Bota është në fazat e hershme të një vale tjetër të infeksioneve dhe vdekjeve nga Covid-19, deklaroi sot kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Duke folur para anëtarëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Tokio, Tedros tha se dështimi global për të shpërndarë vaksinat, testet dhe trajtimet po nxit një “pandemi me dy drejtime”. Vendet që kanë burime të përshtatshme si vaksinat po rihapen, ndërsa të tjerët janë mbyllur në një përpjekje për të ngadalësuar transmetimin e virusit.
“Pandemia është një provë dhe bota po dështon”, deklaroi ai.
“Kjo situatë pabarazie mes vendeve është vetë-shkatërruese epidemiologjikisht dhe ekonomikisht,” tha Tedros, duke shtuar se sa më shumë që zvarritet pandemia, aq më shumë trazira socio-ekonomike do të sjellë.
Ai paralajmëroi se “19 muaj në pandemi dhe shtatë muaj që nga miratimi i vaksinave të para, tani jemi në fazat e hershme të një vale tjetër infeksionesh dhe vdekjesh”.
Tedros shtoi se kërcënimi global i pandemisë do të mbetet derisa të gjitha vendet të trajtojnë sëmundjen.
Një festë e shpresës
Lojërat e Tokios do të hapen të Premten pasi u shtynë vitin e kaluar për shkak të pandemisë.
Rastet në rritje të Covid-19 në Tokio kanë lënë në hije Olimpiadën, e cila ndaloi pjesëmarrjen e spektatorëve nga lojërat këtë muaj, pasi Japonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Rastet përreth kryeqytetit japonez janë rritur me më shumë se 1 mijë raste të reja çdo ditë në ditët e fundit.
Në mbarë vendin, Japonia ka raportuar më shumë se 848 mijë të infektuar dhe mbi 15 mijë vdekje, ndërkohë procesi i vaksinimit është relativisht i ngadaltë.
Rasti i parë pozitiv me Covid-19 goditi fshatin atletik gjatë fundjavës dhe, deri më tani, më shumë se 70 raste janë të lidhura me Lojërat e Tokios.
Të Mërkurën, Tedros tha se lojërat janë një festë e “diçkaje që bota jonë ka nevojë tani, më shumë se kurrë – një festë e shpresës”.
Pabarazi në shpërndarjen e vaksinave
Tedros kritikoi pabarazinë e shpërndarjes së vaksinave midis vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të ulëta.
Ai tha se 75% e të gjitha dozave të vaksinës, më shumë se 3.5 miliardë doza janë administruar në vetëm 10 vende ndërsa vetëm 1% e njerëzve në vendet e varfra kanë marrë të paktën një dozë.
OBSH ka bërë thirrje për një nxitje masive në mbarë botën për të vaksinuar të paktën 70% të popullsisë në çdo vend deri nga mesi i vitit të ardhshëm.
“Pandemia do të marrë fund kur bota do të zgjedh t’i japë fund. Është në duart tona, ”tha Tedros.
“Ne kemi të gjitha mjetet që na duhen: ne mund ta parandalojmë këtë sëmundje dhe mund ta trajtojmë atë.”/CNBC