“Nxitja e pensioneve private, duhen rishikuar lehtësitë që ofrohen”

20/07/2019 10:07 PM 0 komente

Flet Estela Koçi, Administratore e Fondit Credins Pension

 

Fondet e pensioneve vullnetare kanë parë, vit pas viti, rritje të interesit të individëve, e reflektuar kjo në rritje të vlerës së aseteve, por sigurisht, ato mbeten modeste në tërësinë e tregjeve financiare.

Estela Koçi, administratore e Fondit Credins Pension, shprehet se, edhe pse kolona e tretë është një shtesë për një pension disi më dinjitoz, por nuk është zëvendësuese e dy kolonave të para, ajo mund të nxitet përmes stimujve të ndryshëm fiskalë, duke rritur interesin e individëve për t’u bërë pjesë e këtyre fondeve.

 

Si ka qenë ecuria e pensioneve private në 2018? Si është trendi në 2019?

Tregu i pensioneve vullnetare ka ndjekur trend rritës edhe për vitin 2018. Prej disa vitesh, tashmë ky treg rritet me mbi 30% në vlerë asetesh dhe me mbi 20% në numër kontribuuesish. Ky është një tregues shumë pozitiv. Më 31 dhjetor 2018, tregu numëron 25,298 kontribuues dhe një vlerë totale asetesh prej afërsisht 2.9 miliardë lekë.

Fondi Credins Pension është rritur në mënyrë të qëndrueshme ndër vite, si në numër, ashtu edhe në vlerë asetesh. Në fund të vitit 2018, ky fond arriti në 15,320 kontribuues apo 60% të tregut në numër, sikurse vihet re edhe një rritje e vazhdueshme e pjesës së tregut në vlerë asetesh. Kur flitet për ecurinë, vlen të theksohet fakti që individët janë më të ndërgjegjësuar për të kontribuar në një fond pensioni vullnetar, me synimin për të ruajtur cilësinë e jetës edhe në moshën e pensionit.

Të njëjtin trend rritës ka treguar edhe 3-mujori i parë 2019, sipas të dhënave të fundit të tregut, të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Për sa i përket Fondit Credins Pension, ka vijuar rritja në numër dhe në vlerë asetesh. Në mbyllje të 6-mujorit të parë numërohen afërsisht 16,300 anëtarë. Norma neto e kthimit të Fondit Credins Pension, në 12 muajt e fundit, ka rezultuar rreth 5%.

Çfarë faktorësh e kufizojnë rritjen e këtij tregu në vend?

Kursimi vullnetar në një fond pensioni privat është alternativa e vetme që ka çdo shqiptar aktualisht për t’i shtuar pensionit shtetëror një të ardhur shtesë, në kushtet kur ky i fundit mundëson vetëm 35-40% shkallë zëvendësimi e kur raporti optimal duhet të jetë 75%. Pra të ardhurat mujore me daljen në pension nuk duhet të zvogëlohen më shumë se 30%. Kjo metodë kursimi dhe investimi për pension konsiston në derdhjen vullnetare të kontributeve, në formë individuale ose përmes një skeme profesionale pensioni, të krijuar nga punëdhënësi për punëmarrësit dhe investimin e tyre nga shoqëritë administruese për t’ia rritur vlerën në një horizont kohor të gjatë deri në moshën e pensionit. Individi që ka kontribuar në një fond pensioni vullnetar ka të drejtë të përfitojë në moshën ligjore të pensionit apo edhe 5 vite para moshës ligjore të pensionit, shumën e akumuluar (kontribute + interes nga investimi) në formë të menjëhershëm apo si pension periodik.

Ndonëse sistemit pensional në Shqipëri i mungon kolona kryesore, ajo e detyrueshme private dhe ndonëse individit i është lënë barra të plotësojë vetë një gap prej 30-40% të të ardhurave që duhet të ketë në moshën e pensionit, numri i anëtarëve në fonde pensioni vullnetar është shumë i ulët, kundrejt potencialit prej rreth 690,000 individëve të deklaruar të punësuar në Tatime. Totali i aseteve të fondeve është vetëm 0.11% i PBB sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga OECD, tepër i ulët krahasuar me vendet e tjera (Grafik 1).
Megjithëse fondet kanë rreth 8 vite që operojnë, sipas ligjit 10197 “Për fondet e pensionit vullnetar”, ato njihen shumë pak dhe shkalla e besimit të njerëzve është ende e ulët.

