Numri i krerëve bie për të gjitha llojet më 2017
Edhe pse Shqipëria ka një terren të përshtatshëm për të zhvilluar blegtorinë, sektori nuk po gjallërohet me ritmet që duhet, përkundrazi bizneset e fushës kanë hyrë në një cikël mbijetese për shkak të mosfunksionimit të zinxhirit dhe kostove të larta.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 u vu re një rënie e numrit të krerëve të bagëtive, si në gjedhë dhe në të imta. Numri i gjedhëve në vitin 2017 është 475.215 krerë, duke shënuar një rënie me 3,4%, në krahasim me vitin 2016.
Në vitin 2007 u numëruan gjithsej 1.925.511 krerë, ose 2,3% më pak se në vitin 2016. Kategoria kryesore e të leshtave janë delet e qumështit me rreth 73% ndaj totalit të tufës.
Numri i dhive ra me 0.3% në krahasim me vitin 2016. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit, me 76,9% ndaj totalit të tufës. Gjithashtu, numri i derrave ishte 180.087 krerë, duke shënuar rënie vjetore me 0,5%, krahasuar me vitin 2016. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 36,5% dhe Shkodër me 28,2% ndaj totalit të të gjithë krerëve.
Prodhimi i qumështit në vitin 2017 është rreth 1,2 milionë tonë, duke u rritur me rreth 1%, në krahasim me vitin 2016. Struktura e prodhimit të qumështit, referuar vitit 2017 është: qumësht lope 85,0%, qumësht dele 7,5% dhe qumësht dhie me 7,5%.
Në 2017, prodhimi i qumështit nga lopët është 982.510 tonë, ose 0,8% më shumë krahasuar me 2016. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi në 2017 është 2.849 kg për krerë, duke u rritur me 3,7% krahasuar me 2016.
Prodhimi i qumështit nga delet, për vitin 2017, ka shënuar rritje me 2,3% në krahasim me vitin 2016.
Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles, është 61,3 kg për krerë, duke shënuar rritje me 2,2% krahasuar me vitin 2016.
Prodhimi i qumështit nga dhitë në vitin 2017 është 2,2% më i lartë se një vit më parë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit të dhive në nivel vendi është rreth 122 kg për krerë, duke u rritur me 2% krahasuar me vitin 2016. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 161 mijë tonë, duke u rritur me 0,9%, në krahasim me vitin 2016.
Fermat blegtorale, që pas krizës së vitit 2008 u panë një zgjidhje e mirë për diversifikimin e investimeve për disa biznese që tradicionalisht ishin të lidhura me aktivitetin e ndërtimit dhe tregtisë, sot po rezultojnë një zhgënjim. Jo vetëm ata, por i gjithë sektori i organizuar në ferma blegtorale ka hyrë në një cikël falimentimi, për shkak të kostove të larta që ka krijuar mungesa e ekonomisë së shkallës nga njëra anë dhe informaliteti i lartë, nga ana tjetër.
Operatorët pohojnë se nga 16 fermat e mëdha të gjedhit, vetëm 4 prej tyre janë me të njëjtët pronarë, teksa të tjerat janë shitur ose kanë falimentuar. Edhe pse investimet në sektor janë shtuar, numri i bagëtive, sidomos për gjedhin, ka pësuar rënie në krahasim me një dekadë më parë. Nga të dhënat zyrtare të INSTAT shihet se numri i krerëve të gjedhit më 2016 ka rënë me 30% në krahasim me vitin 2001, numri i dhive ka rënë me 8% dhe po ashtu, në rënie të lehtë, është edhe numri i deleve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.