Yield-et e obligacioneve të qeverisë shqiptare në tregun primar mbeten në rënie, duke reflektuar stabilitetin e tregut financiar dhe likuiditetin e bollshëm në treg.
Sipas bankës së Shqipërisë, në ankandin e obligacioneve me maturim 7-vjeçar të zhvilluar ditën e hënë kuponi pësoi rënie në 4.01%, nga 4.25% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Shuma e shpallur për financim nga qeveria shqiptare kishte qenë 5 miliardë lekë, ndërsa vlera e kërkesave të paraqitura në ankande arriti në 7.4 miliardë lekë.
Përballë një kërkese të lartë dhe yield-eve në rënie të ofruara nga pjesëmarrësit, Ministria e Financave vendosi të pranojë një shumë edhe më të lartë se ajo e shpallur, duke e çuar vlerën e emetimit në shumën e 5.75 miliardë lekëve.
Tregu primar i letrave të borxhit të qeverisë po shfaq stabilitet edhe në instrumentet afatshkurtra. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në ankandin e ditës së martë, bonot me maturim 12-mujor shënuan një yield-mesatar të ponderuar prej 1.77%, po aq sa në ankandin e fundit të muajit gusht. Në javët e fundit kërkesa për blerjen e bonove 12-mujore është rritur sërish. Në ankandin e fundit, shuma totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 11.8 miliardë lekë, nga 8.9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim në ankand.
Po të martën, në ankandin e bonove me maturim 3-mujor yield-i mesatar i ponderuar shënoi një rritje të lehtë në 0.93%, nga 0.87% që kishte qenë në ankandin e fundit. Rritja e lehtë lidhet sidomos me faktin që për instrumentet më afatshkurtra kërkesa e tregut është më e pakët. Bonot me maturim më pak se një vit blihen kryesisht nga bankat, që e shohin më shumë si një mundësi për të vendosur përkohësisht likuiditetet e lira. Gjithashtu, një pjesë e vogël e shumës së shpallur për financim rezervohet nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk merr pjesë në ankand me oferta konkurruese dhe i blen bonot me yield-in mesatar të ofertave të pranuara të ofertuesve të tjerë.
Pas pandemisë, yield-et e letrave të borxhit të qeverisë kanë ndjekur një tendencë në rënie, pavarësisht rritjes së rreziqeve rreth ekonomisë së vendit dhe performancës buxhetore. Kjo erdhi falë injektimeve të mëdha të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë, por edhe gjendjes së mirë të sektorit financiar, që deri tani nuk ka pësuar pasoja serioze nga kriza e pandemisë. Institucionet financiare, por gjithnjë e më shumë edhe individët, vazhdojnë t’i shohin titujt qeveritarë si një mundësi të mirë investimi, që siguron ende kthimi të kënaqshme, me rrezik të ulët. Kjo vlen sidomos për obligacionet më afatgjata, ku edhe normat e kthimit nga investimi janë më të larta. /E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.