Investitorët shfaqën interes të lartë për titujt e borxhit afatgjatë të qeverisë edhe në ankandin e obligacioneve pesëvjeçare të zhvilluar gjatë kësaj jave.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në ankand u paraqitën kërkesa totale për të blerë në vlerën e 7.4 miliardë lekëve, nga 3.45 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave. Kuponi i obligacioneve rezultoi 3.9%, në rritje të lehtë nga niveli 3.7% i ankandit të fundit për këto instrumente, që ishte zhvilluar vitin e kaluar. Ndërsa kërkesa e tregut duket se ka qenë sërish e bollshme, rritja e lehtë e kuponit mund të shpjegohet me një rregullim të lehtë në rritje të normave të interesit në tregun primar gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Obligacionet me maturim 5-vjeçar bëjnë pjesë në listën e titujve referencë të përcaktuar nga qeveria shqiptare, në kuadrin e projektit për zhvillimin e tregut dytësor. Titujt referencë gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë Zhvilluesit e Tregut për të kuotuar çmime blerjeje dhe shitjeje në tregun sekondar, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (MFE). Në ankandet e titujve referencë mund të marrin pjesë direkt vetëm pesë banka që kanë nënshkruar një kontratë si zhvillues tregut me MFE, përkatësisht BKT, Credins, Intesa Sanpaolo, ABI Bank dhe Fibank. Individët apo subjektet e interesuara mund të marrin pjesë në ankandet e titujve referencë vetëm nëpërmjet Zhvilluesve të Tregut.
Edhe ankandet e titujve referencë po konfirmojnë se interesi i investitorëve është veçanërisht i lartë për instrumentet afatgjata të qeverisë, që sigurojnë edhe kthimet më të larta nga investimi. Guvernatori Sejko tha të mërkurën se tregjet e financiare karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe nga prime të kontrolluara rreziku. Gjendja e mirë e tyre ka mundësuar përcjelljen efektive të stimulit monetar, i cili ka mbajtur në nivele të ulëta normat e interesit të kredisë për sektorin privat.
Pas mbledhjes së kësaj jave, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmoi orientimin se politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese e gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, në funksionin të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv. Orientimi nënkupton se Banka Qendrore do të vazhdojë të ofrojë çmim të ulët të parasë dhe akses të lartë në likuiditet për bankat tregtare. Këta faktorë përbëjnë parakusht për vijimin e interesave të ulët dhe të qëndrueshëm në tregun financiar./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.