Objektet inteligjente që përmirësojnë jetën e përditshme

12/02/2013 10:36 AM 0 komente

internet-of-things_opt“Internet of things”, ose siç njihen ndryshe objektet inteligjente, është një vizion që më së shumti po popullon jetën tonë sot. Debati sapo ka nisur. Ndër qindra vjet, nevojat e njeriut nuk kanë ndryshuar: ne duam që të na duan, të ndihemi të sigurt, të argëtohemi, të jemi dikush në punë dhe në shoqëri, të mbështesim familjen dhe deri diku të luajmë rol në shoqëri

(sado të vogël). Po çfarë do të ndodhë kur gjërat, shtëpitë dhe qytetet të bëhen të zgjuar (smart)?

Gjithnjë e më shumë po përhapet filozofia e re e zhvillimit të teknologjisë, e bazuar në objektet e zgjuara, që ndihmojnë bashkëveprimet dhe përmirësojnë jetën e njerëzve. Me pak fjalë, “Internet of things”. Me këtë shprehje, kuptohet rruga që ndjek zhvillimi i teknologjisë, e “kalueshme” prej disa vjetësh, në bazë të së cilës çdo objekt i jetës së përditshme nga makina te furnizuesi me gaz mund të ketë, falë rrjeteve, një identitet dixhital, pra të bëhet më funksional, më ekonomik dhe më eficent. Në bazë të kësaj filozofie, që tenton të bëhet pjesë e përmbajtjes ekonomike dhe sociale të çdo vendi, janë “objektet e zgjuara”, që duke u lidhur nëpërmjet rrjeteve arrijnë të shkëmbejnë informacione për veten dhe ambientin që i rrethon.

Për shembull: makinat e zgjuara mund të “bisedojnë” me infrastrukturën rrugore për të parandaluar aksidentet; elektroshtëpiaket të koordinuara mes tyre mund të përmirësojnë konsumin e energjisë; llambat me vetërregullim mund të ndizen dhe të fiken vetë dhe mund të shërbejnë edhe si centraliste dhe të mbledhin të dhëna për temperaturën apo mjedisin rrethues; semaforët mund të sinkronizohen dhe të krijojnë një valë të gjelbër, e cila do të lejojë kalimin e mjeteve që kanë urgjenca; lexuesi i gazit mund të shërbejë si një sinjalizues për mospagimin e faturave ose të sinjalizojnë një derdhje të gazit në shtëpi. Dhe secili prej këtyre objekteve në vetvete mund të ketë më shumë funksione ose të integrohet me të tjerë dhe në fund të furnizojë me informacione të dobishme ose avantazhe të tjera të dobishme. Pra, me pak fjalë, fusha e zbatimit të tyre është e palimituar.

Për të qenë “të zgjuar” (smart), objektet duhet të kenë disa karakteristika: identifikimin (të kenë në posedim një identifikues dixhital), lokalizimin (aftësia për të njohur pozicionimin e vet), statusi (aftësia për të monitoruar parametrat e brendshëm); të dhënat e blerjes (aftësia për të matur variabla të mjedisit, si temperatura, zhurmat; por edhe variabla si konsumi i energjisë, i ujit etj.; aftësia për të ndjekur veprime që vijnë nga pultet e komandimit; nxjerrja e informacionit (analiza statistikore dhe parashikime).

Objektet inteligjente mund të operojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, vetëm nëse rrjetet që i ndërlidhin janë “inteligjente” dhe kanë veti të caktuara: standardizimi (përdorimi i standardeve teknologjike, të hapura që lehtësojnë ndërveprimin e pajisjes; aksesi (i rregulluar nga norma, nga të dhëna të mbledhura nga sensorë dhe nga objekte që përdoren nga një numër i madh përdoruesish); qasja (rrjeti ndërlidhës lejon që objektet të jenë direkt të arritshëm dhe të kërkueshëm) dhe multifunksionaliteti.

Studimet tregojnë se “Internet of things” po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim, si në mjediset e sektorit publik, ashtu edhe ata privat, megjithatë ka edhe shumë fusha ku përdorimi i tyre është ende në fazë eksperimentale e të tjerë në atë embrionale.

Në fazën më të zhvilluar janë ato objekte që kanë detyra të “thjeshta”, që kanë vetëm një funksion të veçantë dhe që janë pjesërisht të “zgjuara”, në to bëjnë pjesë: pajisjet e monitorimit të trafikut urban nëpërmjet telekamerave, lokalizimi i mjeteve të transportit publik, sistemet e mbikëqyrjes me video, menaxhimi i sipërmarrjeve private, gjurmimi i objekteve me vlerë. Megjithatë edhe në Shqipëri gjenden aplikime që janë afër filozofisë së quajtur “Internet of things”, mjafton të sjellim në kujtesë lexuesit inteligjentë të energjisë, shërbimet e infomobilitetit, GPS për lokalizimin e makinave private dhe regjistrimin e parametrave të drejtimit. Shumë fusha të tjera janë në faza eksperimentale dhe numërojnë pak aplikime dhe projekte pilot (zgjidhje logjistike të bazuara në teknologjinë RFid, identifikim me anë të valëve radiofonike), në fushën e mjekësisë për telemonitorimin e pacientëve për të reduktuar kostot e shtrimit në spital.

