Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se ekzistojnë “prova të reja” për transmetimin e koronavirusit nga ajri.
Kjo vjen pasi 239 ekspertë publikuan një letër, ku i kërkonin OBSH-së të rishikonte mundësitë e përhapjes së virusit, duke përfshirë edhe transmetimin e Covid-19 nëpërmjet ajrit.
“Ne e pranojmë se ekzistojnë prova në këtë fushë, si në të gjitha fushat e tjera në lidhje me virusin dhe pandeminë e Covid-19 dhe për këtë arsye, besojmë se duhet të jemi të hapur për këtë provë dhe të kuptojmë implikimet e saj në lidhje me mënyrat e transmetimit dhe gjithashtu në lidhje me masat paraprake që duhet të merren”, tha Dr. Benedetta Alleganzi, Udhëheqëse Teknike e OBSH-së për Parandalimin dhe Kontrollin e Infeksioneve.
Sipas grupit të ekspertëve, ka prova të reja bindëse që dëshmojnë se koronavirusi përhapet edhe nëpërmjet ajrit. Epidemiologia e sëmundjeve infektive në OBSH, Maria Van Kerkove, tha se shumë nga nënshkruesit e letrës janë inxhinierë, “gjë që shton njohuritë për rëndësinë e ventilimit”. Nga ana tjetër, kjo nënkupton rëndësinë e kontrollit të sistemeve të ventilimit në ndërtesa, shtëpi, shkolla apo edhe biznese, për të zvogëluar riciklimin e ajrit.
Tipi i maskave që duhet të përdoret sipas ekspertëve, janë ato të llojit N95 të cilat filtrojnë edhe grimcat më të vogla të virusit. Ata sugjerojnë se maskat duhet të përdoren edhe kur distancimi fizik është i mundur.
OBSH po punon në një përmbledhje shkencore, duke përmbledhur njohuritë e tanishme rreth transmetimit të koronavirusit, i cili duhet të jetë i disponueshëm në javët e ardhshme.
Alleganzi paralajmëroi se ende kërkohen më shumë kërkime në transmetimin e Covid-19.
“Këto janë fusha të studimit që janë me të vërtetë në rritje e zhvillim dhe për të cilat ka disa prova që dalin, por nuk janë përfundimtare”. /CNN