Procesi i konsolidimit në këtë sektor duhet të konsiderohet si një progres i shëndetshëm, për hir të një sistemi financiar të shëndoshë. Nga ana tjetër, numri i bankave në Shqipëri ishte shumë i madh, duke marrë parasysh PBB-në dhe popullsinë e Shqipërisë, në fakt numri i bankave mund të ulet edhe më shumë në të ardhmen.
Flet z. Seyhan Pencabligil, CEO & Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)
Si do ta vlerësonit ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në 2018-n?
Me dy fjalë, “Një vit i mirë”. Në tërësi, sistemi bankar ka pasur një ecuri më të mirë në krahasim me vitin e mëparshëm. Përmirësimi kryesor erdhi nga ulja e kredive me probleme, ndërkohë që përfitueshmëria e sektorit u rrit.
Për sa i përket huadhënies, tendenca ka qenë e ngjashme me vitet e mëparshme, edhe pse stoku i kredisë ishte në ulje, për shkak të kredisë që iu dha KESH nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe vlerësimit të lekut. Sa i përket madhësisë së aktiveve, mund të vlerësojmë që ka mbetur e njëjtë gjatë vitit 2018 për sistemin bankar.
Sa i përket BKT-së, ne deklarojmë me krenari se kemi pasur një ecuri më të mirë sesa e sektorit, dhe e mbyllëm vitin 2018 me një fitim rekord, ndërsa treguesit tanë financiarë vazhduan të përmirësohen. Pesha e tregut të BKT-së ka vazhduar të rritet dhe madhësia jonë e aktiveve është e barabartë me shumën e bankës së dytë dhe të tretë në sektor.
Cilat janë pritshmëritë për performancën e sistemit bankar dhe bankës suaj në 2019?
Jemi gjithmonë optimistë për të ardhmen e Shqipërisë dhe potencialin e saj të pashfrytëzuar për të mbështetur rritjen ekonomike dhe prosperitetin. Sa u përket pritjeve tona për sektorin bankar, ne jemi pozitivë se performanca e saj do të ecë paralel me rritjen ekonomike, pavarësisht nga sfidat e ndryshme që mund të dalin, si ulja e marzheve të interesit, rritja e kostove etj. Ne presim përmirësim të mëtejshëm të kredive me probleme dhe të efekteve pozitive që do të ketë ky përmirësim në rentabilitetin e sektorit. Një tjetër tregues pozitiv për të ardhmen e sistemit bankar shqiptar ishin proceset e bashkimeve dhe blerjeve vitin e kaluar, duke ulur numrin e bankave në Shqipëri nga 16 në 13.
Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?
Prezantimi dhe zbatimi i këtyre veprimeve nga Banka e Shqipërisë rriti koston e euros për bankat dhe në këtë mënyrë, i gjithë sektori ndërmori disa veprime për të reduktuar euron në bilancet e tyre. Normat e depozitave në euro ranë pothuajse në nivelin zero, ndërsa normat e interesit të euros jashtë ishin madje negative.
Gjithsesi, në sistemin bankar shqiptar, depozitat në euro janë rritur, ndërsa depozitat në lekë kanë rënë, duke vënë në dukje në këtë mënyrë strukturën e kursimeve të familjarëve shqiptarë në euro. Nga ana tjetër, edhe normat e interesit ranë dhe si rrjedhojë, diferenca e vogël midis interesave të depozitave në lekë dhe në euro nuk i nxit klientët që të këmbejnë kursimet e tyre nga euro në lek.
Sa i përket kreditimit në euro, kostot gjithashtu janë rritur për bankat. Nga ana tjetër, bankat kanë mundësi të kufizuara për të përdorur detyrimet në euro për të investuar (teprica e eurove për bankat nënkupton të ardhura negative) dhe kanë gjithashtu kufizime për huatë ndërkombëtare. Për ta përmbledhur, efektet e veprimeve për deeuroizimin kanë qenë mjaft të kufizuara.
Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?
Mund të ketë faktorë të ndryshëm pas zhvlerësimit, që mund të konsiderohen si arsyet kryesore, për shembull, rritja e Investimeve të Huaja Direkte (siç është TAP etj.), injektimi i eurove për shkak të konvertimit të huave nga bankat vendase te BERZH, rritja e vazhdueshme e të ardhurave në euro nga zgjerimi i sektorit të turizmit dhe tendenca në rritje e remitancave.
Ka lidhje të forta midis fuqisë së konkurrueshmërisë së eksporteve dhe vlerës së monedhës së një vendi. Leku më i fortë ka ulur fuqinë konkurruese të Shqipërisë në eksporte; vendimmarrësit mund të kishin qenë më aktivë kur çmimi EUR / LEK zhvlerësohej në të kaluarën.
Sugjerimi ynë ndaj individëve ose bizneseve do të ishte që të mos ndërmarrin rrezikun e monedhës gjatë marrjes së kredisë, nëse nuk kanë të ardhura në valutë, ose nëse nuk e mbulojnë. Të paktën, fleksibiliteti për të konvertuar kreditë në valutë në lekë do të mund të kufizojë rreziqet potenciale.
Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?
Në të kaluarën, bankat e huaja erdhën në Shqipëri si pjesë e strategjisë së tyre të zgjerimit global / rajonal në atë kohë, por pas krizës së Lehman në 2008-2009, ato kanë ndryshuar strategjinë e tyre, disa prej tyre tashmë e kanë lënë vendin dhe të tjerë janë në proces largimi. Disa nga këto banka nuk ishin fitimprurëse për vite me radhë. Procesi i konsolidimit në këtë sektor duhet të konsiderohet si një progres i shëndetshëm, për hir të një sistemi financiar të shëndoshë. Nga ana tjetër, numri i bankave në vend ishte shumë i madh duke marrë parasysh PBB-në dhe popullsinë e Shqipërisë, në fakt numri i bankave mund të ulet edhe më shumë në të ardhmen.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Marzhet e ulëta të interesit po krijojnë rrezik për rritjen e qëndrueshme dhe shëndetin e sektorit financiar. Për momentin, normat e depozitave janë pothuajse stabël, sepse pjesa më e madhe e normave të depozitave pothuajse arritën në zero, për shkak të normave negative të interesit të Bankës Qendrore Europiane. Por, në kahun tjetër, interesat e kredive të brendshme po ulen ende dhe kosto e sigurimit të depozitave prej 50 pikë bazë (0.5%) është shumë e lartë në krahasim me normat e interesit. Për më tepër, inflacioni po ndikon në mënyrë të pashmangshme kostot fikse të bankave dhe po ngushton më tej marzhet e fitimit.
Kufizimet e fundit rregullatore, si Basel, IFRS 9 etj., kërkojnë më shumë kapital, duke shtuar në këtë mënyrë një tjetër faktor negativ për shkak të rritjes së kostove për bankat. Në afatin e shkurtër, përmirësimi i huave me probleme do të ndihmojë bankat që të mbajnë marzhet nën kontroll, por në afatin e gjatë, bankat mund të fokusohen në reduktimin e kostove, krijimin e bizneseve të reja dhe rritjen e të ardhurave nga komisionet, në mënyrë që të kompensojnë rënien e të ardhurave nga interesat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.