Intervistë me Aida Bediava, Drejtore e Komanduar e Divizionit Financiar, Credins Bank
Credins Bank nuk pret rritje të rëndësishme të normave të interesit në tregun financiar në afatin e mesëm.
Aida Bediava, Drejtore e Komanduar e Divizionit Financiar, thotë se, për momentin, nuk ka sinjale që të tregojnë se mund të ketë rritje të interesave në ato përmasa që mund të përkeqësojnë cilësinë e aktiveve të bankave, apo të kushtëzojnë shmangie nga strategjitë e tyre të investimeve.
Sa shpejt mendoni se do të fillojë rritja e normave të interesit në Shqipëri?
Rritja e normave të interesit vjen si pasojë e kërkesë/ofertës për fonde në ekonomi dhe si rrjedhojë e kuotimit të normave referencë bazë. Ne nuk presim që të ketë ndryshime të rëndësishme të normave të interesit në treg, në afat të mesëm.
Çfarë implikimesh prisni të ketë inflacioni dhe eventualisht rritja e normave të interesit në rezultatin neto nga interesat?
Rritja e inflacionit, në nivel global dhe jo vetëm në Shqipëri, është tashmë e qartë se është direkt e lidhur me ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit nga prodhuesit te konsumatori për të gjithë sektorët dhe me ballafaqimin me kërkesën e konsumatorëve pas rihapjes së ekonomisë në fillimvitin 2021 e më tej.
Ndërkohë, duket se rritja ekonomike po tregon se të gjitha ekonomitë po u rikthehen niveleve të para pandemisë, ose po performojnë edhe më mirë. Sigurisht që këto janë momente ku mund të ndihet ndikimi edhe në performancën e ndërmjetësve financiarë, por vlen të theksohet se ndërmjetësit financiarë, sidomos bankat, aplikojnë politika të mbrojtjes nga rreziku i ndryshimeve të normave të interesit bazë, duke u përpjekur të ruajnë qëndrueshmërinë në raste të luhatjeve të tregut.
Si prisni të ndikohet cilësia e kredive dhe në cilin sektor mendoni se mund të ketë ndikim përkeqësues?
Ndryshimi i normave të interesit në kredidhënie nuk pritet të ketë efekt aq të rëndësishëm sa të ndikojë në performancën e kredive dhe në kushtet korrente nuk vlerësohet të jetë një nga faktorët përcaktues në këtë aspekt.
Çfarë ndikimi do të ketë në Shqipëri rritja e normave të interesit në Eurozonë dhe tregjet e tjera të zhvilluara?
Ekonomia shqiptare është e ekspozuar ndaj ekonomive të Eurozonës dhe më tej, për pasojë edhe transaksionet në valutë të huaj kanë njëfarë peshe. Në këtë kontekst, çdo ndryshim që reflektohet në tregjet ndërkombëtare për monedhat bazë Euro dhe Dollar Amerikan, do të sjellë impakt edhe në Shqipëri.
Gjithsesi, autoritetet monetare si në Eurozone, apo në Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të kujdesshme për çdo ndërhyrje të mundshme dhe në masën e ndërhyrjeve. Po kështu ka qenë edhe qëndrimi i Bankës së Shqipërisë në vendimmarrjen e radhës për Politikën Monetare. Ndikimi sigurisht që varet dhe nga masa e ndryshimeve, por, siç e përmenda më parë, nuk pritet të ketë luhatje të rëndësishme dhe të menjëhershme në këtë drejtim.
A do të kishte presion të shtuar banka juaj për të investuar më shumë në vendet e zhvilluara, nëse normat e interesit rriten më shpejt se në Shqipëri?
Investimet që kryen banka, në fakt, bazohen në politikën e investimit, e cila nuk udhëhiqet vetëm nga maksimizimi i fitimit, por edhe nga ekspozimi ndaj rreziqeve, apo dhe nga kërkesa të tjera rregullatore. Për më tepër, bankat priren që investime të rëndësishme të portofolit t’i kryejnë bazuar në indikatorë të qëndrueshëm dhe jo vetëm në situata transitore, apo me rrezik të lartë, siç mund të jenë disa lëvizje momentale.
Edhe pse pandemia e Covid-19 parashtron një situatë pothuajse të paprecedentë për ekonominë globale në tërësi, përsëri tregjet financiare priren të shkojnë në ekuilibër, pavarësisht se stabilizimi do të kërkojë kohë. Fakti që situata është e paprecedentë, shton kujdesin edhe në vlerësimin e pritshmërive, sidomos atyre afatmesme.
A prisni që kërkesa e qeverisë për borxh publik të kufizohet në rast se rriten normat e interesit dhe cila do të ishte strategjia për zëvendësimin e investimit në tituj qeveritarë?
Në pritshmëritë për ndryshimin e normave të interesit, nëse do të ketë ndërhyrje të tilla, nuk pritet që ndërhyrjet të jenë aq të rëndësishme sa të kenë impakt të konsiderueshëm brenda vitit 2022. Pavarësisht se rritja e përgjithshme e inflacionit diskutohet prej kohësh midis ekonomistëve, përsëri nuk janë parë lëvizje konkrete nga autoritetet rregullatore të Eurozonës.
Në afat të shkurtër, nuk presim ndryshime në këtë aspekt. Në të njëjtën linjë pritet se do të vijohet edhe në Shqipëri, duke qenë se këto trende nuk lidhen vetëm me ekonominë tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.