Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për heqjen e licencës për 17 subjekte që janë në tregun e energjisë për shkak se nuk kanë paguar ndaj tij detyirmin e përvitshëm. Në një listë të gjatë më vendime ERE sqaron se nga ana e subjekteve nuk ka pasur reagim për pagesat rregullatore edhe pse janë njoftuar disa herë rreth këtij detyrimi. Licencat janë kryesisht prodhimi apo tregtimi energjie dhe kanë një afat deri në 30 vjet por që çdo vit pranë ERE-s duhet të paguhet një shumë e caktuar si pagesë rregullatore dhe që bazohet në bilancin e një viti më parë.
Më herët me një vendim të qershorit Enti bëri me dije se pagesat rregullatore mund të shlyheshin deri në korrik nga ana e subjekteve. Kjo erdhi në kushtet edhe të situatës së COVID-19 kur kontakti nëpër zyra dhe qarrkullimi u minimizua.
Sipas vendimit të asaj kohe nënvizohej shtyrja deri në datën 31.07.2020 të afatit të shlyerjes së detyrimeve aktuale të vitit 2019 dhe atyre të prapambetura, të të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike dhe të gazit natyror të parashikuar në nenin 17, pika 5 të ligjit nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar.
“Të gjithë të licencuarit në sektorin e energjisë elektrike dhe të gazit natyror, të cilët janë debitorë ndaj ERE-s në shlyerjen e pagesave të rregullimit, të shlyejnë detyrimet aktuale dhe ato të prapambetura, jo më vonë se data 31.07.2020. Me përfundimin e afatit të parashikuar në pikën 1 dhe 2 të këtij vendimi, për subjektet që nuk kanë shlyer detyrimet në kohë, ERE do të marrë masat administrative, në përputhje me nenin 107, të Ligjit nr. 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar” thuhej në vendimin e ERE.
Pikërisht neglizhenca e këtij vendimi nga ana e subjekve ka bërë që ERE të fillojë procedurat për heqjen e licencës ndëkrohë që sipas ligjit edhe në këto kushte ata kanë 30 ditë kohë për të vepruar duke shlyer detyrimet karshi Entit.
Mospagesa e detyrimeve rregullatore për disa subjekte nuk përfshin vetëm vitin 2019 por edhe vitin parardhës duke rritur kështu barrën e borxhit që kanë ndaj rregullatorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.