Nuk mungojnë edhe aplikimet, ku zgjidhjet IoT janë ende në fazë embrionale, ose më saktë hipotetikë në koncept, siç është rasti i të ashtuquajturave “smart grid”, rrjetet që lejojnë menaxhimin në mënyrë “inteligjente” të shpërndarjes së energjisë.

 

Çfarë po ndodh

“Internet of things” ka të bëjë me numrin e madh të gjërave që janë ose do të jenë të lidhura me internetin. Sensorët e “zgjuar” do të rrisin numrin e gjërave që mund të lidhen, por natyrisht do të sigurojnë edhe kontroll mbi informacionin. Për shembull: mendoni se çfarë ndodh kur ne lidhim disa pajisje shtëpiake (TV, PC, home kinema) me internetin, sasia e informacionit rritet dhe po kështu edhe rreziku i sigurisë dhe privatësisë.

Në shtëpi, gjithçka do të flasë me gjuhën e automatizimit. Ekspertët thonë se zhvillimi i teknologjisë dhe standardizimi i ndërlidhjeve kompjuterike ka ndihmuar në avancimin e komunikimit makinë me makinë.

Në këtë mënyrë, “Internet of things” do të arrijë të komunikojë me njerëzit, por makinave me njëra-tjetrën do t’u duhet më shumë kohë për të komunikuar dhe kjo do të ndodhë me sistem pa kabllo. Aktualisht, shumë njerëz mbështeten në komunikimin M2M, për shembull kur përdorin një “Bluetooth”, kur realizojnë pagesa me telefonat celularë, por edhe me sistemin 4G. Teknologjia kërkon fuqinë e “Internet of things”, por në disa raste ajo duhet përmirësuar. Pajisjet e ndërlidhjeve tashmë ekzistojnë, çdo zyrë është e pajisur me printerë, linjën wi-fi apo edhe celularë. Prodhimet me kosto të ulët, antenat, jetëgjatësia e baterive mund të përmirësohen, kontrolli mbi privatësinë, teknologjia e gjelbër dhe menaxhimi “Thing” ende do të duhet të zhvillohen.

 

“Superhumanët”

Duket se për vite me radhë, njerëzit janë përpjekur që të dixhitalizojnë pothuajse çdo aspekt të jetës së tyre, duke filluar nga bloget, gazetat, mediat sociale, spektaklet televizivë, filmat, ecuria shëndetësore, etj. Studime të ndryshme të realizuar me njerëz të cilët janë pyetur se çfarë superfuqie do të donin të kishin, kanë treguar rezultate mbresëlënëse. Ato preknin fusha nga më të ndryshmet, si mendore, emocionale apo edhe fizike. Emocionale, pasi njerëzit dëshirojnë të kenë konfidenca, mendore pasi duan të flasin të gjitha gjuhët e botës, sociale pasi dëshirojnë të krijojnë komoditet dhe fizike, sepse duan që të fluturojnë.

Ekspertët thonë se viti 2013 do të jetë një pikë kthese për ta kthyer “Internet of things” në një treg të vërtetë. Nëse platforma të ndryshme bëhen më të arritshme, përcaktohen standardet dhe nëse ju mendoni për “diçka” dhe gjeni të dhëna për t’u lidhur, atëherë çdo gjë mund të jetë e mundur. Nëse kjo do të arrihet, atëherë lidhjet mes hapësirës dhe botës dixhitale shumë shpejt do të bëhen të padukshme.

Ekspertët thonë se me kalimin e viteve “Internet of things” do të nxjerrë në pah nevojën për lloje të ndryshme punësh dhe industrish. Kush do t’i bëjë këto objekte inteligjente? Kush do t’i ndalojë hakerat që të futen në miliona kompjuterë? Si do të përdoren të dhënat që do të gjenerohen nga “Internet of things”? Këto janë pyetje që sipas ekspertëve do të gjejnë përgjigje me ndërtimin e hapësirave teknologjike. Po a do të mund ta përmirësojë kjo teknologji jetën tonë? Ekspertët thonë se në këtë moment, fjala kyçe është: ndërtim dhe

“Internet of things” do të vazhdojë të sfidojë jetët tona.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of