Numri i kontratave të sigurimit ka rënë me 29%

30/12/2020 10:58 AM 0 komente

Numri i kontratave të sigurimit për vitin 2020 ka pësuar një rënie të fortë, në reflektim të efekteve direkte të krizës.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se ecuria e tregut nuk u përmirësua as në muajin nëntor. Numri i kontratave të sigurimit për 11-mujorin pësoi rënie me 29.2%, ndërsa primet e shkruara bruto pësuan një rënie më të kufizuar, në nivelin 5.5%, shifër e ngjashme me 10 mujorin.

Numri i kontratave të sigurimit është ndikuar ndjeshëm nga rënia e lëvizjeve ndërkufitare, që ka prekur direkt disa produkte sigurimi që janë, faktikisht të detyrueshme, për lëvizjen ndërkufitare të shtetasve dhe të mjeteve. Këtu përfshihet sigurimi i aksidenteve për individët, kartoni jeshil dhe polica kufitare e sigurimit për automjetet. Jo rastësisht, tregu i sigurimeve të jo-jetës ka pësuar rënien më të fortë të numrit të kontratave, me pothuajse 30%, ndërsa në sigurimin e jetës numri i kontratave ka rënë me 21.4%.

Ndër të paktat klasa sigurimi që rezultojnë në rritje janë sigurimet e pronës, në rritje të lehtë me 3.1% dhe sigurimet e përgjegjësive, ku numri i kontratave është rritur me 110% krahasuar me një vit më parë. Rritja e lehtë e sigurimeve të pronës ngelet përgjithësisht e lidhur me ecurinë e kredisë bankare për individë dhe sigurimin e kolateraleve të kërkuara nga bankat. Rritja prej 3.1% e numrit të kontratave duket larg të reflektuarit një ndërgjegjësim për sigurimin e mirëfilltë vullnetar të pronave, pas tërmeteve të vitit të kaluar.

Ndërkohë, rritja e kontratave të sigurimit të përgjegjësive duket se lidhet sidomos me aktivitetin e shtuar në sektorin e ndërtimit. Pas tërmeteve të vitit 2019, kuadri nënligjor që rregullonte përgjegjësitë e ndërtuesve u plotësua, duke i bërë të detryueshme këto sigurime në disa faza të procesit të ndërtimit. Kjo duket se shpjegon në masën më të madhe rritjen e fortë të kontratave të sigurimit në klasat e sigurimit të përgjegjësive.

Ndërkohë, këtë vit edhe dëmet kanë pësuar një rënie të lehtë në numër rastesh, me 1.2% më pak krahasuar me një vit më parë. Por, në vlerë ato janë rritur ndjeshëm me 24%, kryesisht për shkak të efekteve të tërmetit. Për 11 muajt e këtij viti, janë paguar rreth 6.8 miliarë lekë ose 55 milionë euro. Mbi 40% e shumës totale të dëmeve të paguara këtë vit lidhet me pasojat e tërmeteve, por në pjesën më të madhe kjo faturë është rimbursuar nga risiguruesit.

Këtë vit, për çdo 100 lekë prime të shkruara bruto janë paguar 46 lekë dëme, një ndër nivelet më të larta të regjistruara për tregun shqiptar të sigurimeve./E.Shehu

Burimi: AMF

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of