Gastronomët e Kosovës kanë paralajmëruar përsëri protesta.
Pronarët e lokaleve janë shprehur të shprehur të pakënaqur me Qeverinë në raport me lehtësimin e masave mos mbajtjen e premtimeve në raport me ta. E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar përsëri Qeverinë lidhur me masat kundër Covid-19. Ish-kryeministri ka kërkuar hapjen e plotë të ekonomisë.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve, Petrit Kllokoqi, është shprehur i pakënaqur me Qeverinë në raport me lehtësimin e masave dhe mos mbajtjen e premtimeve në raport me ta.
Kllokoqi thotë se të gjitha vendet e rajonit u hapën, por jo edhe Kosova.
I pari i gastronomëve ka kujtuar se në qeverisjen paraprake kanë mbajtur tri protesta, duke shtuar se nuk do t’i nënshtrohen as kësaj qeverie.
“Ne s’kemi ende vaksina, ne jemi ende të mbyllur, ne s’kemi plan për verën… Ne nuk iu nënshtruam as Qeverisë së kaluar, ku mbajtëm tri protesta, dhe nuk do t’i nënshtrohemi as kësaj Qeverie”.
Ai tutje ka bere publike edhe disa nga betimet që kanë bërë gastronomet, dhe nga të cilat nuk do të heqin dorë.
“Të dashur gastronom, fillimi me qeverisjen e re ishte i rëndë, i cili na mbylli për 12 ditë – Gastronomët pranuan. Për 7 ditë takime me ta, u dakorduam që do t’i respektojmë masat – Gastronomët respektuan. U betuan që në fillim të muajit maj do të na subvencionojnë për 15 ditët e para të muajit prill, ndërsa tash jemi më 10 maj, Gastronomët u harruan. U betuan që nëse ulen rastet orari do të ndryshojë dhe masat do të zbuten, ndërsa as në takim nuk na ftuan – Gastronomët u anashkaluan”.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve ka bërë me dije se nuk i janë nënshtruar as Qeverisë së kaluar, ku mbajtëm tri protesta, dhe nuk do t’i nënshtrohen as kësaj Qeverie.
“Maskat po hiqen, masat u hiqen, klubet e natës po hapen, dasmat po mbahen, këngëtarët kanë bërë datat në Shqipëri, rezervimet e sallave janë bërë … Ne s’kemi ende vaksina, ne jemi ende të mbyllur, ne s’kemi plan për verën… Ne nuk iu nënshtruam as Qeverisë së kaluar, ku mbajtëm tri protesta, dhe nuk do t’i nënshtrohemi as kësaj Qeverie”.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar përsëri Qeverinë lidhur me masat kundër Covid-19. Ish-kryeministri ka kërkuar hapjen e plotë të ekonomisë.
Ai e ka konsideruar të vonuar dhe të pamjaftueshme ndihmën e shtetit për këtë sektorë të prekur nga pandemia.
“Gastronomia i ka bartur pasojat më të mëdha të izolimit dhe masave qeveritare të menaxhimit të pandemisë. Sonte u bashkuam në iftar me gastronomë nga i tërë vendi, me të cilët biseduam për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen. Ndihmat qeveritare për këtë sektor, përpos që kanë qenë të vonuara, kanë qenë edhe të pamjaftueshme. Ndërkohë, qeveria ka vazhduar që me masa jologjike, të paargumentuara dhe me panikë, të ndëshkojë edhe më tutje gastronominë. Pas parasysh që shumica dërmuese e bizneseve që merren me gastronomi janë të vogla ose të mesme, mungesa e ndihmës shtetërore, mund të thellojë edhe më tepër rritjen e papunësisë që mund të çojë deri në rënien fatale të ekonomisë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se masat qeveritare që merren në kuadër të menaxhimit të pandemisë, kërkojnë analizë të kujdesshme, pasi që shumë prej tyre, kanë shkaktuar pasoja të panevojshme ekonomike.
“Pasi që numri i të infektuarve në vend ka shënuar rënie të ndjeshme, kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave panikuese dhe hapjen e plotë të ekonomisë, ashtu siç dhe ka premtuar kjo qeveri. Çdo ditë e humbur është e pa kompensueshme. Unë dhe partia që e drejtoj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi në përkrahje dhe mbështetje të plotë të kërkesave legjitime të gastronomëve. Do të jemi bashkë me ta, për të kundërshtuar padrejtësinë që po i bëhet këtij sektori nga paaftësia e qeverisë që të ndërmarrë hapa të guximshëm në favor të rimëkëmbjes ekonomike”.
Edhe pse shumë biznese të cilat nuk u ndalën së punuari asnjëherë në pandemi morën nga shteti mbështetje financiare nga masa për punëtorë nga 290 euro, disa biznese individuale që ishin të mbyllura për shkak të masave kufizuese nuk kanë arrit ta marrin këtë mbështetje asnjëherë.
Përveç mjeteve të ndara në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, sektori i gastronomisë po kërkon nga qeveria ndihmë financiare për masat e fundit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, që kanë qenë në fuqi deri më 18 prill.
Në bazë të këtyre masave nga data 7 deri më 18 prill, qeveria kishte pezulluar aktiviteteve në shërbimet e gastronomisë, përveç shërbimeve ‘merr me vete’ dhe atyre me porosi.
Deri më tani nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike, për sektorin privat janë ndarë 30 milionë euro. Nga kjo vlerë, gjashtë milionë e gjysmë janë ndarë për të vetëpunësuarit, një milion për gratë në ekonomi dhe një milion e gjysmë për mbulimin e tarifës së garantuar për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, 13 milionë euro për sektorin e bujqësisë dhe tetë milionë për subvencionim të tarifës për Burime të Ripërtërishme të Energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.