Nvidia Corp deklaroi të hënën se po ndërton superkompjuterin më të fuqishëm të Inteligjencës Artificiale në Izrael, për të përmbushur rritjen e kërkesës për zbatimin e IA nga klientët.
Nvidia, kompani chip-ash me vlerën më të lartë në botë në bursë, deklaroi se sistemi, i cili mbështetet te cloud, do të kushtojë qindra miliona dollarë dhe do të jetë pjesërisht funksional në fund të vitit 2023.
Gilad Shainer, zëvendëspresident i Nvidia, deklaroi se Nvidia bashkëpunoi me 800 startup në Izrael dhe dhjetëra mijë inxhinierë software.
Sistemi, i quajtur Israel-1, pritet të ketë performancë deri në tetë exaflops të AI computing, duke e bërë atë një nga superkompjuterët më të shpejtë të IA në botë.
Një exaflop mund të kryejë 1 kuintilion – ose 1,000,000,000,000,000,000 – llogaritje në sekondë.
Shainer deklaroi se Inteligjenca Artificiale është “teknologjia më e rëndësishme e jetës sonë” dhe për të vënë në zbatim Inteligjencën Artificiale dhe Inteligjencën Artificiale gjeneruese nevojiten sasi të mëdha të përpunimit grafik (GPU).
“IA gjeneruese po përdoret sot kudo. Është e nevojshme të bëjmë trajnime në sasi të mëdha të dhënash” – deklaroi ai për Reuters, duke theksuar se kompanitë në Izrael do të kenë akses në një superkompjuter që sot nuk e kanë.
“Ky është një sistem me shkallë të gjerë, i cili do t’u mundësojë atyre të bëjnë trajnime shumë më shpejt, të ndërtojnë framework dhe të japin zgjidhje për probleme më komplekse”.
ChatGPT i OpenAI, për shembull, është krijuar me mijëra GPU Nvidia.
Sistemi u zhvillua nga ish-ekipi i Mellanox. Nvidia e bleu projektuesin izraelit të chip-ave Mellanox Technologies në vitin 2019 për afro 7 miliardë dollarë, duke ia kaluar Intel Corp.
Shainer deklaroi se përparësi i Nvidia për superkompjuterin do të jenë partnerët e saj izraelitë.
“Mund ta përdorim këtë sistem për të punuar me partnerë edhe jashtë Izraelit” – tha ai.
Javën e kaluar, Nvidia deklaroi se ka bashkëpunuar me Universitetin britanik të Bristol për të ndërtuar një superkompjuter të ri që përdor chip-in e ri Nvidia, për të konkurruar me Intel dhe Advanced Micro Devices Inc.
/ Reuters