Oda Ekonomike Amerikane ka përsëritur shqetësimin e saj lidhur me miratimin e mundshëm të ndryshimeve të propozuara të cilat do të bënin të mundur tërheqjen kursimeve nga Trusti.
Në kohën kur iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale (Trusti) është vënë në agjendën e Kuvendit të Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane ka përsëritur shqetësimin e saj lidhur me miratimin e mundshëm të ndryshimeve të propozuara të cilat do të bënin të mundur tërheqjen e një pjese të kursimeve të kontribuuesve pensional.
OEAK-u thekson se tkurrja e kursimeve pensionale cenon prospektet për jetë të dinjitetshme pas moshës së pensionimit.
“Duke mirëkuptuar shqetësimin e iniciuesve dhe ithtarëve të ndryshimeve të propozuara për sa i përket ngritjes së kostos së jetesës, Oda Amerikane rikujton se tkurrja e kursimeve pensionale në llogari të përballimit të sfidave aktuale cenon prospektet për jetë të dinjitetshme pas moshës së pensionimit”, thuhet në reagimin e OEAK-ut.
Kjo odë vë në pah se tkurrja e fondeve do të cenojë edhe mundësitë e shtetit për realizim të investimeve kapitale.
“Po ashtu, duke pasur parasysh që një pjesë e fondeve të kursimeve pensionale janë të investuara në bonot e thesarit, tkurrja e mundshme e fondeve do të cenojë edhe mundësitë e shtetit për realizim të investimeve kapitale, e cila në anën tjetër do të ngadalësojë edhe rritjen ekonomike”, thotë kjo odë.
Në fund, një tërheqje e till e kursimeve do të sjell përfitime afatshkurta socio-ekonomike.
“Përfitimet afatshkurta socio-ekonomike nga të mundësuarit e tërheqjes së kursimeve pensionale nuk do të tejkalonin në asnjë mënyrë pasojat negative të një mase të tillë. Prandaj, politikbërësit në Kosovë, shumica qeverisëse dhe opozita parlamentare, por edhe hisedarët e tjerë, duhet të përfshihen në dialog gjithëpërfshirës me qëllim të identifikimit të masave të duhura për tejkalim të krizës aktuale dhe asaj që mund të pasojë në muajt në vijim”, përfundon OEAK-u.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës këtë të hënë ka dështuar të mbahet, për shkak të mungesës së kuorumit.
Në këtë mënyrë, Kryesia nuk ka arritur të shqyrtojë Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
E sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh iniciues i kësaj nisme, Bekim Haxhiut, mungesa e kuorumit po bëhet qëllimshëm nga pushteti.
“Mungesa e kuorumit në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, jo vetëm që është papërgjegjësi e pushtetit 50.24%, por është edhe e qëllimshme për të përfituar kohë, me qëllim të ushtrimit të presion mbi deputetët”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, do ta shtyjë votimin e Projektligjit për Trustin, për të ushtruar presion mbi deputetët për të votuar kundër kërkesës së qytetarëve për tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka njoftuar se vazhdimi i seancës do të jetë të enjten, kurse seanca e re për Trustin do të përcaktohet të hënën e javës së ardhshme.
“Ditën e hënë [të javës së ardhshme], do ta përcaktojmë edhe rendin e ditës për seancën e radhës në të cilën do të trajtohet një pikë e cila për një kohë të gjatë janë duke e pritur padurim, ajo e Trustit. Deri në 30 për qind kemi pësuar rritje të çmimeve të produkteve ushqimore, ku e konsiderojmë se kjo pikë është jashtëzakonisht e rëndësishme, e me gjasë do të jetë dita e enjte”, ka thënë Tahiri
Ndryshe, deputeti Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.
Deputetë nga opozita janë pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.