Obligacionet me ofertë private arrijnë në më shumë se 65 milionë euro

22/03/2021 10:00 AM 0 komente

Vlera e obligacioneve me ofertë private të kompanive shqiptare në fund të vitit 2020 arriti në mbi 8 miliardë lekë ose rreth 65 milionë euro.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i këtyre instrumenteve (vlera e emetuar dhe ende e pashlyer) u rrit me 575 milionë lekë ose rreth 7.7% për vitin e kaluar.

Pak më shumë se gjysma e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj, nga të cilat 43.3% në euro dhe 7.2% në dollarë amerikanë. Gjatë vitit 2020 u konstatua një rritje e peshës së obligacioneve në valutë, që arritën në 50.5% të totalit, nga 46.8% që përbënin një vit më parë. Obligacionet në lekë pësuan një rënie të peshës së tyre specifike në 49.5%, nga 53.2% që zinin në fund të vitit 2019.

Ligjërisht, obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri ato kanë nisur të përdoren në fund të vitit 2011 dhe emetuesit kryesorë kanë qenë bankat dhe institucionet financiare. Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur të bankave si kapital rregullator i nivelit të dytë, deri në një masë të caktuar. Ndërsa institucionet e tjera financiare e kanë aplikuar emetimin e obligacioneve si një formë për të siguruar financime për të mbështetur aktivitetin e tyre kreditues.

Blerësit e këtyre instrumenteve kanë qenë zakonisht individët, por nuk kanë munguar edhe investitorë institucionalë, si për shembull kompani të sigurimeve. Interes të madh për të investuar në obligacionet e shoqërive private kanë shfaqur edhe fondet e investimeve, por deri më sot kjo formë investimi nuk është lejuar nga AMF, sepse për obligacionet me ofertë private nuk ekziston një treg i mirëfilltë dhe për këtë arsye nuk mund të bëhet një kuotim ditor i vlerës tyre mbështetur në çmimin e tregut.

Deri tani, në tregun shqiptar të kapitaleve emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private, edhe për shkak të mungesës së një tregu të titujve. Oferta publike do t’i bënte këto instrumente të tregtueshme dhe likuide, duke krijuar mundësinë e shitjes në çdo kohë ose përdorimin e tyre si kolateral financiar për marrjen e huave.

Që nga fillimi i muajit mars, depozitari ALREG nisi operimin në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe (AIPS) të Bankës së Shqipërisë. Ky hap shënon tejkalimin e pengesës së fundit teknike për tregtimin e letrave me vlerë të kompanive private në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE. Bursa është operative prej tre vjetësh, por aktiviteti i saj deri tani ka qenë i kufizuar në tregtimin e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare.

Institucioni financiar NOA është e vetmja shoqëri tregtare që ka pranuar publikisht qëllimin për të hyrë në Bursë, me qëllim emetimin e obligacioneve. NOA është një nga institucionet financiare që ka emetuar në të shkuarën obligacione me ofertë private, siç kanë bërë edhe kompani të tjera të sektorit të mikrofinancës, si Fondi Besa apo IuteCredit. / E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of