Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se muaji shtator do të jetë më i vështirë sa i përket ekonomisë, teksa ka thënë se mjetet e Trustit duhet të shfrytëzohen.
Kështu bëri të ditur sot ai në një konferencë për media, ku mes tjerash tha se muaji shtator është i vështirë se të tjerët, jo vetëm në pandemi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi kërkuar miratimin sa më të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Ai ka thënë se ky ligj është i domosdoshëm të miratohet në mënyrë që të rritet efikasiteti për menaxhimin e ekonomisë në këtë kohë pandemie.
Rukiqi ka thënë se problemi kryesor i pakos emergjente është mungesa e efikasitetit, apo vendosja e parasë në kohën e duhur.
“Ligji për rimëkëmbjen ekonomike e ka të njëjtën rëndësi me ligjin për pandeminë. Problemi kryesor i pakos emergjente qëndron te mungesa e efikasitetit, pra vendosja e parasë në kohën e duhur. Ne mendojmë që mjetet e Trustit duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve. Në secilën shumë qytetarët janë të gatshëm ta tërheqin dhe shfrytëzojnë, pra është diçka e domosdoshme”.
Rukiqi ka shtuar se është më mirë që të shfrytëzohen paratë e Trustit, dhe qytetarët të tërheqin sado që kanë mundësi nga ky fond.
“Mjetet e Trustit është mirë që t’i shfrytëzojnë ata qytetarë që kanë mundësi. Të gjithë qytetarët janë të gatshëm ta heqin dhe ta shpenzojnë, 50, 100, 1000 sa të jetë nevoja.”, ka thënë ai.
Rukiqi ka thënë se më së largu deri në nëntor paratë e Pakos Emergjente të futen në treg.
“Ne mendojmë që ligji mundëson që masat të implementohen më shpejt. Nëse ne dëshirojmë me kriju rimëkëmbje ekonomike, duhet që në tetor ose më së largu në nëntor paratë e Pakos Emergjente të futen në treg. Kemi hapësirë për ndryshime. Është ligji për TVSH-në që ne mendojmë se do ta rrit konsumin ditor e ulë informalitetin”.
I pari i OEK-ut ka thënë se pjesa kryesore në ligj është lehtësimi i qasjes në kredi për biznese. Ai po ashtu ka folur rreth nevojës për digjitalizim.
“Masë tjetër e rëndësishme sipas nesh është digjitalizimi. Kisha kërkuar që qeveria të shtojë disa masa që lidhen me energjinë dhe efiçiencën e saj”, ka thënë ai.
Të premten e kaluar, ka dështuar për herë të dytë votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Nga 90 deputetë të pranishëm në sallë, kanë votuar vetëm 45 deputetë.
Sërish këtë Projektligj nuk kanë votuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.