Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se po monitoron një variant të ri të koronavirusit të njohur si “Mu”, i cili është identifikuar për herë të parë në muajin janar në Kolumbi.
Mu, i njohur shkencërisht si B.1.621, është klasifikuar si një “variant me interes studimi”, tha OBSH të martën në buletinin e saj javor të pandemisë.
OBSH tha se varianti ka mutacione që tregojnë një rrezik të rezistencës ndaj vaksinave dhe theksoi se nevojiten studime të mëtejshme për ta kuptuar më mirë atë.
Ekziston një shqetësim i përhapur mbi shfaqjen e mutacioneve të reja të virusit pasi normat e infeksionit po rriten përsëri në nivel global, me variantin shumë të transmetueshëm Delta, veçanërisht në mesin e të pavaksinuarve dhe në rajonet ku masat kundër virusit janë lehtësuar.
Të gjithë viruset, përfshirë SARS-CoV-2 që shkakton sëmundjen Covid-19, ndryshojnë me kalimin e kohës dhe shumica e mutacioneve kanë pak ose aspak efekt në vetitë e virusit.
Por disa mutacione mund të ndikojnë në vetitë e një virusi dhe të ndikojnë në përhapjen më të lehtë të tij, ashpërsinë e sëmundjes që shkakton dhe rezistencën ndaj vaksinave, barnave dhe masave të tjera.
OBSH aktualisht ka identifikuar katër variante shqetësuese të Covid-19, përfshirë Alpha, i cili është i pranishëm në 193 vende, dhe Delta, i pranishëm në 170 vende.
Pesë variante, përfshirë Mu, duhet të monitorohen.
Pasi u zbulua në Kolumbi, Mu është raportuar që atëherë në vende të tjera të Amerikës së Jugut dhe në Europë.
OBSH tha se prevalenca e tij globale ka rënë në nën 0.1 për qind në mesin e rasteve të renditura. Në Kolumbi, megjithatë, është në nivelin e 39% të rasteve. /France24