë.
Në shtatë muajt e parë të 2021, vëllimet e ngarkesave midis Azisë dhe Amerikës së Veriut u rritën me 27% krahasuar me nivelet para pandemisë, sipas BIMCO, një shoqatë e pronarëve të anijeve. Shfrytëzimi i porteve në Amerikë ishte 14% më i lartë në tremujorin e dytë të 2021 se në 2019. Në shtete të tjera xhiroja ka pasur më pak rritje. Në Europën Veriore është 1% më e ulët se 2019. Megjithatë tarifat në të gjitha rrugët janë rritur, sepse anijet janë nisur për t’i shërbyer tregtisë fitimprurëse të transportit të mallrave.
Ndikimi i kostove të transportit varet nga malli që transportohet. Ata që shpresojnë të importojnë gjëra të lira dhe sasi të mëdha, si mobilet mund të presin gjatë. Tarifat aktuale janë 1,000 dollarë më të shtrenjta edhe për transportin e një divani që udhëton nga Kina në Amerikë. Efektet në çmimet e produkteve deri më tani mund të jenë zbutur, pasi rreth 60% e mallrave i nënshtrohen marrëveshjeve kontraktuale me tarifat e transportit të rënë dakord paraprakisht dhe vetëm 40% ndaj çmimeve të rritura”.
Shkaqet kryesore të rritjes të tarifave të transportit janë komplekse dhe përfshijnë ndryshimin e modeleve tregtare dhe zhbalancimeve, menaxhimin e kapacitetit nga transportuesit në fillim të krizës dhe vonesat e vazhdueshme të lidhura me Covid-19 në pikat e lidhjes së transportit, siç janë portet, sipas Agjencisë të Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD).
Në përmbledhjen e politikave të UNCTAD nënvizohet se flukset e tregtisë detare u rritën më shumë pas lehtësimit të masave kufizuese, miratimit nga qeveritë të paketave stimuluese ekonomike dhe sasisë të lartë të mallit që bizneset grumbulluan në pritje të valëve të reja të pandemisë. Për këto arsye kërkesa për transportin e mallrave u rrit, ndërsa kompanitë transportuese u zunë në befasi për përballimin e fluksit të lartë.
“Ndryshimet në konsum dhe modelet e blerjeve për shkak të pandemisë nga Covid-19, duke përfshirë rritjen e tregtisë elektronike, si dhe lehtësimin e masave kufizuese kanë çuar në rritjen e kërkesës për import për produkte të konsumit, një pjesë e madhe e të cilave transportohet nëpërmjet kontejnerëve. Rritja e kërkesës ishte më e fortë se sa pritej dhe nuk u realizua furnizim i mjaftueshëm për të gjithë. Transportuesit dhe portet u kapën në befasi”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.