Oda e Hotelerisë së Kosovës ka paralajmëruar se nuk do t’i respektojë masat anti-Covid të paralajmëruara nga Qeveria. Kjo Odë ka bërë thirrje që mos të kufizohen bizneset.
Oda e Hotelerisë së Kosovës ka paralajmëruar se nuk do t’i respektojë masat anti-Covid të paralajmëruara nga Qeveria.
Sipas njoftimit për media, që nga fillimi i pandemisë, shumë biznese kanë pësuar shumë keq me dëmet dhe humbjet që u janë shkaktuar.
“Gjatë krejt kohës bizneset në përgjithësi kanë qenë të kujdesshëm në respektimin e masave, dhe kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë në çdo aspekt për mbrojtjen e qytetarit. Mirëpo në anën tjetër, pas një viti sakrificë të të gjitha bizneseve, të gjitha subjektet politike, të gjitha pa asnjë përjashtim, e shikuan vetëm interesin e vetë. Manipuluan me popullin duke u bërë kinse interesohemi për ju, dhe në momentin që i duhej po ky popull, u anashkaluan komplet masat duke dalë jashtë në turma, sikurse gjithçka ndërroj brenda nate, e nuk po ekziston më Virusi, dhe në fund prapë se prapë me pasojat po përballen bizneset”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, iu ka bërë thirrje të gjitha bizneseve nga të gjitha sektorët vazhdoni t’i respektoni masat e manualit që i keni dhe të cilin bashkërisht e kemi punuar.
“Për qejfet e juaja politike desh u bëtë copë nëpër salla të dasmave e në oda, ndërsa bizneset që me shumë mund punuan ditë e natë qe sa kohë vetëm sa për të mbijetuar, fare nuk i morët parasysh. Bizneset në fushën e gastronomisë dhe hotelerisë edhe gjatë kohës së fushatave tuaja me çdo kusht mundoheshin t’i respektonin masat e manualit, me qëllimin e vetëm ta ruajnë shëndetin e qytetarëve”.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës edhe njëherë i’u bën thirrje juve kushdo që jeni duke i planifikuar këto masa: Mos i kufizoni bizneset më, mos bëni eksperimente përndryshe asnjë masë e palogjikshme nga ana juaj nuk do të merret parasysh dhe nuk do të respektohet!
Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit në Kosovë kanë rekomanduar që të vazhdohet me respektimin rigoroz të masave kundër sëmundjes COVID-19 dhe me kufizimin e lëvizjes, pasi, sipas parashikimeve, do të ketë rritje të numrit të rasteve të reja gjatë kësaj jave.
Gjatë mbledhjes së Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se gjendja e pandemisë është nën kontroll dhe se “nuk ka tendenca për alarm”.
Ai tha se në dy javët e fundit ka pasur rënie simbolike të rasteve të reja, por shtoi se gjatë kësaj jave “ka shenja iniciale të rritjes së rasteve pozitive”.
Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit dhe se pritet që kontingjenti i parë i vaksinave që do të arrijë në Kosovë, të jetë prej prodhuesve AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit.
Ramadani nuk tregoi se kur do të arrijë ky kontingjent me vaksina, por, më herët, zyrtarët kanë thënë se ato pritet të arrijnë në fund të shkurtit apo fillim të marsit.
Kosova pritet të marrë në total 100,800 doza të vaksinës përmes programit COVAX, që ka për synim shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në vendet në zhvillim.
Kosova është e fundit në rajon, sa i përket nisjes së vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19, pasi fushata të tilla tashmë kanë nisur në Shqipëri, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.