Pandemia Covid-19 bëri që të mbyllen rreth 3 mijë biznese në Kosovë në dy vitet e fundit.
Vetëm në vitin 2021 janë shuar 1,519 biznese. Numri më i madh i këtyre bizneseve që janë mbyllur kanë ushtruar veprimtari në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi.
Gjatë vitit që lëmë pas, bizneset në Kosovë kishin kërkuar nga institucionet më shumë mundësi për zhvillimin e tyre.
Pandemia Covid-19 ka prekur të gjitha sferat e jetës në të gjitha shtetet e botës.
Masat e ndërmarra nga qeveritë e shteteve të ndryshme, pastaj kufizimet me qëllim të parandalimit të përhapjes së numrit të të infektuarve me virusin Covid-19, kanë prekur thellësisht edhe bizneset të cilat janë detyruar të mësohen me një formë të re funksionimi.
Si pasojë e pandemisë, disa biznese të cilat nuk kanë pasur mundësi t’i përballojnë ndryshimet që kanë ndodhur janë shuar, ndërsa për disa të tjera, pandemia ka qenë mundësi e mirë për të nisur diçka të re.
Pandemia ka ndikuar pa përjashtim edhe në Kosovë, por ndryshe nga viti 2019 dhe 2020, gjatë vitit 2021 janë regjistruar më shumë biznese.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – MINT ka bërë të ditur se nga data 1 janar të vitit 2021 deri më 27 dhjetor të vitit 2021, janë regjistruar 10 mijë e 614 biznese.
“Prej datës 01.01.2021 deri me datë 27.12.2021 janë regjistruar 10614 biznese, ndërsa janë shuar 1580 biznese”.
Në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë tregojnë se gjatë vitit 2020 kanë falimentuar 1,346 biznese.
Qeveria e Kosovës gjatë muajve të fundit kishte marrë vendim për lirimin e pjesërishëm të masave kundër COVID-19, duke lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve deri në ora 23:00.
Me masat e reja, institucionet i kishin mundësuar biznseve të gastronomisë që të zhvillojnë aktivitetin e tyre deri në ora 22:30.
Gastronomët kishin kërkuar nga institucionet që në hyrje të sezonës së dimrit të lejohet edhe hapja e klubeve të natës, por një gjë e tillë nuk ishte përmbushur si kërkesë nga Qeveria e Kosovës.
Masat kundër COVID-19, sipas gjitha gjasave pritet të qëndrojnë në fuqi edhe për festat e fundvitit, edhe pse zyrtarisht deri më tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë.
Tashmë në Kosovë janë regjistruar edhe nëntë rastet e para me variantin Omicron të virusit COVID-19, ndërsa nga MSH-ja kanë bërë të ditur se masat aktuale kundër COVID-19 do të qëndrojnë në fuqi deri në një datë të pacaktuar.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se varësisht nga vlerësimi i situatës me pandeminë në vend, do të bëhet edhe ndryshimi i masave kundër COVID-19.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në dy vitet e fundit janë regjistruar gjithsej 19,863 biznese. Prej tyre, 9,802 gjatë vitit 2020 ndërsa 10,061 në vitin e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.