Rritja e ndjeshme e normave të interesit në tregun financiar gjatë vitit 2022 ka nisur të reflektohet edhe në obligacionet me ofertë private të bankave tregtare.
Në muajin dhjetor, Bordi i Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare miratoi regjistrimin aktofertës së radhës nga njëra prej bankave tregtare në vend. Në këtë emetim, norma fikse e kuponit për obligacionet me maturitet 7 vjeçar në Lekë ka arritur në 8%, ndërsa për obligacionet në Euro në 5%.
Në emetimin e mëparshëm të të njëjtës bankë, të miratuar në mesin e vitit 2022, kuponi kishte qenë përkatësisht 5.7% për obligacionet 7-vjeçare në Lekë dhe 3.7% për instrumentet 7-vjeçare në Euro.
Viti 2022 dhe sidomos gjysma e dytë e tij u karakterizua nga një rritje e shpejtë e normave të interesit në tregun financiar shqiptar. Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Europiane nisën një cikël të shpejtë të rritjes së normave bazë, si përgjigje ndaj niveleve shumë të larta të inflacionit.
Këto sinjale u përkthyen në një rritje të fortë të yield-eve në tregun primar të borxhit të qeverisë shqiptare dhe gradualisht edhe në interesat e produkteve të tjera të tregut financiar. Kjo rritje tashmë është përcjellë edhe në yield-et e obligacioneve me ofertë private të ofruara nga bankat tregtare në Shqipëri.
Sipas ligjit, obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri, këto instrumente kanë nisur të përdoren për herë të parë në vitin 2011.
Emetues kanë qenë në pjesën dërrmuese bankat dhe institucionet financiare. Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator.
Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” parashikon që bankat mund të mbulojnë deri në një të tretën të kapitalit të tyre rregullator nëpërmjet instrumenteve të borxhit të varur.
Hyrja në fuqi e shtesave makroprudenciale të kapitalit, në vitin 2019, ka nxitur edhe më shumë përdorimin e obligacioneve me ofertë private si instrument për të mbuluar një pjesë të kërkesave shtesë për kapital.
Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i obligacioneve me ofertë private, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, në mesin e vitit 2022 arriti në 12.37 miliardë lekë ose pothuajse 106 milionë Euro.
Që nga fillimi i vitit, vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 2.36 miliardë Lekë ose 23.6%. Ndërkohë, emetimet e reja të bankave kanë vijuar edhe në gjysmën e dytë të vitit 2022, por statistikat nuk janë ende të disponueshme. Më shumë se 57% e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj, nga 53% që ishte pesha e tyre në fund të vitit 2021.
Obligacionet me ofertë private kanë ofruar norma interesi ndjeshëm më të larta krahasuar me instrumentet e tjera që ofron tregu financiar vendas, ndaj investitorët i kanë parë si një mënyrë e mirë për të diversifikuar investimet e tyre dhe për të siguruar kthime më të kënaqshme. Me rritjen e shpejtë të normave, këto instrumente po bëhen edhe më tërheqëse për investitorët.
Deri tani, në tregun shqiptar të kapitaleve emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private. Emetuesit kryesorë, bankat, i kanë shitur këto obligacione tek depozituesit e tyre dhe nuk e kanë pasur shumë të nevojshme të kërkojnë një treg për gjetjen e blerësve.
Por, me rritjen e shumave të emetuara dhe të volumit të tregut, shitja me ofertë private bëhet gjithnjë e më e vështirë, për shkak të kufizimeve ligjore (obligacionet nuk mund tu ofrohet më shumë se 100 investitorëve indivdualë).
Edhe për këtë arsye, ekspertët i vlerësojnë obligacionet si instrumentet që mund të kenë potencialet më të afërta për të kaluar drejt emetimit me ofertë publike dhe tregtimit të tyre në bursë. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.