Nxitësit fiskalë janë ndër lehtësitë më domethënëse dhe të matshme për të treguar që kjo formë investimi është më e leverdishme se çdo formë tjetër tradicionale kursimi. Konkretisht, sipas nenit 88 të Ligjit nr. 10197, kontributi i bërë nga çdo anëtar në fond pensioni vullnetar zbritet për efekt tatimi mbi të ardhurat personale.

Për shkak të mosharmonizimit me ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, aplikimi i Nenit 88, të Ligjit 10197, ishte i pazbatueshëm deri më 1 janar 2015, datë kur u reflektua në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, si dhe në Udhëzimin nr. 23, datë 9.12.2014, faqet 24 dhe 28 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, ku detajohet mënyra e plotësimit të listë-pagesës online.

Ndonëse pas 1 janarit 2015, mangësitë e kuadrit ligjor për zbatimin e ligjit të vitit 2009, u sistemuan, mbeti sfidë zbatimi. Mjaft individë u penalizuan, duke u tatuar dyfish, si gjatë derdhjes së kontributeve periodike, ashtu edhe në momentin e tërheqjes në fund. Teorikisht individi, që kontribuon në mënyrë individuale, mjafton të paraqesë pranë institucionit ku është i punësuar kontratën e anëtarësimit në fondin e pensionit vullnetar që ka zgjedhur, ku është i specifikuar kontributi, i cili duhet të deklarohet si i zbritshëm për punëmarrësin, përpara se t’i aplikohet tatimi mbi të ardhurat personale. Por, praktikisht, individi përballet me refuzimin e institucionit për të zbatuar zbritjen fiskale të kontributit, që vjen si pasojë e paaftësisë për të përthithur të gjithë kuadrin ligjor, deri te papërgjegjshmëria për ta zbatuar atë.

Kjo është një barrë tjetër që i mbetet individit, i cili në fund të ditës nuk e sheh më të leverdishme të vijojë me kontributet dhe rezultati është se anëtarët që derdhin rregullisht kontribute janë 50%, ndërsa 80% e tërheqjeve nga fondet janë të parakohshme. Në këtë moment bie misioni i fondit të pensionit vullnetar dhe i gjithë modeli mbi të cilin ngrihet ai.

Ndërkohë që, nëse çdo punëmarrës do të ishte pjesë e një skeme profesionale me kontribute nga punëdhënësi, infrastruktura për të mundësuar kontributet vullnetare dhe për të automatizuar pagesën periodike të kontributeve do të ishte një lehtësi e konsiderueshme dhe mjaft e prekshme për individin. Punëdhënësit që aktualisht kanë krijuar plane profesionale janë të paktë. Shoqëritë e konsiderojnë një barrë në buxhetin e tyre një shpenzim të shtuar për punonjësit, krahas sigurimeve të detyrueshme shtetërore. Në kushtet që anëtarësimi është vullnetar thjesht nuk e ndërmarrin si nismë. Raporti anëtarë-individë ndaj anëtarë nga skema profesionale është 70:30. Në fakt, duhej të ishte e kundërta.

Një problem madhor mbetet edhe rakordimi i praktikave të reja ligjore me kuadrin ekzistues. Në formatin e ri elektronik të deklarimit të sigurimeve shoqërore për Njësitë e qeverisjes së përgjithshme, është “harruar” zbritja fiskale për kontributet e pensionit vullnetar (cituar më sipër sipas Udhëzimit nr. 23 në fuqi). Kjo krijoi një amulli të re dhe lehtësi për të hequr dorë nga aplikimi i zbritjes fiskale të kontributit në mars 2017.

Si mund të stimulohet ky treg që të ketë më shumë shqiptarë që sigurohen edhe privatisht?

