Oda Ekonomike: Në Kosovë vijojnë humbjet miliona euro

29/05/2020 12:58 PM 0 komente

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar sërish me faktin që kafenetë nuk janë lejuar të hapen, ndërkohë që shumë segmente të tjera janë hapur, madje edhe orari i lëvizjes, ndërkohë xhamitë e kishat i janë rikthyer aktivitetit. Gastronomia është duke përjetuar humbje milionëshe, thotë Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se humbjet milionëshe po vazhdojnë, teksa tha se është absurde të mos lejohet puna e gastronomisë dhe transportit gjatë fillimit të kësaj jave.

Në një postim në Facebook, Rukiqi tha se afatet për kthim të kredive po afrohen dhe sipas tij e vetmja gjë që ka rritje gjatë kësaj kohe është papërgjegjësia politike.

“Moslejimi i gastronomisë dhe transportit për të punuar, së paku nga fillimi i kësaj jave është absurd, sidomos nëse krahasohet me atë çka është lejuar me vendimet e fundit. Humbjet milionëshe vazhdojnë, konsumi ne rënie, detyrimet po grumbullohen, afatet për kthim te kredive po afrohen. Veç diçka ka rritje këto dite: papërgjegjësia politike”, shkruan Rukiqi.

Se sektori i gastronomisë ka nevojë për mbështetje shtesë e kanë thënë edhe  vet drejtuesit e  Shoqatës së Gastronomëve.

Ata thonë se bizneset e sektorit të gastronomisë kanë pësuar rënie prej 100% të të ardhurave.

“Duke e marrë parasysh që është ndalur 100 për qind qarkullimi kjo tregon që është një dëm shumë i madh për këtë sektor, po ashtu edhe për punëtorët. Sot është publikuar një hulumtim nga Instituti për Ekonomi dhe Tregti të Lirë dhe kemi parë që 75.6 për qind e bizneseve kanë deklaruar se nëse nuk kemi ndihma nga shteti këto biznese falimentojnë. Po ashtu, 56 për qind kanë deklaruar që kanë larguar disa punëtorë nga puna”.

Sipas tyre shteti duhet të vazhdojë të ndihmojë sektorin e gastronomisë në mënyrë që të mos falimentojnë.

“Ndihma nga shteti duhet të vazhdojnë, ndoshta deri në fundvit pasi deri në gjetjen e vaksinës nuk shohim që do të ketë ndonjë përmirësim. Paga ne mendojmë se duhet të rritet nga 170 euro, për arsye se ajo ka një efekt pozitiv edhe në konsumin tonë të brendshëm, minimumi të bëhet në 300 euro, 50 përqind e qirave të subvencionohet nga shteti për arsye se është e pamundur edhe të vazhdohet kjo punë.”.

Më 16 prill, Qeveria në detyrë Kosovës ka filluar të aplikojë masën 15 të Pakos Emergjente Fiskale, masë kjo e cila parasheh 130 euro për dy muaj (prill dhe maj) asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.

Për të përfituar këtë asistencë prej 130 eurosh Ministria e Financave, thotë se numri i familjeve të cilat kanë nevojë për ndihmë dhe nuk kanë të ardhura, është mjaft i lartë.

“Në bazë të të dhënave të mbledhura nga Qendrat për Punë Sociale në Kosovë, numri i familjeve që kanë aplikuar për të përfituar nga Pakoja Emergjente (ndihmë prej 130 eurosh) është rreth 70 mijë familje, prej tyre janë regjistruara 20 mijë familje, pasi që jo të gjitha këto familje që kanë aplikuar mund të rezultojnë që nuk kanë të ardhura, ku pas verifikimit të të dhënave nga Komisioni, 5,500 kanë marrë pagën prej 130 euro”.

Kafiteritë që nga 18 Maji janë hapur për shërbim ‘merre me vete’, e nga 1 qershori hapen me masa të kufizuara, me më pak tavolina. Ato do të punojnë deri në ora 21:00 kur është edhe orari i lëvizjes. Ndërkohë për klubet e natës dhe sallat e dasmave nuk ka ende një vendim për hapje.

Mbylla e detyrueshme e bizneseve dhe kufizimi i aktiviteteve ekonomike për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ka bërë që shumë të punësuar të pezullohen nga puna. Një hulumtim i organizatave ekonomike në Kosovë pati vënë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of