“Burnout” që do të thotë ezaurim, shterim, tregon një “fenomen profesional”, një “sindromë” që është rezultat i stresit kronik, në vendin e punës, i cili nuk menaxhohet mirë. Ky është përkufizimi i ri i përfshirë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në rishikimin (për të qenë më të saktë i 11-ti) e International Classification of Disease (ICD) – tabela globale që përmban gjithë patologjitë dhe kushtet shëndetësore.
Kjo është hera e parë që OBSH e njeh “burnout” si “fenomen profesional” dhe si “sindromë”. Nëse në edicionin e vitit të kaluar të ICD, (ICD 10), “burnout” ishte i përfshirë në kategorinë e “faktorëve që mund të ndikojnë gjendjen shëndetësore dhe kontaktin me shërbimet shëndetësore”, sot përfshihet tek “probleme që lidhen me sferën e punës dhe mungesës së punës”. Me fjalë të tjera “burnout” njihet si një problem profesional. Në të kaluarën, “burnout” kishte një përshkrim më pak të detajuar, “gjendje e shterimit jetësor”.
Në çdo rast, OBSH specifikon që, edhe pse është përfshirë në ICD, “burnout” “nuk është një “gjendje shëndetësore” apo një sëmundje – siç raportonin disa burime kombëtare dhe ndërkombëtare vitet e kaluara. Organizata Botërore e Shëndetësisë saktëson që edhe në ICD, “burnout” nuk bën pjesë në kategorinë e “sëmundjeve”, por te kapitulli që i kushtohet “faktorëve që mund të ndikojnë gjendjen shëndetësore dhe kontaktin me shërbimet shëndetësore”.
A jeni të prekur nga “burnout”?
OBSH shfaq edhe një listë simptomash për të kuptuar dhe për të diagnostikuar këtë sindromë. Problemi manifestohet në tre nivele. Në nivelin e parë shfaqet një ndjesi e shterimit të energjive. Në nivelin e dytë, manifestohet edhe rritja e distancës mendore nga puna, apo prania e ndjenjave negative dhe cinizmit që lidhet me angazhimin në punë. Në fund, zvogëlohet efikasiteti në punë.
Çfarë nuk është burnout
OBSH saktëson që në rastin e ‘burnout’, ezaurimi i referohet vetëm sferës së punës dhe nuk duhet të shtrihet në fusha të tjera të jetës. Në praktikë nuk mund të flitet për “burnout” nëse jeni të prekur nga stresi kronik në sfera të tjera të jetës, si ajo familjare, miqësore, apo marrëdhënia juaj. Ndonëse disa probleme dhe manifestime mund të jenë të përbashkëta, “burnout” nuk duhet të ngatërrohet me shqetësimet në lidhje me përshtatjen, që zhvillohen si pasojë e reagimeve jo të përshtatshme ndaj faktorëve stresues dhe me shqetësime që lidhen në mënyrë specifike me stresin (si shqetësimi post-traumatik nga stresi). “Burnout” nuk duhet të ngatërrohet me shqetësimet e ankthit apo frikëra dhe fobi, si dhe ndryshime të humorit, ku bën pjesë edhe depresioni.
Shëndeti në vendin e punës
Puna është burim mirëqenieje për shëndetin tonë mendor. Dhe një ambient pune negativ nuk mund të mos sjellë edhe manifestime psiko-fizike. ‘Mobbing’ (bullizmi) dhe ngacmimet janë ndër problemet më të shpeshta të raportuara në vendin e punës – dhe sipas OBSH, këto kanë ndikim negativ në mirëqenien e një personi.
Faktorët e rrezikut që lidhen me “burnout” janë të ndryshëm – organizativë, ata që lidhen me komunikimin dhe sigurinë. Sipas OBSH, ndër faktorët (e cila tregon edhe disa strategji të mundshme që mund të adoptoni për të përmirësuar mjedisin në punë) përmenden:
-Politika shëndetësore dhe siguria e papërshtatshme
-Pjesëmarrje e kufizuar në procesin e vendimmarrjes apo kontroll i dobët mbi fushën e tyre të punës
-Nivele të ulëta të mbështetjes së punonjësve
-Orare jo fleksibël
-Detyra dhe objektiva të paqartë.
Këtyre problemeve u shtohen edhe ngarkesa e tepërt, aktivitete të papërshtatshme krahasuar me aftësitë e punonjësit, mungesa e meritës (edhe ekonomike) së rezultatit, prania e rreziqeve të tjera, ‘mobbing’ dhe ngacmime psikologjike.
*Mobbing, si term sociologjik, do të thotë bullizëm i një individi nga ana e një grupi, në çdo lloj konteksti, si familja, një grup i vogël, në shkollë, në vendin e punës, në zonën ku banoni, komuniteti apo online.
Burimi: Wired