Fryma e ligjit për pensionet vullnetare shkon drejt nxitjes së individëve të kursejnë për pension, në një mënyrë komode dhe shumë fleksibël, gjë që sot për individët shqiptarë nuk është e mundur. Kolona e tretë është e destinuar të mbetet në këto nivele, dhe nuk mund të pretendohet të zgjidhë problemin e pensionit për shqiptarët. Kjo kolonë, sikurse është edhe në vendet e zhvilluara, do të jetë plotësuese e dy kolonave kryesore.
Gjithsesi, për ta nxitur më shumë atë, së pari do të duhet të rritet limiti i zbritshëm për efekt fiskal.
Ligji aktual ka vendosur kufij si më poshtë:

a) Në rast se anëtari në Fond është nën 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200,000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

b) Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250,000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

c) Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore, të barabartë me 250,000 lekë për çdo punëmarrës, dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i zbritshëm, për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.

Sa më sipër, janë kufij të vendosur para 10 vjetësh, që kur është miratuar ligji për pensionet vullnetare më 10.12.2009. Tregu, përmes shoqërive administruese të fondeve, prej vitesh kërkon rritje të këtyre limiteve, por deri më sot nuk ka asnjë ndryshim të ligjit.
Gjithashtu, një nxitës i fortë fiskal do të ishte edhe përjashtimi i tatimit të pensionit vullnetar në momentin e përfitimit, duke tatuar vetëm kthimin (interesin) nga investimi dhe jo kontributet e bëra në vite.

Kuvendi e ka ngarkuar AMF në rezolutën e këtij institucioni që të bëjë një analizë mbi kolonën e dytë. Si e shihni këtë nismë dhe çfarë efektesh mund të sjellë kolona e dytë në skemën e pensioneve? Si funksionon kjo kolone?

Kjo nismë është e shumëpritur prej vitesh tashmë. Është fakt që kolona e parë apo skema e detyrueshme shtetërore në Shqipëri nuk është vetëfinancuese, aktualisht ka më shumë përfitues (pensionistë) sesa kontribuues (të punësuar që derdhin kontribute të sigurimeve shoqërore) dhe raporti parashikohet të rritet nga 103%, në 140% në 2040, sipas parashikimeve demografike. Reforma e skemës aktuale deri më sot ka qenë parametrike. Janë ndryshuar kushtet e përfitimit dhe formula e llogaritjes së pensionit, por pa krijuar fond investimi dhe ka mbetur e mbështetur 100% te solidariteti i brezave dhe financimi nga buxheti i shtetit. Është domosdoshmëri zgjidhja afatgjatë dhe e qëndrueshme e problemeve të sistemit të pensioneve në Shqipëri.

Kolona e dytë e sistemit të pensioneve i referohet skemës së detyrueshme private, që është implementuar prej vitesh në vendet e zhvilluara, e që në rajonin tonë mungon vetëm në Serbi dhe Bosnjë. Kjo skemë kanalizon kontribute të detyrueshme në fondet private të pensionit, ku kontributet administrohen dhe investohen sipas një politike të caktuar investimi dhe ku individi përfiton kontributet e tij, plus kthimin nga investimi i tyre si shtesë organike ndaj pensionit të kolonës së parë.

Ndërsa analizohet kjo nismë e reformimit të plotë të sistemit të pensioneve, një lajm konkret dhe shumë i mirë në këtë drejtim ka të bëjë me miratimin e ligjit nr. 29/2019, datë 23.05.2019 “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Ligji është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 88, në datë 20.06.2019 dhe pritet të plotësohet me aktet nënligjore për zbatimin e tij deri në fillim të shtatorit 2019. Sipas këtij ligji, për të punësuarit e 3 kategorive të profesioneve të vështira, minatorë, metalurgë dhe naftëtarë, të cilët i takojnë moshës nën 48 vjeç, do të derdhen kontribute shtesë në masën 5% në skemat private të pensioneve, të ndara mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Kjo do t’u mundësojë këtyre kategorive të përfitojnë një trajtim financiar më të plotë, një pension shtesë përveç pensionit shtetëror. Gjithashtu, ligji ka për qëllim të mbulojë me përfitime përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë mbi ato që akordohen nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kjo nismë e konkretizuar tashmë, mund të konsiderohet si fillimi i kolonës së dytë të pensioneve, pasi do të përbëjë një kontribut të detyrueshëm të përbashkët mes punëdhënësit dhe punëmarrësit në skemën privatë të pensioneve për një kategori të caktuar të profesioneve, ku kontributet do të investohen sipas politikave të caktuara të investimit dhe do t’u rritet kështu vlera ndër vite.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of