KQZ ka numëruar tashmë mbi 98% të votave. Lëvizja Vetëvendosje po prin e para me 48.17% të votave. Ndërkohë e dyta është PDK me 17.35% të votave dhe e treta vjen LDK me 13.18% të votave. Aktualisht AAK ka 7.42% të votave. Nisma ka vetëm 2.59% të votave.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Qytetarët e Kosovës dje i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas rezultateve të deritanishme nga ana e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë e para me 48,17%, pas saj renditet PDK-ja me 17,35%, e treta është LDK-ja me 13,18% dhe AAK me 7,42%.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se numërimi i votave ka përfunduar mbrëmë, ndërkaq kanë mbetur pa u procesuar vetëm 46 vendvotime.
“Numërimi i fletëvotimeve ka përfunduar të dielën në mbrëmje. Në ueb faqe janë transmetuar rezultatet nga 2336 vendvotime apo rreth 99%. Kanë mbetur pa u procesuar vetëm 46 vendvotime të dhënat e të cilave do të ngarkohen gjatë ditës”, ka shkruar Elezi.
Dalja në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ishte 45.56 për qind.
Ndërkaq, pas shpalljes së rezultateve preliminare, Albin Kurti nga LVV tha se u vërtetua se zgjedhjet ishin një referendum për drejtësi.
I pari i partisë fituese tha se në mandatin e ardhshëm qeverisës nuk do të hakmerren ndaj askujt, por do të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi kudo.
Ndërkaq, Enver Hoxhaj nga PDK tha se rezultati është mesazh i qartë për PDK-në dhe se ata e kanë pranuar si të tillë.
“Ne përgëzojmë LVV për rezultatin e arritur…Natyrisht PDK nuk do të jetë pjesë e qeverisjes me Vetëvendosjen pasi kemi dallim të madh në orientimet politike. Jemi shumë larg në orientimet politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat që ka ndërtuar dhe qëndron PDK”, tha ai.
Pas rezultateve preliminare ka reaguat edhe Isa Mustafa.
Ai ka thënë se LDK e pranon rezultatin aktual dhe se në ditët në vijim kjo parti do të bëjë analizë më të detajuar.
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2019, Vetëvendosje kishte fituar 221.001 vota apo 26,27% duke siguruar 29 ulëse në parlament, Lidhja Demokratike e Kosovës, 206.516 vota (24.5%) apo 28 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës, 178.637 vota (21.2%) 24 ulëse, koalicioni AAK-PSD – 96.872 vota (11.5%) me 13 deputetë, Lista Serbe – 54.861 vota (6.4%) apo 10 ulëse si dhe Nisma – 42.083 vota (5.002%) apo 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit janë thirrur më 6 janar nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, në muajin qershor të vitit të kaluar.
Konstatimi i Gjykatës është shpallur më 21 dhjetor, me shpjegimin se një deputet që ka votuar për Qeverinë e Hotit, ka qenë i dënuar për vepër penale.
Një qeveri koalicioni e udhëhequr nga Kurti, vitin e kaluar, ka zgjatur vetëm 51 ditë, pasi është rrëzuar me votë mosbesimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.