Qeveria ka dërguar Kuvend draftin e ri për investimet strategjike, draft i cili parashikon krijimin e strukturave dhe rregullave të reja, me qëllim nxitjen e mëtejshme të investimeve.
Investime strategjike, sipas pr/ligjit të qeverisë do të jenë investime në sektorët kryesorë të ekonomisë, me vlera nga 1 deri në 100 milion euro, në varësi të sektorit. Po ashtu, në projektligj përcaktohet ngritja e Komitetit të Investimeve Strategjike, si një organ kolegjial pranë Këshillit të Ministrave. Ky komitet kryesohet nga Kryeministri dhe merr vendime për dhënien e statusit të investimeve strategjike që propozohen nga investitorët vendas ose të huaj dhe ministri i linjës sipas sektorit.
Projektligji përcakton gjithashtu krijimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, që do të vihen në dispozicion të projekteve.
Në p/ligj thuhet se në dispozicion të zhvillimit dhe realizimit të projekteve investuese strategjike mund të vihen trojet, pyjet, tokat bujqësore si dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, në pronësi të shtetit shqiptar. Lejimi i përdorimit të brigjeve të detit, liqeneve, lumenjve dhe shtretërve të tyre në funksion të realizimit të një projekti investues strategjik miratohet me vendim të veçantë nga qeveria, pas marrjes së mendimit paraprak nga institucionet, kompetencat e të cilave shtrihen në këto zona.
Ky ligj tenton të nxisë rritjen e nivelit të investimeve të huaja në Shqipëri, pasi parashikohet të jetë në fuqi deri me 31 dhjetor të viti 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.